Për herë të parë ekspozohen pullat e botërorëve të futbollit
Një koleksion i veçantë, i pasur me pulla të kampionateve botërore të futbollit në vit, është ekspozuar në galerinë e arteve “Guri Madhi” në Korçë, nga Shoqata e Koleksionistëve Shqiptarë. Ekspozita filatelike ka pasur në fokus kampionatet botërore të futbollit, duke nisur që nga ai i vitit 1968 në Kili e deri në vitin 2006, me Kampionatin Botëror të Gjermanisë. Ky koleksion interesant që ekspozohet për të parën herë ka sjellë para publikut dhe dashamirësve të kësaj tradite të vjetër korçare një seri të madhe të pa ekspozuar të pullave, që datojnë që nga viti 1938 dhe që janë ruajtur me fanatizëm pas sigurimit të tyre nga korrespondencat e korçarëve me shtete të ndryshme. Pulla të shumta, të cilat janë grumbulluar nga koleksionistët në Korçë, janë vendosur në stenda të ndara sipas viteve dhe shteteve nga janë siguruar, përmes korrespondencave postare, stampimet e kampionateve të futbollit, sipas periudhave të ndryshme kohore. Në këtë ekspozitë ka spikatur jo vetëm përbërja e saj dhe tematika, por edhe vetë materialet që janë sjellë dhe që janë ruajtur, pavarësisht nga vitet që kanë kaluar. Kristaq Jorgji, koleksionist i vjetër korçar, por edhe kryetar i shoqatës për degën e Korçës, e ka vlerësuar këtë koleksion si një nga më të veçantët që sjell jehonën e kampionatit botëror. “Ky është një koleksion për të cilin është punuar me përkushtim. Pullat janë siguruar nga korrespondencat dhe janë ruajtur si pjesë e traditës sonë qytetare dhe të trashëgimisë. Kemi realizuar disa ekspozita, por ky koleksion mbetet një nga më interesantët”, u shpreh ai. Për kreun e Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, Bajram Peçi, ky koleksion tregon edhe një herë ruajtjen e kësaj tradite të pasur, ndërsa ka vlerësuar punën e bërë nga koleksionistët korçarë, që kanë pasuruar fondin e koleksioneve jo vetëm në filateli. “Të gjithë ne koleksionistët e dimë mirë se çfarë vlerash ka mbartur qyteti i Korçës në trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke zënë një vend nderi. Shumica e koleksionistëve shqiptarë, filatelistë, kanë në koleksionet e tyre materiale që vijnë pikërisht nga qyteti i Korçës, ku që në vitet ‘20-‘30 u instalua një kulturë e re qytetare. Ne kemi një mori koleksionesh me tematikë nga qyteti i Korçës, si në filateli ashtu dhe në numizmatikë, duke dhënë ndihmesë për zhvillimin dhe ecurinë përpara të artit të filatelisë. Qyteti i Korçës e ka ruajtur traditën e organizimit të këtyre ekspozitave të veçanta, siç është edhe ky koleksion i veçantë me pulla të kampionateve botërore të futbollit në vite”, komentoi Bajram Peçi, gjatë ceremonisë së çeljes së ekspozitës, e cila ka ardhur menjëherë pas kampionatit botëror të sivjetshëm. Për shkak të larmisë dhe veçantisë së këtyre pullave, ekspozita ka tërhequr vëmendjen e një numri të madh vizitorësh. Koleksionet e shumta, që janë pjesë e traditës qytetare të Korçës, janë pjesë e trashëgimisë kulturore, të cilat ruhen me fanatizëm. “Në përbërje të këtij koleksioni janë të gjitha pullat që ka nxjerrë Posta Shqiptare, me tematikën e botërorëve. Kemi siguruar një sasi të konsiderueshme pullash nga shtete të ndryshme, që datojnë që nga viti 1938 dhe jemi në pritje të serive të fundit të kampionatit të sivjetshëm. Këto i kemi marrë përmes korrespondencave dhe kërkesave sipas porosive me katalogë. Ka pasur edhe shkëmbime të pullave shqiptare me pullat që vinin nga shtetet e tjera dhe kështu është formuar ky koleksion i plotë me kampionatet botërore”, tha Igli Gjançi, një nga organizatorët. Ekspozita filatelike është e treta që organizohet në Korçë dhe në vite ka pasur shumë aktivitete të tilla të koleksioneve në pikturë, kartëmonedha, libra etj.
#