E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për “Diellin” e Xhafa-Mripës

Duke parë shumë skulptura ngjyrë hiri, të cilat kanë vërshuar kryeqytetin tonë, me ngjyra të zbehta e të pashpirta, artistja Alketa Xhafa-Mripa, vendosi që, me instilacionin artistik “Dielli”, kryeqytetit t’ia kthej buzëqeshjen, me ngjyra të hareshme, të ngrohta, të zjarrta, e nganjëherë madje edhe të ftohta, të cilat shumë shpejtë ndizen. Nga Ilir Muharremi më 31 mars 2011 në ora 12:11

Ngjyrat ndizen nga gjurmët e fëmijëve, të cilët me pak ekspresivitet kanë lënë shenjë në “Diellin” e Xhafës. Energjia e këtij dielli është e mbushur me optimizëm, e dhimbja dhe depresioni zëvendësohen me instrument gëzimi. Dhe, këtë instrument, artistja e përdorë me psikologjinë e ngjyrave, të cilave iu jep jetë. Këtë jetë ajo e shndërron në rreze të përjetshme.

Kjo gjë, pastaj, sikur na paralajmëron se ardhmëria është si një diamant i ndriçuar, porse ne duhet që ta marrim rrezen e së ardhmes, për të shndritur të shëndoshë, pa brenga, dhe pa preokupimet të cilat po e ngufasin vendin tonë.

Madje, në shumë raste, artistja na kthen në kohë, dhe kjo ndodhë pikërisht në momentin kur fëmijët e vegjël kanë shkelur mbi diellin, dhe kanë krijuar forma të sinqerta të besueshme nga ana e tyre.

Ata nuk janë munduar të ngufatin energjinë, e cila qysh prej shumë kohësh është ngulfatur, dhe vështirë depërtojnë rrezet e sinqerta, por janë munduar të lirojnë energjinë pozitive, dhe të krijojnë besueshmërinë, buzëqeshjen e përjetshme - duke na shndërruar të gjithëve në artistë. Sepse, po qe se qyteti jonë nuk preket me nuanca artistike konceptuale, atëherë cilësia nuk do të depërtojë, por do shfaqet inferioriteti dhe mosnjohja e vlerave të mirëfillta artistike.

Ky diell nuk e ka kuptimin që të shpërndajë rreze vetëm tek artistët, por që t’i ndriçojë edhe fytyrat e zbehura, t’ua rrisë atyre qarkullimin e gjakut, të dëshmojë se në secilën kokë ekziston buzëqeshja dhe shpresa, por që nevojitet një ‘armë’ për ta nxjerr atë në sipërfaqe. E kjo armë lehtë demaskohet me rrezet e krijuara nga fëmijët.

Megjithatë, artistja, përdorë edhe simbolikën tjetër, në shenjë pakënaqësie dhe proteste të vockël. Qëllimi që fshihet pas kësaj ka të bëjë me lëvizjen e lirë nëpër Evropë – më konkretisht me heqjen e vizave, sepse edhe ne si një shtet i vogël kemi të drejtë të lëvizim pa asnjë pengesë. Këtë pengesë, Xhafa përpiqet ta shembë përmes rrezeve që ndriçojnë gjithë globin. Ato janë të lira, shpërndahen pamëshirshëm në gjithë botën, nuk kanë kufij dhe, në esencë, rrezatojnë tejet sinqertë - me qëllim që ta sfidojnë të keqen përmes së bukurës së përjetshme.

Autorja qëllimisht ka futur simbolin e diellit me formë të rrumbullakët, ashtu që në të të ketë vend për të gjithë dhe të mos mbetet askush anash. Ajo disi e barazon njerëzimin, e fut atë në një koncept fitues të natyrës, duke paralajmëruar përjetësinë, por edhe e thyen teorinë e filozofit Heraklit, i cili diellin e paraqet si humbës nga ajri. Sepse, sipas tij, ajri jeton për vdekjen e diellit, e dielli për vdekjen e tokës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›