E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak dritë për familjen Kolziu dhe pinjollët e saj

19-11-2012 / Nga Martin Dedaj

Familja Kolziu trojet e para i ka patur në lagjen Fangje-Bulshar dhe origjinën nga shtëpia e “Dodës” - “Dodaj” në Orosh dhe ka patur titujt: “Plak-Vojvodë”, “Plak-Fisi” dhe është e ndarë në tre degë: Njëra ka qëndruar në Fangje-Bulshar tek kulla e vjetër dhe i përket familjes Gjokë Ndue Gjini (Kolziu) “Doda”, një ka migruar dhe është vendosur në Laç të Kurbinit dhe është familja e Nikollë Gjon Doda (Kolziu), dhe tjetra është e familjes  Ndrec Preng Kolziu i cili ka patur katër djem; Markun, Prengën, Gjonin dhe Gjergjin, e cila është vendosur për disa kohë në Kallmet të Lezhës dhe më vonë janë rikthyer në fshatin Livadhez të Oroshit të Mirditës. Familja Kolziu ka qenë njohur në krejt trevën e Mirditës si familje fisnike e pasur e bujare që diti të japë bukë, besë, burrëri dhe trimëri. Në luftën e Durrësit të ‘1914 njëri prej përfaqësuesve të kësaj familje, Llesh Çup Kolziu mori pjesë si luftëtar i bajrakut të Oroshit, që luftoi heroikisht dhe ra si bien trimat në ballë të luftës, duke mbetur i vrarë tek Ura e Dajlanit së bashku me shumë luftëtarë të tjerë Mirditas. Gjatë luftës së parë botërore në ‘1914-1918 në Rubik të Mirditës vritet një Oficer Austriak nga një banorë vendas. Komanda ushtarake Austriake e alarmuar për këtë, urdhëron arrestimin e vrasësit, arrestojnë mbi 70 burra të pafajshëm të zonës përreth. Një misionar katolik (Prifti i Rubikut me origjinë austriake) duke ditur mundësinë ekonomike të familjes Kolziu dhe marrëveshjes që prifti bëri me një përfaqësues të kësaj familje dhe konkretisht me Mark Ndrec Kolziun, u ra dakord me Komandën Austriake që, kundrejt pagesës në të holla dhe dëmshpërblimeve të tjera, të liroheshin banorët e pafajshëm. Nga ky veprim human i kësaj shtëpie ndryshoi dhe mbiemri i saj në krahinë, duke u quajtur prej asaj kohe e në vijueshmëri me emrin: “Shtëpia e Kaziut”.
Organizimi i rezistencës antikomuniste…
Pas ardhjes në pushtet të qeverisë komuniste të Tiranës në Nëntor ‘44, me qëllim kundërvënjen ndaj ortegut komunist, krerët e 12 Bajrakëve të Mirditës nën drejtimin e prijësit të derës princore të Gjonmarkajve, Mark Gjonmarkaj, formuan grupet dhe çetat e rezistencës antikomuniste. Me këto grupe të rezistencës antikomuniste u bashkuan edhe burrat e familjes Kolziu, vëllezërit Ded, Llesh e Ndrec Kolziu, si dhe nipi i tyre Preng  Kolziu, të cilët dhanë një kontribut vital në rezistencën antikomuniste e cila zgjati afro një dekadë, por që i kushtoi shtrenjtë trevës së Mirditës dhe viseve të tjera të Shqipërisë së Epërme. Mirdita u ndëshkua më shumë se çdo krahinë tjetër nga salvimi dhe persekutimi i regjimit të diktaturës komuniste ku vrasjet pushkatimet pa gjygj, burgosjet dhe internimet, dhe lufta e ashpër e klasave çuan gati deri në shpërftyrimin e identitetit historik të kësaj treve. Bijt më të mirë të këtyre anëve ndër ta edhe pinjollët e familjes Kolziu dhe familjet e tyre  qenë objektiv i këtij kalvari.
