Për finish të mirë

Aspak në presion për vazhdimin e kontratës dhe me objektivin për t’i bërë një mbyllje dinjitoze fushatës eliminatore në Grupin D të ‘Euro 2012’. Kjo është pamja e trajnerit të kombëtares shqiptare, Josip Kuze, i cili të martën kundër Rumanisë mund t’i drejtojë për herë të fundit Kuqezinjtë.
Por, ky mendim nuk ka vend në mendjen e strategut kroat. Në mendjen e trajnerit të ekipit kuqezi është zhvillimi i një ndeshje të bukur dhe fitorja në ‘Qemal Stafa’ përpara tifozëve kuqezi.
“Rumania ka ardhur me motivimin për të bërë një ndeshje të mirë, për të shënuar dhe për ta mbyllur mirë këtë edicion. Edhe ne këtë qëllim kemi. Të lëmë diçka pozitive nga ky kualifikim. Të paraqitesh më mirë se Rumania në dy ndeshje është diçka pozitive, siç bëmë edhe kundër Bjellorusisë. Por, nëse humbëm dy ndeshje vetëm ndaj Francës dhe me të tjerat morëm pikë, atëherë kemi bërë diçka të mirë. Kam folur me lojtarët dhe u kam thënë se kemi përse t’i kujtojmë këto gjëra dhe nëse fitojmë me Rumaninë, atëherë kemi bërë vërtet diçka të mirë”, ka thënë Kuze të hënën.
- “Unë e di të ardhmen time. Përpara ndeshjes me Francës dhe me Luksemburgun isha në gjendje t’u bëja presion drejtuesve të FSHF-së që të firmosnim rinovimin tim. Por, nuk kam dashur ta bëj diçka të tillë. Gjatë gjithë kohës kam refuzuar. Unë dua të mendoj, të bëj diçka të mirë, ta mbaroj detyrën time dhe më pas do të ulemi të bisedojmë. Unë nuk dua të mendoj për të ardhmen time. Ajo që më intereson është të bëj diçka të mirë në këtë ndeshje të fundit, që ta mbyllim të lumtur dhe pas kësaj mund të bisedojmë. Mund të refuzoj unë, mund të refuzojë Federata”, ka theksuar 58 vjeçari.
Trajneri kroat ka zgjedhur edhe formacionin me të cilin do t’i kundërvihet rumunëve. Kuze sërish i ka besuar Samir Ujkanit që ta mbrojë portën, edhe pse në ndeshjet e fundit nuk pati paraqitje të mira.
Në mbrojtje do të luajnë Armend Dallku, Lorik Cana, Admir Teli e Andi Lila, mesfusha do të përbëhet nga Odise Roshi, Altin Lala, Sabien Lilaj dhe Elis Bakaj, derisa do të sulmojnë Hamdi Salihi e Erion Bogdani.
Shqipëria i kishte nisur mirë eliminatoret për ‘Euro 2012’, mirëpo në ndeshjet e fundit ka pësuar një rënie drastike. Kuqezinjtë gjenden në vendin e pestë në Grupin D me vetëm 8 pikë të tubuara.
Hasi e Kola, kandidatë për Kombëtaren?
Në prag të përmbylljes së fushatës kualifikuese për ‘Euro 2012’, kanë filluar të qarkullojnë spekulime rreth largimit të mundshëm të Josip Kuzes nga bankina e Shqipërisë.
Sipas mediave shqiptare, kandidatë për bankinën kuqezi janë dy ish futbollistët e Kombëtares, Besnik Hasi e Bledar Kola. “Unë kam kontratë me Anderlechtin, por nëse marr një ofertë zyrtare nga FSHF’ja, do të mendoj”, ka deklaruar Hasi për SuperSport.