Demokratët në SHBA dhe shqiptarët
Nëse për amerikanët figura e Barak Obamës është garanci për një të ardhme më të mirë, për politikanët evropianë dhe ata Ballkanas, në momentin e shfaqjes së tij në skenën e madhe politike, ai nuk ishte veçse një individit krejt i panjohur. Por, ky nuk është aspak një rast unik, përkundrazi.
Thuajse shumica e kandidatëve presidencialë, nuk kanë qenë shumë të informuar dhe të angazhuar për zhvillimet politike ndërkombëtare, me përjashtim të çështjeve dhe rasteve kur SHBA-ja kanë qenë të angazhuara direkt në to. Vietnami, Iraku, Afganistani, Rusia, Kina etj., pra tema ku administratat amerikane kanë qenë të përfshira tërësisht në to, kanë qenë tema për të cilat kandidatët kanë patur opinionet e tyre dhe madje mjaft të qarta dhe kontrastuese mes rivalëve.
Senatori i Illinoit, Barak Obama, nuk e njihte Kosovën dhe më gjerë Ballkanin, çka ngjalli konfuzion në këtë pjesë të globit. Por, me nxehjen e klimës elektorale, Obama ndërmori një tur të gjatë në shumë shtete, në disa kontinente. Ishte ky preludi i angazhimit të tij në tema ndërkombëtare.
Kështu duhet kuptuar dhe shpjeguar edhe qëndrimi i tij ndaj Kosovës dhe Ballkanit. Nëse fillimisht ishte e vështirë të gjendej edhe nje fjalë e vetme për shtetin më të ri të botës, që thuajse gjithçka ia dedikon SHBA-së, nuk vonoi dhe, nëpërmjet një interviste të qartë dhe të paekuivok tek gazeta e shqiptaro-amerikanëve (Iliria), ai deklaroi se do të ndiqte të njëjtën linjë si ajo e paraardhësit të tij Xhorxh Bush. Ai theksoi gjithashtu se, administrata e tij, do bënte gjithçka për të lobuar për njohjen masive të saj.
Por, ndërsa kandidati kryesor për postin e Presidentit, cilësohet nga thuajse të gjithë analistët evropianë si rishtar në fushën e politikës së jashtme, krejt e kundërta mund dhe duhet të thuhet për numrin dy të tij. Partneri më i afërt i zotit Obama, pra kandidati për postin e zëvendëspresidentit, Xho Baiden, vlerësohet në SHBA dhe jashtë saj, si njëri prej ekspertëve më të njohur në rrafshin e politikës së jashtme. Ai vlerësohet ndjeshëm si nga republikanët, ashtu dhe media më skeptike dhe linçuse amerikane. Autoriteti i tij është tërësisht i pakundërshtueshëm.
Fjala e Senatorit Baiden është dëgjuar nga të gjithë Presidentët, pavarësisht prej përkatësisë politike. Senatori Xho Baiden ka ofruar këndvështrimet e tij si këshilla edhe për Presidentin aktual Xhorxh Bush për çështje tejet delikate si Iraku, Afganistani, Rusia, zgjerimi i Natos, por edhe Ballkani; këshilla që, përgjithësisht, janë respektuar gjerësisht.
Por, karriera e Senatorit Baiden, pritet të marrë një tjetër kthesë; thelbësore për të nëse do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. Nëse deri tani ai këshillonte, tashmë ai do të jetë në rrethin e ngushtë të vendimmarrjes së shtetit më të fuqishëm te globit. Teorikisht dhe praktikisht, ai do të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i një Presidenti që do të ketë shumë nevojë për të.
Praktikisht të dy drejtuesit e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë ( nëse do t’u besohet anketimeve), i përkasin rrymës qëndrore të demokratëve, që kanë një tjetër emërues të përbashkët. Ata e cilësojnë jetik bashkëpunimin me aleatët, por mbështesin vlerën e përdorimit të forcës si mjetin e fundit për të zgjidhur konflikte. Togëfjalëshi që u shkon më shumë përshtat, është padyshim ai që po përdoret rëndom në SHBA si internacionalistë liberalë.
Baiden ka qenë ndër mbështetësit kryesorë të përdorimit të forcës në Ballkan për të frenuar luftën etnike, fillimisht në Bosnjë dhe më me shumë pathos dhe energji, në rastin e Kosovës.
Interesimi i Senatorit Baiden për çështjet e ish-Jugosllavisë, filloi në vitin 1991, teksa u njoh me abuzimet e autoriteteve serbe. E ndërsa ky shtet nisi të shpërbëhej, ai ishte ndër të parët që artikuloi domosdoshmërinë e ndërhyrjes amerikane, për të penguar spastrimin etnik ndaj myslimanëve në Bosnjë.
Ai ishte ndër të parët që ngriti zërin për të hequr embargon e armëve dhe armatosjen e tyre dhe, së dyti, mbështeti sulmet ajrore të Natos. Kjo politikë, fillimisht u kundërshtua nga ana ish-Presidentit, pasi i druheshin angazhimit të tipit Vietnam në një prej rajonevë më komplekse dhe problematike të Evropës. Por gradualisht ajo shërbeu si bazë e një strategjie e politike të re.
Më tej, kur Presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviç, filloi spastrimin masiv të Kosovës, Senatori Baiden, mbështeti fushatën bombarduese të Natos për të detyruar tërheqjen e trupave ushtarake serbe. Ai ishte i bindur në rolin konstruktiv të SHBA-së në situata të tilla duke sqaruar se, roli drejtues amerikan, shpesh është përcaktues. Baiden më vonë ishte ndër mbështetësit kryesore të pavarësisë së Kosovës, pavarësisht se e dinte paraprakisht se ky qëndrim do të provokonte prishjen e raporteve me Moskën.
Bashkëpunëtorët e tij theksojnë se ai ka bindjet e veta që nuk i krijon lehtë, por më pas u qëndron me insistim. Nëse demokratët, në Janar, do të marrin drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, politika e jashtme është në duar të sigurta, dhe shqiptarët sërish mund të mbështeten tek aleati i tyre strategjik. Uashingtoni është i qartë në strategjinë dhe taktikën e tij, shpresoj edhe Shqipëria……