Persekucioni i familjes Kolziu…
Falangat e kuqe duke mos u mjaftuar me mënyrën e ekzekutimit të Ded Gjon Kolziut e Llesh Gjon Kolziut, përçudnimit të kufomave të tyre dhe varrosjes pa nam e nishan, vijuan dhunën dhe terrorin ndaj familjes Kolziu, një familje antikomuniste e cila përjetoj një kalvar të gjatë pushkatimesh pa gjyq, dënimesh, burgosjesh, internimesh, konfiskimesh e privimeve të tjera. Familjes Kolziu u konfiskohet pasuria, u digjen kullat në Bukmirë, kullën në Livadhëz e prishin dhe orenditë e saj i përdoren për shkollën e fshatit. Gjithashtu u konfiskohen pronat në Kallmet të Lezhës dhe u digjen banesat e atjeshme. Më pas arrestohet vëllai i vogël i kësaj familje Gjergj Kolziu, i cili dërgohet në burgun e Shkodrës, ndërsa të gjithë familjarët e tjerë internohen në  kampin famëkeq të përqendrimit në Tepelenë duke qëndruar aty deri më 30.12.1954, duke i detyruar të kryenin punë nga më të rëndat dhe pa pagesë. Në këtë kamp disa pleq e fëmijë vdiqën nga uria e sëmundje të tjera ndërkohë që, kalvari i vuajtjeve të familjes Kolziu vijon. Pjestarët e saj transferohen për në ish Kampin e internimit ne Pluk të Lushnjës e vijuar mbi ta përsekucioni e privuar nga e drejta e shkollimit, jetës normale duke i dërguar në punët më të vështira, kryesisht punë krahu për tharjen e kënetës së Myzeqesë. Persekucioni komunist dhe kalvari i gjatë i vuajtjeve mbi familjen Kolziu vijoi deri në agimin e demokracisë dhe pluralizmit politik në Shqipëri, kauzë e cila u mundësua falë lëvizjes historike të studentëve të Dhjetorit ‘90 dhe krijimit të Partisë Demokratike Shqiptare, duke bërë të mundur që familja Kolziu e shumë familje të tjera antikomuniste në Shqipëri të shohin dritën e lirisë dhe integritetit të tyre në shoqërinë e lirë Shqiptare. 
Pinjollët e familjes Kolziu…
Ded Gjon Kolziu (Kaziu), njëri ndër më të fisshmit e familjes Kolziu, u lind me datë 15 Nëntor 1907, në fshatin Livadhes-Orosh të Rrethit Mirditë. Ai u shqua për zgjuarsi dhe aftësi të mëdha komunikuese. Spikaste ndër moshatarët e vet dhe kapërcente përtej moshës që kishte, gjë që bëri të pranohej që në moshë të re si  anëtar i “Pleqësisë” së zonës. Nga ato që e kanë njohur, sot e kësaj dite tregohen dhe kujtohen mendimet e tij të pjekura e të drejta që jepte në log-kuvendet e burrave. Mendimi i tij padyshim ishte vendim i pleqësisë, pasi brenda tij kishte tharmin e të drejtës, paanësisë dhe forcën e argumentit, gjë që bënte të pranohej nga të gjitha palët. Në ‘43 Ded Kolziu zgjedhet Kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të fshatit Livadhes-Bukmirë të rrethit Mirditë. Në këtë detyrë ai dha një kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe mobilizimin e forcave në Ushtrinë N-Çl. Fillimisht rregjistron vëllain e vet, Lleshin në radhët e kësaj ushtrie e më pas këtij fronti i’u bashkuan edhe shumë bashkëfshatarë të tij. Kullat e familjes Kolziu u bënë strehë për ushtrinë N-Ç, si dhe bazë e rëndësishme në shërbimet ndihmëse ndaj saj. Kur në pushtet erdhën komunistët ashtu si dhe shumë familje të tjera të pasura e nacionaliste të Mirditës edhe familja Kolziu  ishte e pa dëshirueshme për moskovikët e kuq. Kështu që, Ded Kolziu në fund të muajt Dhjetor ‘45, braktis detyrën e kryetarit të këshillit të fshatit Livadhes-Bukmirë dhe del në mal, duke u bashkuar me organizaten: “Komiteti Kombëtar i Maleve” i krijuar më 25 Mars ‘45 në Zepë-Mirditë, rreth të cilit u mblodhen përfaqësues kryesisht nga vise të  Shqipërisë së Epërme, por harta e përfaqësmit shkonte deri në Elbasan e në Jug të vendit. Kryetar i këtij komiteti të rezistencës antikomuniste u zgjodh prijësi i Mirditës, përfaqësuesi i derës princore të Gjonmarkajve, Mark Gjonmarku. Më pas ky organizim mori emrin: “Organizata Shqipëria e Lirë”.
