E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Muzeun e Shkencave të Natyrës

Në dilemën nëse e di ose jo shteti rëndësinë e një Muzeu të Shkencave të Natyrës për shoqërinë, në morinë e pafundme të përgjigjeve, po zgjedh njërën: fqinji ynë më i afërt, Maqedonia, ka të paktën katër të tillë, ndërsa ne po humbim edhe një të vetëm që kemi. Për dikë kjo mund të jetë një ashkël në malin e problemeve tona, për mua dhe shumë të tjerë është një indikator substancial kulture, e nëse vazhdoj më tutje, kultura është nëna, institucionet janë fëmijët. Mund të dukem demode pse nuk fola për Demir Fazllinë, thjesht nuk dua të përfshihem në fushatën e publicitetit për të, fetishizimi nuk më ka pëlqyer asnjëherë. Ajo që më preokupon mua më shumë është: Nëse gjithçka që bëjmë sot nuk e shohim se si do të duket nesër, frigoj se çdo e djeshme do të jetë më mirë se çdo e sotme. Me këtë nuk thashë se kjo është e lehtë përkundrazi, thashë se është shumë e vështirë. Ne shqiptarët arritëm të kemi një vend përfaqësimi, Kuvendin e Shqipërisë, por gjeografia shqiptare ende nuk e ka atë, ekspozitën e burimeve natyrore të saj, pa to dhe pa motorin e zhvillimit të tyre, punët, dilemat e së ardhmes shtohen.

Shqiptarët duhet të njohin vendin ku jetojnë dhe ku kanë jetuar të parët tanë, çfarë ofron natyra jonë, çfarë kemi patur, por nuk i kemi më dhe pse nuk i kemi, si mund t’i rujamë e t’i shtojmë ato. E në mos asnjë prej këtyre, të paktën respekt për ata që e kanë krijuar me shumë pasion dhe e kanë ruajtur me shumë sakrifica dhe sot kërkojnë ndihmë, shumëkush i ka kushtuar jetën atij muzeu.

Muzeu i Shkencave të Natyrës (MSHN), është institucion publik shkencor, unikal për Shqipërinë dhe i papërsëritshëm për vendin tonë; qendër kombëtare e trashëgimisë sonë natyrore; qendër unikale shkencore, mësimore dhe edukative; qendër kombëtare e studimit, inventarizimit, monitorimit dhe ruajtjes së biodiversitetit; qendër e rëndësishme për ndërgjegjësimin mjedisor të publikut. Por mund të jetë edhe një nga qendrat më atraktive për turistët elitarë.

Ai përmban një koleksion të plotë dhe mjaft interesant të botës shtazore (Fauna), bimore (Flora dhe herbari), mineralet dhe gjetjet paleontologjike të Shqipërisë. Ai ofron për publikun një përfaqësim të plotë të pasurive dhe trashëgimive natyrore të vendit tonë me vlera kombëtare e më gjerë.

Krahas llojeve shtazore shqiptare, në ekspozita takohen edhe ekzemplarë nga Azia, Afrika, Amerika e Jugut, Oqeani Indian, dhe Paqësori. Midis tyre përmendim koralet, fluturat tropikale, shpendët ekzotikë, majmunët etj., të cilët janë vendosur këtu në vitet ’60, si pjesë e ish-Muzeut Jezuit të Shkodrës, i ngritur që në fillim të shekullit të kaluar dhe i mbyllur gjatë regjimit komunist.

Ky muze është frekuentuar nga një numër i gjerë dhe në rritje vizitorësh. Nxënësit e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme të Tiranës dhe atyre të rretheve të afërta, përbëjnë pjesën më të madhe të vizitorëve, ku, mësuesit e biologjisë, zhvillojnë tema mësimore speciale, të cilat nuk mund të realizohen në asnjë institucion tjetër në Shqipëri. Muzeu është bazë mësimore për studentët e Biologjisë të FSHN-së (UT), për studentët e Gjeografisë (UT), për studentët ePylltarisë (Universiteti Bujqësor i Tiranës), si dhe për studentët e Biologjisë të Universiteteve të Shkodrës, Elbasanit dhe Gjirokastrës.

Në Muze ndodhet një fond i gjerë shkencor, frut i një pune 60-vjeçare plot pasion e këmbëngulje të realizuar nga studiuesit e shkencëtarët më të shquar të vendit tonë. Ky fond ruhet në 5 salla me 100 rafte dhe përfshin rreth 300 mijë ekzemplarë të Florës dhe mbi 100 mijë ekzemplarë të Faunës shqiptare. Ky fond përfaqëson një pasuri albanologjike me vlera të paçmuara ku përfshihen: pasuritë mineralo-paleontologjike, floristike dhe faunistike të Shqipërisë.

Por muzeu po përballet sot me vështirësitë më të mëdha të ekzistencës së tij, ai rrezikon të shkatërrohet nga indiferenca, harresa dhe nevoja për përfitime të çastit.

Muzeu i Shkencave Natyrore është i vendosur në një ndërtesë shumë të vjetër dhe tejet të amortizuar. Një pjesë e mirë e koleksionit të këtij muzeu është e dëmtuar dhe e rrezikuar: nga shembja e çatisë dhe tavaneve (një pjesë tashmë ka rënë dhe një pjesë mbahet me hunj nga brenda, duke rrezikuar çdo ditë jetën e punonjësve dhe të vizitorëve); nga shirat, lagështia dhe mungesa e kushteve për një dezinfektim të efekshëm. Mungesa e investimeve për shkak të mosakordimit të fondeve nga buxheti i shtetit gjatë 20 viteve të fundit, e ka sjellë sot Muzeun në një gjendje të mjeruar dhe mjaft kritike. Shqipëria rrezikon të bëhet, në se nuk ndërhyet urgjentisht, i vetmi vend në Europë pa Muze të Historisë së Natyrës.

Që prej 6 vjetësh po përballet me gjykatat në lidhje me një padi të ish-pronarëve, të cilët kërkojne lirimin e kësaj godine. Stafi i këtij muzeu kërkon ndihmën e Parlamentit dhe të Qeverisë për të zbardhur deri në fund këtë proces gjyqësor dhe shpëtimin e këtij objekti që është i tëri pronë publike e shtetit shqiptar.

Parlamenti duhet të propozojë shndërrimin e Muzeut aktual të Shkencave të Natyrës, në Muze Kombëtar të Historisë së Natyrës. Kjo do të përbënte një provë emancipimi dhe qytetarie të politikës së sotme shqiptare. Kjo do të ndihmonte unifikimin, riorganizimin dhe modernizimin e tij, për t’u bërë pjesë e familjes Europiane të Muzeve Kombëtarë të Historisë së Natyrës.

Godina e muzeut ka nevojë urgjente prë rikonstruksion. Eshtë e pakuptimtë dhe e pafalshme mosekzekutimi i fondit prej 200 milion lekësh të akorduar nga Buxheti i Shtetit për vitin 2008, nën pretekstin se jemi në proces gjyqësor me ish-pronarët. Parlamenti dhe shteti shqiptar duhet të ndërhyjnë me urgjencë për të mbrojtur këtë simbol të kulturës dhe historisë sonë natyrore kombëtare. Të ndërhyhet për të prishur ndërtimet e paligjshme (shtëpi banimi e garazhe makinash) të bëra në territorin e muzeut, madje ka prej tyre që janë të mbështetura në muret e jashtme të Muzeut.

Të merren masa për të larguar nga Muzeu familjet që ndjekin modën e fundit unike në botë për të fjetur nëpër muzera, kush dreqin e solli këtë mode nuk e di. Bastuni i Gjeneral Gramafonit është ende gjallë...

*Deputet i PD-së

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›