E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra ‘frikësohet’ nga Shqipëria

Vëllezërit Taulant e Granit Xhaka shihen si e ardhme e përfaqësueses së Zvicrës. Mirëpo, ky vend frikësohet nga Shqipëria, e cila i ndjek me kujdes ata. Për ta, primare është përfaqësuesja helvetike, por nuk e përjashtojnë as Kombëtaren kuqezi. Nga Express më 31 mars 2011 në ora 12:17

Zvicra i konsideron të rëndësishëm vëllezërit kosovarë, Taulant e Granit Xhaka. Helvetikët llogarisin në këta dy futbollistë në të ardhmen. Mirëpo, ky vend ka filluar të brengoset për faktin se dy futbollistët e rinj janë në shënjestër të Kombëtares shqiptare.

Taulanti dhe Graniti, të cilët janë pjesë e Baselit, kanë luajtur rregullisht për grupmoshat e reja të Zvicrës. Ky fundit madje ishte shpallur kampion i botës me Zvicrën U17, vitin e kaluar.

Me këtë rast, kishin lëvizur udhëheqësit e futbollit shqiptar, të cilët kishin kërkuar informata për 18-vjeçarin.

Këtë e pranon edhe vetë mesfushori i ri kosovar. “Është e vërtetë, ka pasur sinjale nga Shqipëria. Ka pasur presion për këtë në Federatën e Futbollit të Zvicrës”, deklaroi Granit Xhaka, i cili luan me përfaqësuesen U19 të Zvicrës.

Natyrisht, objektiv i tij është që në të ardhmen të luajë me ekipin e parë të Zvicrës, por ai nuk i përjashton as mundësitë e tjera. “Zvicra është ëndërr e imja. Mirëpo, derisa nuk do të ketë diçka konkrete, mund ta marr në konsideratë edhe Shqipërinë”, vazhdoi Xhaka.

Vëllezërit Xhaka kanë luajtur vetëm me grupmoshat e Zvicrës. Ky fakt mund t’i shpëtojë ata, ngase artikulli i 15-të i Statutit të FIFA-s për futbollistë, i lejon ata që ta ndërrojnë përfaqësuesen, nëse kanë kombësi të dyfishtë, pa marrë parasysh në çfarë moshe gjenden lojtarët. Momentalisht, vëllezërit Xhaka kanë vetëm pasaportë të Zvicrës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›