Me daljen e Dedës në mal familjarët dhe të afërmit e tij u internuan në kampin e internimit në Kuçovë-Berat. Ju konfiskohet gjithashtu një pjesë e pasurisë dhe u djegin Kullën në Bukmirë të Mirditës. Me vrasjen e kryetarit ndërkrahinor  të organizatës: “Komiteti Kombëtar i  Maleve”, Dr. Mark Gjonmarkajt në vendin e quajtur Bojdinë (Prosek-Mirditë)  më 14.06.1946, u bë e nevojshme për një organizim të ri. Kështu që, me 10.07.’46, në pyllin e Kreshtës (Mirditë), u bë një mbledhje ku morën pjesë afro 200 luftëtarë dhe 100 burra nga populli i kësaj krahine, ku mori pjesë dhe Ded Kolziu me anëtarë të tjerë të çetës së Oroshit. Në krye të “Komitetit Kombëtar të Maleve”, u vendos Llesh Gjonmarkaj, vëllaj i Mark Gjonmarkajt dhe u morën disa vendime të rëndësishme, ku shtrirja e këtij komiteti me organizime çetash të tjera në njësi më të vogla me synim shtrirjen në të gjithë territorin e rezistencës ishte parësore. Këtu Ded Kolziu u vendos të vazhdonte të ishte kryetar i një ndër çetave të rezistencës në zonën e Oroshit. Ndërkohë situata sa vinte e vështirësohej dhe kishin filluar konfrontimet luftarake ndërmjet fronit të rezistencës antikomuniste dhe pushtetit komunist që po instalohej. Më 31 Korrik ‘47 u vra nga forcat komuniste, Llesh Gjonmarkaj. Në këto rrethana fronti antikomunist organizon një mbledhje tjetër të rëndësishme, me 20 Gusht ‘47 në Kulme-Kthellë, ku ishte parashikuar të merrnim pjesë shumë krerë dhe përfaqësues fisesh. Por të diktuar nga rrethanat e kohës e pse jo edhe për  “ndonjë arsye të paarsye”, disa prej tyre nuk morën pjesë në të. Pavarësisht terrorit psikologjik dhe luftarak që komunistët ushtruan mbi popullsinë e krahinës e prijësit e tyre fisnik, mbledhja e Kulmes mundi të bëhet dhe ndër të paktët pjesëmarrës në këtë mbledhje ishte Ded Kaziu me grupin e tij, duke treguar kështu një akt sa trimëror por dhe burrëror e fisnik, si dhe vendosmërinë e tij për t’i shkuar misionit deri në fund. Në atë kohë me eliminimin e pinjollit të Mirditës Mark Gjonmarkaj dhe të disa luftëtarëve të tjerë mirditas,  komunistët e sapo ardhur në pushtet kishin filluar të merrnin terren. Më 15 Mars ‘49  në Qafë-Mollë të Mirditës, u bë një mbledhje tjetër ku u takuan grupet e luftëtarëve të Mirditës. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe grupi i Ded Kolziut i cili përveçse detyrave luftarake, kishte marrë edhe organizimin e sigurimit të ushqimeve, si dhe mbajtjen e lidhjeve me  luftëtarë të krahinave të tjera. Ded Kolziu në atë kohë ka pritur dhe siguruar mbrojtjen e parashutistëve të pare, Ndue Pjetër Gjonmarku, Gjon Gjinaj dhe Ndue Melyshi të cilët kishin ardhur në Shqipëri për të vendosur lidhjet me stukturat e organizatës së Frontit të Rezistencës. Gjatë gjithë kohës që qëndroj në male Ded Kolziu ishte shumë aktiv duke dhënë kështu një kontibut të rëndësishëm në luftën kundër instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri.  