Shpërthimet e kamikazëve marrin 50 jetë njerëzish
Afro 50 vetë u vranë në Irak në dy sulme të militantëve vetëvrasës, që kishin në shënjestër pjesëtarë të lëvizjes pro qeveritare sunite Sahwah, apo Këshilli i Zgjimit. 43 vetë u vranë teksa prisnin të merrnin rrogën në një bazë ushtarake në Bagdad. Dhjetëra të tjerë u plagosën si rezultat i shpërthimit. Në sulmin e dytë, që ndodhi pranë kufirit me Sirinë, u vranë 3 vetë. Pjesëtarët e lëvizjes Sahwah u kthyen kundër “Al Qaeda”-s para katër vjetësh dhe deklaruan se do të mbështesnin operacionet e forcave amerikane. Ato u kthyen kundër “Al Qaeda”-s gjatë konfliktit të ashpër sektar, që thuajse e përçau krejtësisht Irakun në vitet 2006-2007. Si shpërblim për këtë, këto njësi paguhen rregullisht nga amerikanët dhe qeveria irakiane. Vlerësohet se edhe rënia në mënyrë të ndjeshme e nivelit të dhunës në Irak ishte rezultat i këtij hapi të një pjese të militantëve. Mirëpo kohët e fundit, pjesëtarët e kësaj force po vihen gjithnjë e më shumë në shënjestër të sulmeve të militantëve. Shumë sahwah-itë ankohen se shteti ka filluar t'i lërë tani në harresë dhe pa mbështetje, teksa ushtria amerikane është e përqendruar në hapat drejt tërheqjes, ndërsa politikanët vendas po zgjasin pa fund negociatat për koalicionin qeverisës.
#