Për çka vendosin liderët e Kosovës?
Në asnjë rrethanë Beogradit nuk do t’i jepet hapësirë, e as autoritet, në territorin e Republikës së Kosovës përmes asnjë mekanizmi, qoftë ai vendor ose ndërkombëtar. Kështu thanë ditë më parë Kryetari dhe Kryeministri i Kosovës. E realiteti i përgënjeshtron ata përditë.
Gjithçka ta kujton situatën e krijuar me Gjashtë Pikat e Ban Ki-Moonit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në vjeshtën e vitit të kaluar. Por, atëherë kishim punë me New Yorkun, me OKB-në, me UNMIK-un, i cili në çdo variant është në shkuarje e sipër, pa marrë parasysh zvarritjet e njëpasnjëshme për përmbylljen e tij. Kësaj here, gjendja është më e ndërlikuar, më problematike, më e paqartë. EULEX është Mision i krijuar prej Bashkimit Evropian dhe prej shteteve mike që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kosova ka interes jetik për të pasur marrëdhënie të mira me EULEX-in, i cili është ftuar të vijë në Republikën e Kosovës nga Kryetari Sejdiu. Por, rrëmuja e krijuar ditëve të fundit me “Protokollin për bashkëpunimin policor” midis EULEX-it dhe autoriteteve të Serbisë, ka gjithsesi tiparet e njëjta si ajo me Gjashtëpikëshin e njohur për të gjithë ne, të Njëshit të OKB-së.
Shumëçka është identike me zhvillimet në vjeshtën e vitit 2008: Prej modelit të zgjidhjes së problemeve në raportin midis faktorit ndërkombëtar dhe Serbisë, mungesës së informacionit themelor për qytetarët e Kosovës se çfarë është duke ndodhur, hutisë së vazhdueshme në sjelljet dhe reagimet e lidershipit të Kosovës, deri të deklaratat kategorike të prijësve të vendit, atëherë, kur shumëçka merr kahjen e një tatëpjete të rrezikshme.
Kësaj radhe, megjithatë, Yves De Kermabon, Shefi i EULEX-it, u desh të presë më pak kohë për takim me Kryetarin Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi, sesa Lamberto Zannier, Shefi i UNMIK-ut. Atëbotë, madje, Sejdiu dhe Thaçi refuzonin të takoheshin me Zannierin, thuajse në këtë mënyrë, me vetë heqjen dorë nga bisedimet me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, do të hiqet qafe problemi i shkaktuar me Gjashtë Pikat. Në ato raste, realisht, do të duhej të aplikohej qasja krejtësisht e kundërt: Liderët e Kosovës do të duhej të kërkonin takim urgjent me Zannierin, atëherë, ose me Kermabon tani, sepse vetëm në këtë mënyrë, duke biseduar fare hapur me autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, mund të krijohen rrethanat për adresimin e problemeve dhe për zgjidhjen e tyre.
Në fakt, më së miri do të ishte sikur të mos arrinim kurrë në situatën, si me Gjashtë Pikat në nëntorin e vitit të kaluar, ashtu edhe me Protokollin, në gushtin e këtij viti – sepse reagimet e vonuara, gjithmonë bartin në vete mangësi të cilat lënë prapa gjurmët e dëmeve politike që vijnë në shprehje herët a vonë. Politika e mençur dallohet me qasjen, me qëndrimet dhe me veprimet që u paraprijnë problemeve, që parandalojnë që ato (probleme), të marrin trajtën e kërcënimit politik dhe të sigurisë për një shtet.
Ndryshe, këtu kalimthi mund të themi që qysh në dhjetorin e vitit 2008, kur nisi stacionimi i pjesëtarëve të EULEX-it, kanë mundur të paramendohen këto pengesa dhe telashe që dolën në shesh në këtë verë: EULEX ka hyrë në Kosovë me një mandat që njeh, pos tjerash, ombrellën e OKB-së, të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, modelin e “neutralitetit ndaj statusit” të Kosovës. Me këtë mandat dykuptimësh, gjithçka që lidhet me EULEX-in në Kosovë, mund t’i ketë dy kuptime, dy pikënisje, dy pikarritje. Paqartësitë e këtilla nuk prodhojnë dot mandat stabil dhe caqe të qarta. Përkundrazi.
Sidoqoftë, takimi midis Shefit të EULEX-it, Kryetarit dhe Kryeministrit të Kosovës, doli të jetë të thuash identik, me rezultatin dhe deklaratat që u dëgjuan më pas, para gazetarëve, sikurse ai me autoritetet e UNMIK-ut.
Liderët e Kosovës, si atëherë, ashtu edhe tash, dhanë fjalë të forta para qytetarëve të Kosovës. Le t’i lexojmë sërish së bashku: “Qëndrimi i Prishtinës është mjaft i qartë. Institucionet legjitime të Republikës së Kosovës janë ato që marrin vendime për Prishtinën (realisht, do të duhej të ishte për Kosovën, vër. ime). Në asnjë rrethanë Beogradit nuk do t’i jepet hapësirë, e as autoritet, në territorin e Republikës së Kosovës përmes asnjë mekanizmi, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar” (përfundon citati).
S’ka fjalë: Këto qëndrime të udhëheqësve të Kosovës do të nënshkruheshin prej secilit politikan të Kosovës, dhe ato mbështeten prej çdo qytetari të Republikës së Kosovës.
