E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xani në Schlachthaus

Schlachthaus Theater - Bern ka ftuar si mysafir special në rezidencën e tij artistike, aktorin Diar Xani. Ky i fundit do të luaj në shfaqjen “Bluetsuuger”. Teatri zviceran për çdo vit fton nga një aktor të huaj, por është hera e parë që bashkëpunon edhe me aktorë kosovarë. Nga Albana S. Muja më 31 mars 2011 në ora 12:12

Me ftesë të Schlachthaus Theater – Bern, në fillim të muajit shkurt aktori kosovar, Diar Xani, ka udhëtuar drejt Zvicrës. Xani do t’iu bashkohet aktorëve tjerë të shfaqjes “Bluetsuuger”, me regji të Christina Rast.

Për çdo vit si pjesë të shfaqjeve të ndryshme të Schlachthaus Theater-Bern, që jepen në rezidencën e tij artistike, teatri zviceran fton mysafirë specialë të huaj. Këtë herë pjesë e këtij bashkëpunimi vjetor do të jetë edhe një aktor kosovar. Sivjet, pra, është hera e parë e krijimit të urës së bashkëpunimit ndërmjet këtij teatri me aktorë kosovarë.

Xani thekson se ky bashkëpunim është një përgjegjësi dhe sfidë për të, duke pasur parasysh dialogun e shfaqjes, i cili do të jetë në gjuhën gjermane.

“Të luash në një gjuhë të huaj është një sfidë e madhe dhe unike për çdo artist, e aq më tepër kur luan në teatër. Ndonëse tek unë sikur po ndodh e kundërta. Jam shumë i përkushtuar, dhe jam koncentruar në atë që të jap gjithçka që mundem për këtë interpretim, me qëllim të formimit të karakterit të personazhit”, thotë Xani.

Projekti ndërkohë ka kaluar nëpër disa faza përgatitore.

Pas kalimit të fazës së vlerësimit nga ana e kritikëve zviceranë të artit, projekti ka vazhduar punën, e nga data 2 deri më 28 maj do të vazhdohet me prova intensive, përkundër fakti që më 28 maj, pritet të jepet premiera e shfaqjes në Schlachthaus Theater-Bern.

Shfaqja do të vazhdojë pastaj të reprizohet nga data 29 maj deri më 5 qershor të këtij viti.

Ky projekt do të ketë karakter shëtitës, kështu që pas teatrit në Bern prej datës 11 e deri më 16 korrik do të jetë edhe në repertorin e Theater Rampe, në Stutgartt të Gjermanisë. Ndërkaq nga data 26, e deri më 29 tetor dhe nga 2 deri më 5 nëntor të këtij viti shfaqja do të reprizohet edhe në Theater Winkelwiese-Zurich (po ashtu në Zvicër). Projekti do të shfaqet më vonë edhe nëpër teatro tjera të Zvicrës, për të vazhduar pastaj edhe jashtë saj.

Ndryshe, “Bluetsuuger” është një shfaqje e zhanri të komedisë, dhe në të luajnë aktorët Anja Tobler, Grazia Pergoletti, Diar Xani e Mathis Künzler.

“Jam shumë i lumtur që kjo shfaqje më mundësoi të luaj përkrah aktorëve shumë të suksesshëm, si Mathis Künzler, i cili është aktor i njohur në botën e filmit evropian”, thotë Xani. Në fakt, Mathis Künzler nga audienca mbahet mend për rolin e tij kryesor në serialin e njohur gjerman “Verliebt in Berlin”.

Xani tregon se ky bashkëpunim u realizua pas pjesëmarrjes së tij në një festival teatror në Berlin, ku nga 50 aktorët pjesëmarrës Xani ishte i vetmi që u përzgjodh nga Ballkani. Ky ishte seleksionimi i parë, që u bë nga dramaturgja e Schlachthaus Theater-Bern, Maike Lex, për t’u vazhduar më tutje me nisjen e bashkëpunimit për këtë shfaqje.

Dramaturgë të shfaqjes “Bluetsuuger” janë Matto Kämpf, Maike Lex dhe André Becker, producente është Cristina Achermann, ndërsa muzika është e Patrik Zeller. Projekti financohet nga shteti zviceran dhe nga Schlachthaus Theater-Bern, dhe është një kooproduksion me Theatrin Winkelwiese-Zurich, dhe me Teatrin Rampe, nga Stutgartti.
Aktori kosovar, Diar Xani, ka diplomuar në Fakultetin e Artit, Dega e Aktrimit, në Maqedoni, ndërkohë që aktualisht i vijon studimet në Fakultetin e Arteve, Dega e Regjisë së Teatrit, në Universitetin e Prishtinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›