Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes
Iniciativa për hartimin e këtij projektligji “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes” është marrë që para 2 vjetësh. Projektligji i është nënshtruar debatit të gjerë brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin Informativ Ushtarak, Shtabin e Përgjithshëm të FA dhe strukturat kryesore të FA. Nevoja për miratimin e një ligji të ri për Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU), i cili në projektligjin që propozohet është emërtuar Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (AIM), ka ardhur nga zhvillimet e vazhdueshme në fushën e mbrojtjes dhe të inteligjencës, si dhe kërkesa për një qasje ligjore dhe të harmonizuar me standardet e vendeve të NATO-s dhe aleate për këto çështje. Dispozitat e projektligjit janë mbështetur në filozofinë e ndërtimit dhe funksionimit të një institucioni inteligjence të një vendi anëtar të NATO-s. Ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve të tilla duhet të mbajnë në vëmendje parimet kryesore të zhvillimit të kësaj veprimtarie të domosdoshme shtetërore, të cilat janë përcaktuar qartë në projektligj si: ligjshmëria, objektiviteti, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, depolitizimi, bashkëveprimi ndërinstitucional, ruajtja e sekretit, si dhe kontrolli e mbikëqyrja e veprimtarisë së saj. Agjencia, ka në prioritetin e tij implementimin e standardeve të NATO-s në fushën e inteligjencës. Dokumentet kryesore të NATO-s, në fushën e inteligjencës janë objekt i punës, me qëllim standardizimin e politikave, procedurave dhe ngritjen e nivelit profesional dhe operacional në nivelin e standardeve të NATO-s. Për përcaktimin dhe parashikimet e veprimtarisë së AIM është mbajtur në vëmendje doktrina e NATO-s për inteligjencën dhe kundërinteligjencën, si dhe STANAG-ët përkatës elementë këto të përmendur edhe në relacionin e projektligjit. Përmirësimet legjislative kryesore konsistojnë në: Konceptimin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (AIM) si agjenci e inteligjencës së mbrojtjes që i ndan juridiksionin dhe kompetencat në Republikën e Shqipërisë me Shërbimet e tjera; Përcaktimin e fushës së zbatimit të ligjit; Specifikimin e misionit, detyrave dhe përgjegjësive duke e bërë një agjenci inteligjence më të lidhur me mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe plotësimin e disa mangësive që ishin vërejtur në ligjet ekzistuese, me qëllim që veprimtaria e AIM të bëhet më efikase dhe efiçente; Saktësimin e disa dispozitave që lidhen me statusin e punonjësit të AIM, sepse ato nuk e rregullonin në mënyrë të plotë marrëdhënien juridike e për rrjedhojë ishin bërë pengesë në aplikimin e drejtë të ligjit, siç është p.sh. referenca në ligjin e SHISH-it dhe jo rregullimi në vetvete; Ndryshimin e emërtimit nga Shërbimi Informativ Ushtarak (SHIU) në Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (AIM), për t’i dhënë dimensionin e duhur dhe për t’iu përshtatur më mirë veprimtarisë që kryhet, duke qenë e përqendruar në fushën e inteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes; Përcaktimin e burimeve të informacionit; Parashikimi i mundësisë së marrjes së identitetit të rremë; Ngritjen e nivelit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, në Drejtori të Përgjithshme, për arsye të bashkimit të aseteve dhe komponentëve ndërdisiplinor; Përcaktimin e kritereve të emërimit, lirimit nga detyra dhe mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të AIM dhe Zëvendësdrejtorit ; Përcaktimin e kritereve të pranimit dhe ndërprerjes së marrëdhënieve të punës të punonjësit të AIM; Përcaktimin e procedurave të disiplinës; Trajtimin e punonjësit të AIM si “punonjës ushtarak dhe civil” duke i vënë theksin natyrës së veçantë të punës së tij, në varësi të përshkrimit të detyrave specifike dhe duke parashikuar trajtim të njëjtë të punonjësve ushtarakë dhe atyre civilë. Objekti i projektligjit është përcaktimi i misionit, organizimit, funksionimit dhe veprimtarisë së Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (AIM), rregullimi i pozitës juridike, administrative, karrierës, si dhe të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes përcaktohet si agjenci e inteligjencës, kundërinteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes, e cila është në funksion të misionit kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes, dhe vepron në përputhje me Kushtetutën dhe me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë. Misioni i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes është mbështetja e Forcave të Armatosura dhe autoriteteve të drejtimit dhe komandimit strategjik të Forcave të Armatosura, me produkt inteligjence dhe kundërinteligjence për sigurinë, në nivel strategjik dhe operacional, në kohë paqe, lufte, krize, gjendje të jashtëzakonshme ose fatkeqësie natyrore. Gjithashtu Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes ka për mision identifikimin, grumbullimin dhe analizon informacion për veprimtari që cënojnë pavarësinë, tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të vendit, si dhe kërcënime ose rreziqe të mundshme ndaj Forcave të Armatosura, brenda dhe/ose jashtë vendit. Në një nen të posaçëm të projektligjit është përcaktuar fusha e zbatimit të ligjit, duke e bërë direkt të identifikueshme, ndërkohë që në ligjin ekzistues nuk rezultonte diçka e tillë.Veprimtaria e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes përfshin çështje që lidhen me kërcënimet ndaj misionit kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes. Veprimtaria e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes do të ushtrohet mbi subjekte ushtarake, civile, vendase, të huaja, me ose pa shtetësi, rezidente ose jo në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë dhe/ose cënojnë misionin kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes Kjo agjenci inteligjence, në ndryshim nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), ka juridiksionin dhe kompetencat e saj, të cilat do t’i referohen fushës së mbrojtjes dhe personelit ushtarak apo civil që lidhet me mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe në këtë kontekst do të vazhdojë të funksionojë gjithë veprimtaria e krijuar deri tani, duke marrë parasysh veçoritë e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Në projektligj janë parashikuar autoritetet që do të kenë të drejtën e ushtrimit të kontrollit mbi veprimtarinë e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Ato janë Kuvendi, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes. Kontrolli i ushtruar dhe raportimet e bëra nga autoritetet e mësipërme do të kryhen duke ruajtur burimet dhe informacionet e klasifikuara, sipas legjislacionit në fuqi. Projektligji parashikon që punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes do të gëzojnë status të veçantë dhe këtë status do të gëzojnë punonjësit ushtarakë dhe civilë, në detyrë, si dhe punonjësit në rezervë, në lirim ose në pension sipas përcaktimeve të këtij ligji. Ruajtja e “sekretit shtetëror” gjatë ushtrimit të detyrës, është një detyrë dhe përgjegjësi për punonjësin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Për shkelje të këtij parashikimi, kur nuk përbën vepër penale, ndaj personave përgjegjës do të merren masa disiplinore, sipas dispozitave të këtij ligji. Edhe ruajtja e sekretit profesional është detyrim për punonjësin e AIM. Detyrimi për ruajtjen e sekretit shtetëror dhe atij profesional zgjat edhe pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës të punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes. Miratimi i këtij projektligji është i domosdoshëm, në kohën e duhur dhe mendojmë se do të nxisë reformimin e mëtejshëm të AIM, si agjenci e inteligjencës së mbrojtjes të një vendi anëtar të NATO-s, që aspiron për t’u integruar në BE.
*Fjala e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami në Kuvend gjatë prezantimit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes