“Suksesi i reformave të qeverisë dhe fitorja e zgjedhjeve, garanci për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë”

Kryeministri Berisha takon ish-kryetarin e Asamblesë Parlamentare të KE-së, Van der Linden
TIRANE - Kryeministri Berisha priti dje në një takim të përzemërt, ish-Kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Rene Van der Linden.
Nga ana e tij, Van der Linden falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen si dhe i shprehu urimet më të përzemërta për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009.
“Këtë fitore si shumë të rëndësishme dhe të dobishme për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të vendit si dhe si një fitore të rëndësishme për të djathtën evropiane dhe konsolidimin e saj”.
Linden nënvizoi më tej edhe suksesin e reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, suksesi i të cilave solli anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha theksoi se, “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të jetë në fokusin e qeverisë dhe se ky është një proces i bazuar në meritat dhe realizimin e reformave dhe standardeve për të cilat qeveria është e vendosur t’i plotësojë”.
Më tej Kryeministri Berisha e njohu Linden me panoramën e zhvillimit ekonomik të vendit si dhe hapat e ndërmarra nga qeveria për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha të vendit si p.sh në turizëm, energji, miniera, bujqësi etj dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin e huaj. Në këtë aspekt Kryeministri u shpreh se edhe investitorët holandezë janë të mirëpritur dhe se investimi i tyre do të jetë një histori suksesi.
Van der Linden shprehu gatishmërinë e tij për të nxitur investitorët holandezë për të investuar në Shqipëri, duke theksuar se Shqipëria ka ende shumë potenciale të pashfrytëzuara në ekonomi, turizëm, kulturë, arsim, bujqësi etj dhe që ngjallin interes të madh tek investitorët e huaj.
Zoti Linden u ndal dhe në projektin holandez mbi arsimin e lartë pasuniversitar në Shqipëri si dhe në rëndësinë e një sistemi cilësor të arsimit privat në vend.
Kryeministri Berisha theksoi se reformat në arsim janë dhe do të jenë forca nxitëse për qeverinë e cila do të mbështesë fuqishëm projekte të tilla të rëndësishme dhe forcimin e sistemit arsimor privat në përgjithësi.