E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Tiranën po nis një e nesërme evropiane

12-03-2012 / Gazeta 55

Bashkë me 600 qytetarë, dje është njohur me projektet e kryebashkiakut Lulzim Basha për Zgjatimin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës, edhe kryeministri Sali Berisha. Ai i ka cilësuar ato si projekte strategjike dhe me impakt jetik për Tiranën dhe qytetarët e saj
Berisha: “Edi Rama e betonizoi Tiranën, tani le të bëj ciu-ciu në lulishtet që po i rikthejmë qytetit”

Kryeministri, Sali Berisha ka zgjodhi dje të shohë nga afër maketet, të cilat do të sjellin dhe ndryshimin panoramik të kryeqytetit. I shoqërua dhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha kryeministri Berisha u njoh me detajet e maketeve që konkurrojnë për të vënë në jetë projektin e kësaj bashkie për zgjatimin e Bulevardit dhe rehabilitimin e Lanës në Tiranë.
Pasi është njohur me maketet dhe ka marrë të gjithë informacioni mbi vendosjen e tyre në realitetin kryeqytetas, kreu i qeverisë shqiptare ka radhitur arsyet se pse Tirana ka tërhequr vëmendjen e këtyre studiove.
Por nga ana tjetër, kryeministri Berisha nuk mund të anashkalonte praktikën e ndjekur deri më tani në infrastrukturën e këtij qyteti, ku për vite me radhë kishte si krye çështje vetëm betonizimin. “Erdha këtu të vizitoj dhe të njihem me projektet, së bashku me drejtuesit e bashkisë së Tiranës dhe qytetarët e saj, që me kaq interes po e ndjekin këtë proces, si një proces i një rëndësie historike dhe jetike për Tiranën e qytetarët e saj, por edhe për të gjithë shqiptarët. Tirana është zemra, është ëndrra më e bukur e shqiptarëve që në vitet e para të jetës së tyre e në vazhdim. Shfrytëzoj rastin të përshëndes shumë përzemërsisht bashkinë e Tiranës, kryetarin e saj, të gjithë ata, të cilët në një kohë rekord bënë që të zbarkojnë këtu, me projektet e tyre, studiot urbanistike ndër më të njohurat në botë, ku problemi më kryesor është vështirësia e përzgjedhjes. Urbanistë të reputacionit botëror kanë dhënë përgjigjet më të shkëlqyera, më tërheqëse e më të qëndrueshme me projektet e tyre për Tiranën e shekullit të XXI. Duhet të mbajmë gjithnjë parasysh se ky qytet ka një histori të gjatë, të cilën historianët dhe studiuesit ende nuk e kanë qartësuar. E lidhin me ndërtimin e xhamisë, por e vërteta duket se shkon shekuj e shekuj më parë, por, megjithatë, këtë t’ia lëmë historianë. E vërteta është se ky qytet ka një vendvendosje ndër më të mrekullueshmet jo vetëm në Shqipëri, por absolutisht në rajon, në Europë e në botë. Një qytet që mbështetet në një masiv jeshil të përjetshëm, siç janë kodrat që e bashkojnë me malin e Dajtit; një qytet që mbështetet në një mal që në të gjithë lartësinë e tij, përfshi edhe vetë kreshtën, është i mbuluar nga lisa, ahe e pisha në çdo pëllëmbë të tij; një qytet që në krahun perëndimor të tij ka për kurorë, kodrat ondulonte, më të bukurat që njeriut i kap syri, të cilat impresionuan Edwart Lear më shumë se të gjithë elementet e këtij peizazhi; një qytet që ndodhet 35 kilometra nga deti dhe një nga plazhet më të mrekullueshëm; një qytet që sheh nga veriu në një hapësirë të pafundme. I rrafshët, por edhe me ondulacionet e tij, nuk mund të gjendet një terren si ky, në Tiranë, për të vendosur dhe ndërtuar një qytet. Ata që zgjodhën Tiranën për kryeqytet, e zgjodhën duke u bazuar në përshkrimin që Sami Frashëri i bënte kryeqytetit, se ku duhet ta kishte Shqipëria që vjen kryeqytetin e saj. Sami Frashëri nuk emërtoi qytetin, por bëri përshkrimin e një qyteti që nuk mund të ishte asnjë tjetër, veçse Tirana”, u shpreh kryeministri.
