Për kallashë s’ka leje

Për kallashnikov nuk mund të pajiset askush me leje. Kështu thonë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, transmeton KTV. E një armë e tillë u gjend natën e së shtunës në veturën e djalit të Adem Grabovcit, shefit të Grupit parlamentar të PDK-së. Në bagazhin e veturës së tij policia e Kosovës ka gjetur një armë automatike të tipit kallashnikov me 90 fishekë dhe një armë gjuetie me 31 fishekë.
Zyrtar i lartë për shenjim dhe gjurmim të armëve në MPB, Burim Kadriu tregon se për çfarë lloje të armëve jep leje kjo ministri. Armë në veturë i është gjetur muaj më parë edhe djalit të kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja. Ndërkohë një armë pa leje është gjetur në fillim të këtij muaji edhe në veturën e njërit prej truprojave të kryeministrit Hashim Thaçi.
Veprimet e fundit të zënies me armë pa leje të familjarëve të politikanëve kosovarë, sipas përfaqësuesit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, dëshmojnë për shkallën e sundimit të ligjit në Kosovë.
Betim Musliu nga ky institut thotë se sjelljet e këtyre personave janë identike me sjelljet e grupeve mafioze. Ligji për armët në Kosovë për personat civil përcakton që lejohet posedimi i armës, por jo bartja me vete e saj. /Indeksonline/