Pikërisht atëherë kur veprimtaria e tij ishte në kulmin e saj më, 24 Prill 1949 në përpjekje me forcat  e Sigurimit të Shtetit, mbeti i  vrarë Ded Kolziu në fshatin Kalur të Lezhës, duke lënë pas një histori dhe kontribut si një veprimtar trim, besnik dhe i vendosur në kauzën e tij antikomuniste. Forcat e errëta të Sigurimit të Shtetit edhe të vrarë e kishin frikë Ded Kolziun,  kufomën e të cilit  e perçudnuan duke e shëtitur nëpër fshatrat përrreth dhe në qytetin e Lezhës. Një akt ky më shumë sesa ç’njerëzor dhe i denjtë vetëm për kanibalët. Më pas kufomën e tij pasi e brodhën nëpër rrethin e Lezhës, duke terrorizuar banorët e krahinës e varrosën  në fshehtësi pa nam dhe nishan. Sipas disa burimeve të pakonfirmuara dhe dëshmive që kanë mundur të mbledhin të afërmit, kufomën e tij xhelatët e Sigurimit famëkeq të shtetit e kanë varrosur në bregun e Drinit, në afërsi të ish degës së punëve të Brendshme Lezhë. Ndërkohë që eshtrat e tij me gjithë përpjekjet e të afërmeve akoma edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur. Llesh Gjon Kolziu (Kaziu) u lind më 10.10.1920 në fshatin Livadhes-Orosh të rrethit Mirditë, në një familje të njohur nacionaliste e patriotike, e të pasur për atë kohë. Në ‘43 Lleshi u mobilizua në forcat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare në Brigadën e 17-Sulmuese ku u dallua si luftëtar i aftë e i përgatitur. Kjo Brigadë luftoi kundër pushtuesit nazi-fashist Gjerman në Shqipëri dhe në Kosovë. Pas çlirimit të vendit në nëntor ‘44, Lleshin e caktojnë me detyrë në forcat e ruajtjes së rendit në qytetin e Beratit, ku shërbeu aty deri në fund të muajt Korrik të ‘49 e më pas u lirua nga detyra për shkak se vëllai i tij Dedë Gjon Kolziu (Kaziu), vritet në muajn Prill ‘49, në përpjekje me forcat e sigurimit të shtetit. Kështu që Lleshi së bashku me vëllain e tij Ndrec Gjon Kalziu (Kaziu) e nipin Preng Ndue Kolziu (Kaziu) doli në mal pasi forcat e ndjekjes së Sigurimit famëkeq të shtetit i ndiqnin për ti eleminuar. Me datë 06. 08. 1949 në Molung-Lezhë u mblodhën 53 luftëtarë të lirisë ku mori pjesë dhe Llesh Kolziu. Në këtë mbledhje u vendos që disa luftëtarë të largohen për në Jugosllavi. Luftëtarët e lirisë që luftonin nëpër male duke parë se ndihmat me ushqime ishin pakësuar dhe populli ishte varfëruar e i terrorizuar pa masë nga pushteti komunist që po instalohej, vendosën vullnetarisht që të qëndrojnë vetëm disa grupe të vogla në malet e Shqipërisë, me qëllim mbajtjen ndezur luftën dhe rezistencën antikomuniste me betimin për qëndresë deri në vdekje. Ndër luftëtarët që vendosi të qëndroj në male ishte edhe Llesh Kolziu. Gjatë qëndrimit në male Llesh Kolziu u dallua si një luftëtar trim e besnik, gjithashtu ai u kujdes  për jetën dhe shëndetin e Dom Zef Oroshit të cilin e shoqëron deri në kalimin e kufirit për në Jugosllavi. Për të qenë i sigurt në misionin e tij ai dërgoj të vëllain, Ndrec Gjon Kolziu, i cili së bashku me disa luftëtarë të tjerë kaluan kufirin në kërkim të dritës së