E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çahet kodra e Durrësit, 60 shtëpi nën ankth

02/02/2011  U prenë ullinjtë, është zhveshur nga bimësia, përparon erozioni

Banorët braktisin banesat nga frika e shembjes dhe rrënimit

DURRES- Dhjetëra shtëpi në veri të kodrës së Durrësit janë përfshirë në panikun e shembjes duke detyruar familjarët të braktisin strehën. Shenjat e para të rrëshqitjeve dhe plasaritjes së kodrës në rrëze të detit pranë Porto Romanos, janë shfaqur rreth një vit më parë, por tani situata duket se është bërë shqetësim serioz. Në bazë të informacioneve që afrojnë banorët thuhet se bëhet fjalë për 60-70 shtëpi e objekte të ndryshme shërbimi. Një lokal që ka qenë poshtë kodrës, në buzë të detit dhe që shërbente për pushuesit e zonës në sezonin e verës është mbuluar nga masivi i dherave së bashku me 4 objekte banimi. Banorët e kanë vërejtur çarjen dhe rrëshqitjen e tokës prej disa muajsh, por tani që kodra e banuar ka nisur të shkëputet nga pjesa tjetër ka rritur shqetësimin. Bëhet fjalë për kodrën në perëndim të Durrësit e shfrytëzuar shumë për ndërtime banesash dhe objekte të ndryshme. Kodra dikur ka qenë e veshur e gjitha me rrënjë ulliri, por pas viteve 1990 përfituesit e tokës në përdorim nisën të presin ullinjtë dhe të shesin tokën e ish-ndërmarrjes. Vendi i kërcënuar nga erozioni është pikërisht në anën tjetër të kodrës ku është ish-kampi përqendrimit. Vargu i kodrës së Durrësit nis në Currila përshkon Kallmin e përfundon në afërsi të portit të ri të karburanteve në Porto Romano. Themelet e disa banesave kanë dalë në sipërfaqe, ndërsa shumë shtëpi janë çarë e plasaritur gjithandej. Toka në këtë pjesë të kodrës është argjilore, si dhe në kodrën tek Currilat, pasi është vijim i saj. Reshjet e shiut kanë ndikuar në shkëputjen e masivit të madh të kodrës, pasi toka është ngopur duke bërë edhe shkëputjen. Tani në disa vende çarja e tokës është shumë e thellë deri në disa metër dhe është bërë e pakalueshme. Shumë familje kanë lënë shtëpitë dhe jetojnë tek të afërm apo edhe në kasolle prej druri e llamarine, pasi druhen se kodra mund të marrë me vete shtëpitë. Disa banesa kanë dalë nga përdorimi pasi veç zbulimit të themeleve, kanë pësuar edhe shtrembërime në anët ku kodra ka pësuar rrëshqitje. Të gjitha shtëpitë në rrezik janë ndërtuar në dhjetë apo 15 vitet e fundit dhe asnjëra prej tyre nuk është në pronësi legale, ndërsa banorët kanë plotësuar aplikimin dhe janë në pritje të përgjigjes. Kodra është zhveshur vit pas viti ngase pemët janë prerë të gjitha dhe shtëpitë nuk kanë mundur të zgjidhin problemin e linjave të ujërave të bardha e të zeza. Gjendja ka nisur të rëndohet, ndërsa banorët nuk kanë hequr dorë së ndërtuari në këtë kodër, e cila tani nuk ka më asnjë pëllëmbë tokë të lirë. Shtëpitë që kanë qenë më pranë rrëpirës e kanë ndier të parat rrezikun pasi dheu ka lëvizur duke zbuluar themelet dhe duke shkaktuar çarjen e mureve. Një përfaqësi nga lagjja e rrezikuar kanë nisur të trokasin në dyert e bashkisë, prefekturës e të qarkut për të bërë të ditur rrezikun. Specialistët e kanë cilësuar të rrezikshme jetesën në shtëpitë e përfshira në hartën e riskut të shembjes nga rrëshqitja e kodrës. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›