E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për kë punon Hashim Thaçi?

Në takimin e fundit që Kryeministri pati me Daçiçin u përmend se për çfarëdo implementimi të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ‘veriu është më ndryshe’. Kjo qeveri pra, tashmë është pajtuar që veriun të mos e konsiderojë si territor të Kosovës. Veriu është territor i Kosovës vetëm në fjalimet e Kryeministrit, por jo edhe në veprimet konkrete të kësaj qeverie.
A mund të na e shpjegoni ç’do të thotë kjo, që ‘veriu është më ndryshe’. A mos do të thotë kjo, se për veriun edhe zgjidhja po kërkohet të jetë ndryshe nga Plani i Ahtisaarit?
Përse marrëveshja e IBM-së, në të cilën zyrtarisht kufijtë e Kosovës askund nuk figurojnë si kufij shtetërorë, nuk do të zbatohet vetëm në dy pikat kufitare në veri? A mos është edhe kjo një shenjë se jeni treguar i pasinqertë kur thoni se pas 25 korrikut është vënë kontrolli në kufijtë veriorë?
Kryeministër, në njërën prej intervistave tuaja të fundit kemi folur për muhabetin që keni bërë me Daçiçin. Dhe keni thënë se kur Daçiçi ju ka thënë se do t’ju arrestonte, ju i keni thënë atij se edhe ju do të mund ta kishit arrestuar kur Daçici ishte në Kosovë, por me urdhrin tuaj keni ndikuar që ai të mos preket. A mund të na e shpjegoni më hollësisht, kush nga policia paska dashur ta arrestojë Daçiçin dhe pse keni ndërhyrë në këtë proces? Përse i pengoni institucionet e sigurisë që ta kryejnë punën e tyre, dhe i viheni në mbrojtje Ivica Daçiçit? Çka është kjo qeveri kështu, që një ministër i saj i jep urdhër të paligjshëm policisë që qytetarët paqësorë shqiptarë që protestojnë kundër Serbisë t’i rrihni, kurse ju jepni urdhër policor që Ivica Daçici të mos preket dhe të qarkullojë i lirë nëpër Kosovë? Për kë tjetër punoni ju, përveçse për vetveten, sepse këtë gjë e dimë?
Problemi më i vogël i negociatave me Serbinë është raportimi i Kryeministrit në Kuvend.
Çështja kryesore nuk është ‘raporton apo nuk raporton Kryeministri’. Problemi kryesor është se Kryeministri shkon dhe takohet me Kryeministrin e Serbisë për të biseduar për Kosovën. Me siguri në këto biseda të Kryeministrit me Daçiçin nuk është folur asgjë për Serbinë apo për Luginën e Preshevës. Atje është folur vetëm për trashëgiminë kulturore të Kosovës, se kah i konvenon Serbisë t’ia mbajë autostrada e kombit, se në ç’mënyrë Serbia të vazhdojë t’i financojë strukturat e veta në Kosovë. Dhe kështu po shkohet drejt temës së veriut të Kosovës. Përkundër herëve të tjera, kësaj radhe Kryeministri çuditërisht është treguar shumë i zellshëm për raportim. Siç duket, ai e ka qejf raportimin, sidomos në kësi rastesh kur mund të na thotë ç’të dojë e ne nuk mund ta verifikojmë nëse ai po na tregon drejt. Kështu që ai mund të na e zbukurojë bisedën me Daçiçin ashtu siç ia ka qejfi. Në takim nuk ka pasur kamera, biseda nuk ka transkript, kështu që Kryeministri mund ta kthejë këtë takim për të promovuar patriotizmin e tij të shtirur, duke na thënë se ka folur për të pagjeturit. E vërteta në këtë rast, varet krejtësisht prej ndërgjegjes së Kryeministrit. Por ne nuk mendojmë se ndërgjegjja e Kryeministrit është e papërshtatshme për të na e treguar të vërtetën. Sepse kemi të bëjmë me njeriun që na premtoi që nuk do të ketë negociata politike me Serbinë, dhe shkoi pikërisht në këto negociata.
Pardje tha se “i kam dërguar ‘Vetëvendosje’-s kërkesë për informim”, gjë që nuk është e vërtetë. Prandaj ndërgjegjja e Kryeministrit dhe e vërteta rrallëherë shkojnë bashkë, për të mos thënë fare. Këtij Kuvendi nuk i kanë munguar premtimet e Kryeministrit, të stilit se, në fund të negociatave Serbia do ta njohë Kosovën, si dhe do të bëhemi pjesë e OKB-së. Bile edhe ne si deputetë, por edhe qytetarët e Kosovës, janë lodhur nga premtimet e pambajtura të Kryeministrit. Këtij Kuvendi i kanë munguar dhe i mungojnë ende betimet e Kryeministrit. Ajo që kanë nevojë qytetarët e Kosovës është që Kryeministri i tyre të betohet këtu se nuk do të ketë autonomi për veriun e Kosovës. Sepse edhe Bosnja u bë anëtare e OKB-së, ama vetëm atëherë kur Serbia e mori nën kontroll Republikën Serbe atje.
Kryeministër, betohuni përpara të zgjedhurve të popullit dhe para të gjithë qytetarëve të Republikës, se nuk do të bisedoni kurrë me Serbinë për veriun e Kosovës dhe se nuk do të pranoni kurrfarë autonomie për veriun. Keni rastin t’i qetësoni zemrat e qytetarëve të këtij vendi. Tani ndodhemi në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë shqiptare. Kjo ngjarje e madhe kombëtare anembanë po shënohet me aktivitete e manifestime. Por ju keni zgjedhur mënyrën më të keqe të mundshme për ta shënuar këtë ngjarje. Sepse këtë gjë po e bëni me negociata me Serbinë. Sot unë këtu me vete kam sjellë një flamur kombëtar, të cilin do ta vendos këtu në foltore, z. Kryeministër. Qytetarët e këtij vendi presin nga ju që të betoheni përpara flamurit kombëtar, se kurrë nuk do të bëni pazar me një pjesë të territorit të Kosovës, se kurrë nuk do të pajtoheni që veriut të Kosovës t’i jepni autonomi.
* Autori është deputet i Kuvendit të Kosovës
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›