Prizreni ka nevojë për strategji të kulturës

Në debat u konstatua se shembuj konkretë të zhvillimit të turizmit përmes aktiviteteve kulturore tashmë ekzistojnë në Prizren dhe se ky potencial ka nevojë të zhvillohet më tutje përmes një dialogu të strukturuar mes shoqërisë civile, qeverisë lokale dhe sektorit të biznesit.
Përfaqësuesi i komunës së Prizrenit përsëriti përkushtimin institucional për bashkëpunim me sektorin e kulturës së pavarur, ndërsa dha zotimin për koordinim të sektorëve të ndryshëm të qeverisë lokale në procesin e hartimit të strategjive.
Në anën tjetër, Eroll Bilibani nga Dokufest theksoi se mënyra e shpërndarjes së fondeve për kulturën është ndër arsyet kryesore pse duhet të kemi një Strategji për Kulturën. Për më tepër, ai nënvizoi nevojën për bashkëpunim sistematik mes qeverisë lokale dhe sektorit të kulturës së pavarur.
Nga perspektiva qendrore, Florent Mehmeti reflektoi mbi përpjekjet e Forumit Kulturor për të nisur hartimin e Strategjisë Kombëtare të Kulturës, duke potencuar që hartimi i dokumenteve strategjike për kulturën mund të shkojë në mënyrë paralele në nivelin qendror dhe atë lokal.
Ai gjithashtu e ndau përvojën e Teatrit ODA rreth hartimit të strategjive lokale të kulturës në bashkëpunim me tri komuna në Kosovë dhe tri në Maqedoni.
Sipas një komunikate për media, të lëshuar nga organizatorët,disa nga rekomandimet e debatit ishin,koordinim institucional brenda komunës së Prizrenit mes strategjive të ndryshme sektorale, konkretizimi i bashkëpunimit mes qeverisë lokale dhe kulturës së pavarur, përfshirja e aktorëve të tjerë relevantë në procesin e hartimit të strategjisë për kulturën, ndërrimi i mentalitetit institucional ndaj kulturës dhe trajtimit të saj në raport me sektorët e tjerë të politikave publike, por gjithashtu edhe nisja e procesit të hartimit të strategjisë së kulturës për Prizrenin.
Ky debat ishte i dyti i serisë së debateve të nisura nga Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren, si pjesë e përpjekjeve të RrOK-ut për të avokuar për politika adekuate kulturore në nivel lokal dhe pasurim të ofertës kulturore dhe turistike të Prizrenit. Njëherit, ky debat u mbajt disa ditë pas nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes RrOK-ut dhe Drejtorisë komunale të turizmit dhe zhvillimit ekonomik për të formalizuar bashkëpunimin qeveri lokale – shoqëri civile për zhvillimin ekonomik të qytetit bazuar në turizmin kulturor.
Ndryshe, debati u organizua nga rrjeti i Organizatave Kulturore në Prizren.