Qazim Lika – një nga krerët me të shquar të Lumës (1869-1915)
Qazim Lika ka qenë udhëheqës kryesor i kryengritjes antiserbe të shtator-tetorit 1913, njëqindvjetorin e së cilës do ta përkujtojmë vitin që vjen, e cila ngriti në këmbë Dibrën, Lumën, Opojën, Gorën, Malësinë e Gjakovës e disa vise të Kosovës. Kishte lindur në katundin Vasije të Lumës së Epërme nga një familje e madhe dhe me emër, me tedel nga Radomira, nga fisi Daku . Mbiemri Likë i Vasijes është një zbunim i antroponimit Malik .
Në moshë të re Qazim Lika pat vepruar si komit në krahinën e tij dhe më gjerë, në trevat lindore e verilindore shqiptare, i vetëm dhe me shokë , sepse visi i katër bajrakëve, sidomos Vila dhe Kalisi – sipas Hasan Prishtinës – ishin “vende që prodhonin kusarë e keqbërës” sepse “toka e tyre qe malore dhe aspak e shtruar”. Pat marrë pjesë në ekspeditën lumjane të vitit 1893 mbi Prizren, edhe pse i ri, për të përzënë mytesarrifin e atjeshëm, Shaqir Pashën. Pak më vonë, nga se prishi itifakun (besëlidhjen) krahinor për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë; forcat qeveritare i rrethojnë shtëpinë, ku qe ngujue me 20 shokë; nuk ra në dorë, por luftoi për shtatë ditë rrjesht . Përballja me armikun e bëri të njohur në tërë visoren e Lumës së Epërme, në Rrafshe të Lumës dhe në Dibër të Poshtme , iu bashkuan shumë shokë e fitoi mjaft miq. Sipas atdhetarit të madh Hasan Prishtina, “Hasan Budakova, Musa Rahoveci, Mustafë Lita i Kalisit e Qazim Lika i Vasijes, ishin njerëz që jetonin të panënshtruar .
Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shek. XX Qazim Lika njihet ndër krerët më të shquar të Lumës . Në këto vite ai qe i lidhur e pat bashkëpunuar edhe me krerë dibranë, sidomos me Elez Isufin. Së bashku me shumë udhëheqës e luftëtarë lumjanë dhe dibranë, Qazim Lika luftoi kundër forcave osmane në pranverë 1910, në Kaçanik, në Carralevë, në Kolesjan e Kalis. Në ndeshjet e përgjakshme me pushtuesit serbë në nëntor-dhjetor 1912, nga Qafa e Kolesjanit e deri në Zhur, luftoi trimërisht. Në vjeshtë 1913 u ngrit në apogjeun e vet, qe në ballë të malësorëve lumjanë, goranë e opojas që luftuan nga Kalaja e Dodës, në shpatet e Pikllimës e deri tek Hani i Llapushnikut, ballë Prizrenit kundër pushtuesve serbë.
Në nëntor 1912, gjatë rrugës për në Vlorë, në shtëpinë e Qazim Likës bujti Isa Boletini me shpurën e tij. I nipi i Isait, Tafili do të kujtonte e shkruante më vonë: “Qazim Lika ishte i njoftun për burrë trim, fizikisht mjaft i zhvilluem, i zgjuet e gojëtar, por edhe në shpij i rregullshëm, si me qenë qytetar. Qazim Lika, si kryetar çete, e ka pasë tronditë atë krahinë të Maqedonisë me shtrimje deri në fushat e Xhevxhelisë” .
Në ato ditë, në pragun e betejës së famshme të Lumës kundër hordhive të gjeneralit Jankoviq, me yshtjen e Isa Boletinit e me ndërmjetësinë e Osman Litës e të Qazim Likës, u pajtue Daci i Kalisit me Ndreun e Sllovës, të hasmëruar për tridhjetë vjet, dhe ranë së bashku në Qafën historike të Kolesjanit.
