Për herë të pesëmbëdhjetë
_434704.jpg)
Në ceremoninë e hapjes solemne të Panariti ti Librit, që u cilësua si festë e përvitshme e librit, fjalë përshëndetëse mbajtën kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, dhe drejtuesi i shtëpisë botuese Buzuku, nga Prishtina, Abdullah Zeneli.
“Bashkia e Tiranës përfundon së shpejti planin urbanistik, në të cilin, ndër të tjera, ka edhe dy piketa kryesore që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me librin”, theksoi kryetari i Bashkisë, Basha.
“Së pari, aty është parashikuar ndërtimi i një biblioteke të re, e cila do të lehtësojë presionin e Bibliotekës Kombëtare, dhe që do t’i japë mundësi lexuesit që të lidhë kontakte të drejtpërdrejta me librin. Në bulevardin e ri, që do të ndërtohet së shpejti, do të nisë edhe ndërtimi i kësaj vepre. Së dyti, besoj se të gjithë duhet t’i japim rëndësinë e duhur tregut të lirë të librit. Në planin e ri urbanistik kemi vendosur piketa për ta mbështetur këtë treg. Ata që duan të hapin librari të reja, botues ose jo, do të jenë të liruar nga çdo taksë lokale për shitjen e librit”, shtoi ai, derisa hodhi idenë e mbështetjes edhe organizimit të një panairi ndërkombëtar të librit në Tiranë.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Botuesve tha se panairi është i veçantë për disa arsye; është viti i festimit të 100-vjetorit të pavarësisë, viti i njëzet i shoqatës së botuesve - si organizatore e panairit - dhe i pesëmbëdhjeti i Panairit të Librit.
“Ditët e panairit të librit janë, pa dyshim, një rast feste dhe gëzimi për të gjithë njerëzit që e duan librin”, theksoi Ymeri.
“Mjafton të hedhësh një sy përreth, për të parë me një vështrim se panairi ynë, për nga dukja por edhe nga ofrta, është i një niveli ndërkombëtar. Në këtë panair do të promovohen shumë tituj, shumë krijues do t’iu shtohen radhëve të shkrimtarëve, shumë studiues do të debutojnë me veprat e tyre, shumë përkthyesve do t’u ndrijë ylli, dhe shumë botues do ta befasojnë lexuesin me titujt e tyre të rinj”, sqaroi ai tutje, përderisai bëri një përmbledhje të shkurtër edhe të historisë së Shoqatës së Botuesve Shqiptare, e cila sivjet i mbushë 20 vjet.
“Kam kënaqësinë të përmend emrat e themeluesve të saj duke filluar me kryetarin tonë të parë e mikun tonë, zotërinë Ramazan Hysa, zonjat Donika Omari e Zana Harxhi, zotërinjtë Riza Ibrahimi e Petrit Ymeri, Rexhep Hida e Alfred Sejdia, Petraq Risto, Shefki Karadaku e Ibrahim Hoxha, Cezar Kurti e Hysen Canko. Kanë kaluar 20 vjet nga maji i 1992, dhe po shohim me krenari rrugën vërtet të vështirë që kemi bërë, por edhe rezultatet e mahnitshme që kemi arritur. Mund të themi me siguri që sot libri shqip radhitet në të njëjtin nivel përfaqësimi e cilësie me botuesit evropianë e botërorë”, theksoi ai.
Si një ndër arritjet më të mëdha të kësaj shoqate dhe të anëtarëve të saj, Ymeri përmendi respektimin e së të drejtës së autorit, por edhe atë se tashmë ekziston Ligji për Librin, respektivisht Ligji për të Drejtat e Autorit.
Të pranishmit, përfaqësuesit e përfaqësive të huaja në Tiranë, në mesin e të cilëve ishin edhe ambasadorja e Francës, ambasadori i Malit të Zi, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, si dhe shkrimtarë e njerëz të medias, i përshëndeti edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare, dhe botuesi i shtëpisë Buzuku, nga Prishtina, Abdullah Zeneli. Ky i fundit, theksin e vuri në rëndësinë e pjesëmarrjes së botuesve kosovarë në këtë ngjarje, që e cilësoi të rëndësishme për librin.
Ndryshe, përveç prezantimit të librave në stendat e shtëpive botuese, në sallat e konferencave do të mbahen mbi 60 promovime autorësh e librash të rinj. Gjatë panairit është paralajmëruar ekspozimi i rreth 1500 titujve të rinj. Në mesin e aktiviteteve të shumta nuk do të mungojë as diskutimi i temave profesionale. Veç tjerash, lexuesit do të kenë mundësi të takojnë edhe autorë të ndryshëm.