Por, a është njëmend kështu? A vërtet liderët e Kosovës kanë mbajtur këtë pozicion në vjeshtën e vitit të kaluar, apo edhe sot e kësaj dite? Sa është i qëndrueshëm, e edhe i zbatueshëm, i implementueshëm, ky pozicion i liderëve të Kosovës?
U përmend më parë që pak kohë pasi që Kryetari Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi, në vjeshtën e shkuar, kërkuan që EULEX të mbërrijë në Kosovë me mandatin që lidhet drejtpërdrejt me Kushtetutën e Kosovës dhe vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës, ndodhi e kundërta.
Kësaj here, qëndrimi aq shumë i dëshiruar dhe i përkrahur prej të gjithë neve, i liderëve të Kosovës, nuk mund të kalojë testin a sprovën as të ditëve të fundit. Vetëm katër ditë para se Kryeministrit Thaçi dhe Kryetari Sejdiu konstatuan që “Në asnjë rrethanë Beogradit nuk do t’i jepet hapësirë, e as autoritet në territorin e Republikës së Kosovës përmes asnjë mekanizmi, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar”, në dy lokalitete në Kosovë të banuara me shumicën serbe, Republika e Serbisë mbajti zgjedhjet lokale. E papenguar prej kujtdoqoftë.
Serbia, këtë e dimë fare mirë të gjithë ne, e këtë e dinë edhe më mirë se ne autoritetet institucionale të Kosovës dhe ato ndërkombëtare, ka autoritet dhe hapësirë në veri të Kosovës, dhe kudo ku ka serbë. Serbia, përmes përfaqësuesve të saj në veri, shkatërroi pikat doganore në Portat 1 dhe 31 (në komunat e Zubin Potokut dhe të Leposaviqit), pamundësoi, që prej atëherë, funksionimin e doganave në këto vend-kalime kufitare, rrëzoi për toke rendin dhe ligjin në këtë pjesë të vendit, fuqizoi strukturat e tij paralele anekënd Kosovës, pos tjerash, duke mbajtur dy herë zgjedhje lokale dhe parlamentare.
Rendi kushtetues i Kosovës, ligjet e Republikës së Kosovës, rendi dhe ligji, shteti i Kosovës – tekefundit, nuk vlejnë në gjithë territorin e Kosovës.
Këtë e dimë ne. Këtë e dinë liderët e Kosovës. Ky është realiteti, i cili nuk zmbrapset dot para deklaratave të fuqishme të dy liderëve institucionalë të Republikës së Kosovës, dhe nuk ndryshon dot, qoftë edhe nëse dhjetë herë në ditë Kryetari Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi, thonë që për Kosovën vendoset në Prishtinë.
Pafuqia institucionale e Kosovës përballë këtyre sprovave, qet në sipërfaqe një pyetje tepër të rëndësishme: Për çka, në të vërtetë, realisht, vendosin liderët dhe institucionet e Kosovës?
Për veri të Kosovës, për kthimin e rendit, ligjit, të doganave, dhe të gjitha problemet tjera që përkojnë me këtë pjesë të vendit, Jo. Nuk vendosin, objektivisht, për shumë tema jetike të Kosovës, çfarë, për shembull, është ajo e zbatimit të Pakos së Ahtisaarit.
Në anën tjetër, një mori çështjesh të kodifikuara në Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, nuk njohin autorësinë vendimmarrëse vendore, pos tjerash, sepse lidershipi kosovar nuk ka plan të qartë se si duhet qasur këtyre problemeve. Ne akoma nuk kemi Strategjinë e sigurisë kombëtare, dokumentin themelor në fushën e sigurisë. AKI-ja (Agjencia kosovare e Inteligjencës), ekziston sa për sy e faqe. Simbolikisht. Sikurse edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Autoritetet vendore ende nuk e dinë se si do ta tëfillojnë lëmshin e mbi 400 milionë Eurove të mbledhura nga privatizimi i ish-ndërmarrjeve shoqërore. Liderët e Kosovës nuk kanë plan të qartë të zhvillimit ekonomik, i cili do të zvogëlonte papunësinë, do të rriste rrogat e të punësuarve, do të krijonte rrethana më të mira sociale në vend. Privatizimi i kompanive publike dhe ndërtimi i “Kosovës së Re” është më i mjegulluar sot, sesa në fund të vitit 2008, kur Qeveria e Kosovës me një këmbëngulësi paralajmëroi që vit 2009 do të jetë vit i privatizimit të këtyre kompanive. Prishtina zyrtare nuk e di se çka do të bëjë, në rrafshin e politikës së jashtme, derisa Kosova të mos hyjë në OKB.
Dhe kështu me radhë.
Megjithatë, është një fushë ku lidershipi institucional i vendit ka kompetenca dhe vendimmarrje të qindpërqindtë: Kjo është fusha e tenderëve. Këtu, gjithçka, ama gjithçka varet prej tyre dhe prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë.
E në kohën e mbetur që kanë, pasi që të vendosin për këtë fushë, ata mund të tregohen këmbëngulës dhe parimorë, siç bënë edhe javën e kaluar, kur thanë që “Institucionet legjitime të Republikës së Kosovës janë ato që marrin vendime për Prishtinën”.
Autori është Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës