Fatos Klosi, sekseri i Edi Ramës, me misionin e blerjes së njerëzve të LSI-së
Drejtues të LSI-së, komentojnë qëndrimet e “fraksionistëve” të formalizuar nga Edi Rama
TIRANE – Fatos Klosi, nuk është asgjë më shumë se një sekser i Edi Ramës, i cili prej kohësh ka marrë misionin e blerjeve të mundshme të njerëzve të strukturave të LSI-së.
Kjo akuzë, vjen nga drejtues të LSI-së, të cilët sjelljen e qëndrimet e Klosit e analizojnë prej kohësh, “që kur ai vetë është përjashtuar nga strukturat, forumet dhe debatet brenda LSI-së dhe ka marrë rolin e shërbëtorit të Edi Ramës, vetëm për hatër të gruas, që merr një rrogë në bashkinë e kryeqytetit”.
Duke komentuar edhe sjelljen më të fundit, të Fatos Klosit, atë të daljeve publike, si me komandë në disa televizion, bashkë edhe me kërcënimin për braktisjen e LSI-së, drejtuesit e LSI-së, jo pa ironi, bënë të ditur se, “Fatos Klosi, prej kohësh është një anonim që nuk ka lidhje me LSI-në dhe që mund të thotë ç’të dojë, për aq kohë sa fjalët e tija nuk kanë asnjë ndikim, veçse besohet e ashtu i intereson Edi Ramës, punëdhënësit të gruas së tij”.
Emri i Fatos Klosit, i është rikthyer prej pak ditësh hapësirave të mediave elektronike dhe të shkruara, që kur ai, bashkë edhe me Pëllumb Xhufin, Sabit Brokajn, Ndre Legisin dhe Mustafa Muçin, publikisht u shprehën kundër koalicionit qeverisë të LSI-së me PD-ën.
Duke ju rikthyer edhe një herë komenteve për këtë dalje publike të këtyre personazheve antikoalicion, drejtues të LSI-së, sqaruan më tej dje, se të gjithë ata e bënë këtë veçse ëpr ca interesa të ngushta personale, që nuk e kapërcejnë nivelin e një page mujore, që familjarë ët secilit prej tyre, marrin nga bashkia e Tiranës. Brenda këtij “nderi” të marrjes së ndonjë rroge nga bashkia e Tiranës, të të afërmve të tyre, “fraksionistët” e komanduar nga Edi Rama, zgjodhën ti japin një dorë kreut në ikje të PS-ës, në prag të ballafaqimit të dhunshëm në Kongresin e Jashtëzakonshëm të kësaj partie, ku ai tenton të hyjë në mënyrën më antistatuore në garën për kryetar.
Nga drejtues të LSI-së, mësohet se Pëllumb Xhufi u vu në shërbim të Edi Ramës, vetëm pse rrogëtarja e bashkisë së Tiranës, Albana Dimitri, nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, është nusja e çunit të xhajës së tij.
Të njëjta burime të LSI-së, sqarojnë se edhe Sabit Brokaj, nuk kishte se si të mos dilte pak minuat përkrah “fraksionistëve” të tjerë, për hatër të nipit të tij, i cili që prej tri ditësh, ka siguruar marrjen e rrogës në policinë bashkiake të Tiranës, të paktën deri në përfundimin e këtij mandati të kryebashkiakut Edi Rama.
Kur bie fjala për “fraksionistin” e ardhës Mustafa Muçi, drejtues të LSI-së, nuk lënë pa përmendur se ai, nga pozitat e daljes publike tri ditë më parë, nuk është asgjë më shumë se një mall që shitet e blihet që dhe publikohet si një manekin, pa ndonjë çmim të madh, në të holla, të përballueshëm edhe nga vetëm Fidel Ylli. Drejtues të LSI-së, kur flasin për Mustafa Muçin, kujtojnë se “meraku” i tij, për pak protagonizëm, daton që kur Fatos Nano, e futi në treshen e rimuar, Muçi-Naçi-Baçi, e cila nuk ishte asgjë më shumë se një shprehje novatore, e ngjashme me, bie fjala, “mamuthë të korrupsionit”.
Për Ndre Legisin, jo më larg se dje, në zyrat e LSI-së, demonstrohej asgjë më shumë se një ndjenjë mëshire. Mëshira ndaj Legisit, buronte se ende deri dje, sipas informacioneve të drejtuesve të LSI-së, as vetë Ndre legisi, nuk kishte kuptuar, pse u bë pjesë e atij “fraksioni”.