Ai vlerësoi se në këtë konkurs ndërkombëtar për rikthimin e vlerave të kryeqytetit dhe ndërtimin e Tiranës të shekullit XXI, morën pjesë urbanistë me reputacion botëror. Kryeministri përshëndeti edhe nismën e Bashkisë së Tiranës, për përfshirjen e qytetarëve në konsultime, për shpalljen e studios fituese, e cila do ndërtojë rikonceptojë Bulevardin dhe Lumin e Tiranës.
Për kryeministrin, dimensionin që merr Tirana e shekullit XXI, është ai ekonomik dhe social. “Për vlerësimin e këtyre projekteve u zgjodhën personalitete botërore, Daniel Libeskind, sot, një nga arkitektët më të shquar të botës, i cili po ndërton në Ground Zero [New York], që do të zëvendësojë kullat binjake, si dhe në shumë vende të tjera, Giles Robin Dolphin, Filip Rode dhe Sarah Whiting, personalitete të po këtij reputacioni, që bënë vlerësimin e projekteve. Ajo që ra në sy ishte vështirësia e tyre për zgjedhur projektin më të mirë dhe kjo është një dëshmi e punës shumë serioze që 7 studiot e përfaqësuara kanë bërë, se me çfarë dashuri e përkushtim punuan ata, për dimensionin e ri të Tiranës së shekullit të 21-të. Ajo çka është e rëndësishme dhe qytetarët do shprehin mendimet e tyre është se këtu ka një pasuri shumë të madh. Sigurisht që do të jenë grupet teknike ato që do të japin fjalën e fundit, por miqësisht do të  thosha se nëse vetëm tre elementë në këto projekte të realizoheshin: bulevardi, lumi e parqet, Tirana do ishte krejt tjetër. Është një shans historik për këtë qytet që të ketë parqet që meriton, të ketë mushkëritë e frymëmarrjes së tij. Është një shans historik për këtë qytet, i cili vendoset midis dy lumenjve, që ato të meritojnë një vëmendje e përkushtim shumë më të madh. Aty ku rrjedh uji, rrjedh edhe jeta. Po t’i vështroni të gjitha këto projekte, studiot i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë lumit, shndërrimit të tij në një funksion të rëndësishëm për qytetin dhe qytetarët. Natyrisht, ka një leksion fondamental që nxirret nga këto projekte: Tirana duhet të zhvillohet në tërë hapësirën e saj. Ata që e themeluan Tiranën nuk e themeluan që ajo të kufizohet nga ky breg në atë breg, por që ajo të zhvillohet e të shpaloset si kryeqendra urbanistike e kombit, në të gjithë hapësirën ku ajo ndodhet. Ky është një dimension drejt Paskuqanit. Tirana dhe qytetarët e saj mezi presin dimensionet e reja të Tiranës: Dimensioni drejt Dajtit, dimensioni drejt Vaqarrit. Ky qytet ka hapësira shumë të çmuara për t’u shtrirë, të cilat të integruara në të shtojnë vlerat. Këtu më përmendën Vaqarrin, por a ka më të bukura se kodrat e jeshiluara me pisha apo ullishtat e tij?! Jemi në hapjen e një sipari për një Tiranë moderne, Tiranës së këtij shekulli, Tiranës në lartësinë e ëndrrës së bukur të qytetarëve të saj dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, për kryeqytetin e tyre”, tha ai.
Mbi 600 qytetarë kanë vizituar në 24 orë e fundit këtë muze ku janë njohur me atë çfarë synohet të ndryshojë në kryeqytetin e tyre.
Njëkohësisht mbi 400 qytetarë plotësuan formularët për projektet. Maketet e 7 projekteve të studiove të njohura në botë (DAR Group Turkey & United Kingdom, Grimshaë Architects, West 8, Albert Speer & Partners, Cino Zuçhi Architetti, Gerkan, Marg & Partners dhe Kees Christianse & Partners) janë vendosur në hollin e Muzeut Historik Kombëtar për t’u ekspozuar për qytetarët, të cilët nëpërmjet një formulari do të mund të shprehin të gjitha vërejtjet, sugjerimit apo pyetjet që mund të kenë në adresë të këtyre projekteve.
Ndërkohë pas kësaj faze, Bashkia e Tiranës ka parashikuar një tur për të prezantuar projektet me grupet e interesit, si shoqatat e arkitektëve, ndërtuesit, median, studentët e arkitekturës apo institucione të tjera.
Projektet për zgjatimin e bulevardit të Tiranës dhe rehabilitimin e lumit të Lanës, u prezantuan javën e kaluar, në konkursin ndërkombëtar të organizuar nga bashkia e Tiranës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›