Të dhëna për veprimtarinë patriotike të Qazim Likës në fillimet e shek. XX gjenden në shtypin e kohës. Në gazetën “Shqypja e Shqipënies” është shpaluar një intervistë e patriotit lumjan dhënë Sotir Gjikës, korrespondent i saj në Athinë (21 janar 1911) . Për Qazim Likën ka shkruar edhe prof. M. Pirraku në revistën “Sharri” (mars 1998) . Emri i këtij burri trim është i gjallë në Lumë dhe në Opojë, madje për te janë thurur edhe këngë popullore, siç është edhe ajo që ka kënduar Avni Krasniqi i Bresanës .
Për gazetën “Shqypeja e Shqipënisë” Qazim Lika ka shpaluar luftimet e ashpra të zhvilluara midis shqiptarëve e forcave osmane në Kaçanik, në Jezercë, në Shtimje e në Carralevë, në prill 1910. Forcat lumjane në këto luftime i patën udhëhequr Mustafë Lita, Ramadan Zaskoci, Qazim Lika e të tjerë krerë të njohur, por pas një qëndrese të përgjakshme, ku dhanë jetën shumë trima, u detyruan të tërhiqen drejt jugut. Në mesin e majit ra Prizreni , pastaj Peja e Gjakova (1 qershor 1910). Trupat turke vijuan drejt Lumës e Dibrës. Malësorët lumjanë u përqendruan në Qafën e Kolesjanit, aty ku qenë mposhtur një vit më parë taborret e Xhavit Pashës, pa e ditur se kësaj here do të sulmoheshin në tri drejtime: nga veriu, lindja e jugu . Edhe kësaj here në krye të forcave lumjane qe edhe Qazim Lika. Luftime u zhvilluan në Bicaj, në Lusën e në Kalis (në mesin e korrikut), por nuk u përballua dot armiku, pse me epërsi numerike e armatime moderne për kohën. Një pjesë e popullsisë mori malet, por shumë burra që u kapën u pushkatuan te Ura e Vezirit. Ndër ta qe edhe shkruesi i Idriz Seferit .
Ndër shkaqet e humbjes së lumjanëve në betejën kundër Turgut Pashës, Qazim Lika në intervistën e tij shënon “lavdidashjen” e disa krerëve dhe mosunifikimin e qëndresës , por tregohet optimist për të ardhmen duke kërkuar “vëllazni e bashkim ”.
Në luftimet e zhvilluara në Kalis me forcat e Turgut Pashës Qazim Lika plagoset dhe dërgohet në spitalin e Selanikut , ndërsa Mustafë Lita e Cen Daci kapen e dërgohen syrgjyn në Anadoll. Këtyre trimave, krerë të njohur, armiku u arrestoi familjet dhe ua çoi në Prizren . “Po më dhimet për fëmin fort shum – do të ankohej Qazim Lika – se i kam në burgun e Prizrenit mbyllun” .
Si u shërua dhe doli nga spitali i Selanikut, Qazim Lika u vu në lidhje me Ismail Qemalin, të cilin e takoi në Pire, afër Athinës, dhe u informua nga ai për gjendjen politike në Shqipëri e në Ballkan. “Pasi të bisedonte me Myfit Beun (Myfit bej Libohova), Hasan Prishtinën e Nexhip Dragën – i premtoi Ismail Qemali Qazim Likës – do t’i shkruante se si të vepronte” . Në se mori apo jo letër Qazimi nga Ismail Beu, këte nuk e dimë, por fakti që paskëtaj udhëheqësi lumjan do t’i përkushtohej tërësisht luftës kundër armiqve të Shqipërisë, na bën të besojmë se këshillat e tij nuk kishin rënë në vesh të shurdhur . Më duket se edhe në funksionin e kryeqeveritarit të Shqipërisë, Ismail Qemali ka komunikuar me Qazim Likën dhe e ka udhëzuar për kryengritjen antiserbe të shtator-tetorit 1913, megjithëse ky nuk qe pjesëtar i shpurës së disa krerëve të Dibrës, Lumës e Hasit që u pritën në audiencë në selinë e tij kryeministrore në Vlorë .
