E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat përpara NATO-s

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush,firmosi mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë, Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, duke i dhënë fuqi ligjore aktit të Kongresit Amerikan, të një muaji më parë.

Akti simbolik është një mbështetje e fortë për këto vende ish-anëtare të Lindjes komuniste dhe ka një domethënie shumë të madhe, veçanërisht për Shqipërinë. Prej se e mori ftesën për anëtarësim në NATO, në 3 prill të këtij viti në Samitin e Bukureshtit, shumë vende anëtare të NATO-s, veçanërisht ato që dikur ishin pjesë e Traktatit të Varshavës, si Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia, miratuan në parlamentet e tyre protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Shumë vende të tjera priten ta bëjnë të njëjtin hap, duke i siguruar Shqipërisë një anëtarësim të shpejtë në aleancën euroatlantike.

Por, përkundër mbështetjes së pakufishme që po i jepet Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, apo në klubin e 25 shteteve të BE-së, autoritetet shqiptare po e përdorin mbështetjen euroatlantike si një flamur elektoral për ta valëvitur në mitingjet e vitit zgjedhor ku ka hyrë vendi. Nëse Shqipëria është ndër të fundit në procesin e integrimit, ka qenë vetëm faji i Tiranës zyrtare. Në vitet 1995-1996, Shqipëria ishte pranë hapjes së bisedimeve për anëtarëimin me BE-në, dhe ishte një aleat i ngushtë i NATO-s në Partneritetin për Paqe. Por rënia e institucioneve të shtetit, në mars 1997, e stërzgjati tranzicionin për mëse një dekadë.

Tani, vendi është në një stad tjetër zhvillimi dhe progresi, por vijon të mbetet vendi më i varfër i Ballkanit Jugperëndimor, dhe me shanse të pakta për të patur një ritëm të lartë reformash dhe rritje të shpejtë ekonomike. Kryeministri aktual, ishte firmëtari i marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE-në, në 12 qershor 2006 dhe marrësi i ftesës për anëtarësim në NATO. Por ai i ka përdorur politikisht flamurin e BE-së dhe të NATO-s, duke vijuar ushtrimin e pushtetit me të njëjtën autokraci dhe vizion dritëshkurtër për zhvillimin e vendit. Cilido udhëheqës perëndimor që pyetet për atë çka duhet të bëjë Shqipëria pas anëtarësimit në NATO, thotë përmendësh se NATO, është vetëm hapi i parë dhe vendi duhet të përmirësojë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Tragjedia e Gërdecit apo e Butrinit, sulmi verbal ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese dhe renditja e Shqipërisë ndër vendet më të korruptuara dhe ku është e vështirë të bësh biznes po nuk qe tip Fazlliçi, janë disa prej “hot spoteve”, të qeverisjes 3-vjeçare.

Se sa i rrezikshëm është integrimi i një vendi të tillë në gjirin e NATO-s apo të BE-së, e tregon zhgënjimi europian me rastin e Bullgarisë, atje ku nuk është vendi që ka mafia, por është mafia që ka pushtetin, që përdor mjetet monetare të vendit dhe të BE-së për të shtrirë ekspansionin e vet. Dhe Perëndimi nuk do të donte një rast tjetër bullgar, kësaj radhe buzë Adriatikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›