Po ashtu Qazim Lika ka pasur marrëdhënie miqësore edhe me patriotin e madh Hasan Prishtina dhe këto i ka dëshmuar konsulli austro-hungarez i Shkodrës, Halla . Ky zyrtar, në një përgjigje që i jepte baronit Stefan Buriam, ministër i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, i cili kërkonte shpjegime për lutjen që i ishte drejtuar atij nga farefisi i Qazim Likës, strehuar përkohësisht në Sofje, ka shkruar: “Në konformitet me urdhërin e sipërshënuar dhe së bashku me kthimin e lutjes së nënës dhe xhaxhait të Qazim Likës të datës 15 shkurt të vitit vazhdues, kam nderin t’i njoftoj shkëlqesisë suaj se Qazim Likën unë e kam njohur në vitin e kaluar në Shkodër (1915 – Sh. H.), ku ai ishte i arratisur për shkak se, mbas ikjes së Hasan Prishtinës (pas aksionit të Zhurit, shkurt 1915), Luma kërcënohej që të pushtohej prej serbëve”.
Qazim Lika kishte lidhje miqësore me Hasan Prishtinën – vazhdon Halla – të cilin ai e ndihmoi edhe me rastin e aksionit të tij kundër serbëve (shkurt 1915 – Sh.H.) dhe kështu më ishte rekomanduar tepër prej tij. Ai ishte një ndër krerët më të shquar të Lumës dhe u ka rezistuar mundimeve të Esat Pashës për ta bërë për vete. Prej Shkodre, para se të hynin Malazezët aty, Qazim Lika iku për disa kohë në Mirditë. Arsyeja e arrestimi të tij në Selanik nuk dihet prej meje” – përfundon informacionin konsulli austro-hungarez.
Në nëntor 1912 Qazim Lika ndodhet midis krerëve lumjanë të Lumës së Epërme të tubuar në Kala të Dodës . Ai njofton turmën e malësorëve të tubuar atje për besën e lidhur midis Dacit e Elez Isufit dhe bashkë me qindra burra të atij visi niset për në Qafë të Kolesjanit, ku do të fillonte sulmi mbi ushtrinë pushtuese serbe.
Por kulmi i veprimtarisë së këtij udhëheqësi trim e patriot shfaqet në Kryengritjen antiserbe të shtator-tetorit 1913, për të cilën kam folur e shkruar disa herë. Dhe kjo ndodhi pasi ky, Ramadan Zaskoci dhe Elez Isufi “agjitatorët më të rrezikshëm antiserbë në krahinat e Lumës e të Dibrës” – sipas një raporti të Komandës Supreme Serbe – do t’i shpëtonin eliminimit fizik, për të ciln qenë premtuar 1000-1200 dinarë për krye .
Pas dështimit të kryengritjes antiserbe dhe masakrave mbi malësorët e krahinave kryengritëse (Lumë, Opojë, Gorë), Qazim Lika mori pjesë edhe në aksionin e organizuar nga Hasan Prishtina (shkurt 1915) mbi garnizonin serb të Zhurit me qëllim që të çlironte Kosovën e pushtuar. Pastaj iku në Greqi, ku qe burgosur dhe vdiq në rrethana ende të pasqaruar mirë nga historiografia. Simbas nji studiuesi, Qazim Lika ka vdekur në një vendbanim 30 km. larg Selanikut, i helmuar në dyqanin e një pastiçieri ambulant nga Shishtaveci . Ndryshe, në karakteristikën jetësore që qe përpiluar për Komisionin e dekorimeve të rrethit të Dibrës, (13 shtator 1984) është shkruar se ai ka vdekur në burg, i arrestuar nga ushtria françeze, aleate e Sërbisë . Kjo mund të jetë e vërtetë, pse – siç duket – ai ndodhej atje për qëllime politike i ngarkuar nga Hasan Prishtina.
Qazim Lika mban titullin “dëshmor i atdheut”. Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare është propozuar për t’u vlerësuar aktiviteti i tij patriotik e luftarak. Përndryshe, populli i Lumës e ka qëndisur emrin e tij me vargje brilante:
Qazim Lika po vikat:
“S’shkelet Luma pa u la n’gjak,
n’dasht koft’ serb, ndash karadak!”
Ju faleminderit
Tiranë, Opojë, 4.XI.2012