lirisë, pasi terri komunist kishte pllakosur vendin në Shqipëri. Monsinjor Zef Oroshi tek rrëfen episodet e jetës së tij në mal kujton: “Me grupin ishte e vështirë me e dallue mikun nga armiku, por si i thonë fjalës miku i mirë në ditë të vështira. Një i tillë ka qenë për mue Llesh Kolziu. Ai (Pastë dritë) më është gjetur si vëlla në të gjitha pikëpamjet përsa i përket mbrojtjes time. Dimri ishte i akullt por ne ishim veshur trashë dhe kjo na e bante udhëtimin të lodhshëm. Kur ecnim Lleshi vishte dy kapota, ndërsa kur merrnim një sy gjumë më mbulonte me dy kapotat që unë të ndjehesha mirë.”… Gjithashtu nga aktiviteti i jetës në mal të Llesh Gjon Kolziut (Kaziut), duhet veçuar edhe mbrojtja nga rreziqet e sigurimin e jetës së parashutistëve, Ndue Melyshi dhe Gjon Gjinaj që erdhën në Shqipëri për herë të dytë,me qëllim për të bërë lidhjen me qendrën dhe grupet e tjera antikomuniste krahinore nëpërmjet radiove transmetuese. Më 20 gusht të ‘51 luftëtarët mirditas:-Ndue Melyshi, Gjon Gjinaj dhe Llesh Kolziu, ranë në një rrethim. Pas luftimesh të ashpra, falë Zotit dolën nga rrethimi dhe i’u bashkuan grupit të luftëtarëve të tjerë antikomunist në Molung.  Më 26 Gusht ‘51 në një rrethim tjetër që i’u bë grupit të rezistencës antikomuniste gjatë udhëtimit Rubik-Velë pas shumë luftimesh të ashpra grupi arrin të dalë nga rrethimi… Por jo i plotë pasi aty mbetën të vrarë, Llesh Mark  Tuci e Nikoll Kola të dy këta luftëtar të shquar. Llesh Kolziu merr pjesë në mledhjen  e  9 Marsit ‘51 në Ungrej të Lezhës e cila i parapriu një mbledhjes tjetër të rëndësishme, asaj të krijimit të një force të organizuar ushtarake kundër regjimit komunist, mbledhje e cila u mbajt me 16 Mars ‘51, në pyllin e Molungut-Lezhë. Këtu u vendos formimi i Shtabit Drejtues Ushtarak të luftëtarëve të rezistencës, në të cilin zgjidhet edhe Llesh Kolziu. Shtabi Drejtues Ushtarak i dalë nga mbledhja e 9 Marsit ‘51 e vijoj veprimtarinë e tij në formë ushtarake deri më 11 Gusht ‘52, datë e cila shënon edhe pushimin e aktivitetit të këtij organizimi, pasi anëtarët e tij u burgosen dhe u ekzekutuan dhe vetëm një pjesë e vogël doli në mërgatë. Për rrjedhojë edhe rezistenca antikomuniste u shua. Me datë 25 Shtator ‘51 u mbajt një mbledhje tjetër në pyllin e Serrishtit në Kthellë të Mirditës. Në këtë mbledhje u vendos që, luftëtarët e rezistencës të qëndrojnë vullnetarisht në malet e Shqipërisë. Ndër ta ishte edhe Llesh Kolziu, i cili u përpoq të riorganizoj rezistencën antikomuniste, pasi ishin eliminuar pjesa më e madhe e grupit të rezistencës antikomuniste. Aktviteti i Lleshit kishte kohë që kishte krijuar shqetësim për organet e shtetit komunist, ndaj ishte vënë në shënjestër dhe ndiqej në çdo lëvizje, natyrisht me synim eleminimin me çdo kusht të tij. Me 13 Korrik ‘52 Llesh Gjon Kolziu (Kaziu) vritet në një përpjekje për t’i shpëtuar  forcave të brigadës së ndjekjes të shtetit komunist në fshatin Molung të rrethit Lezhë duke i prerë në mes jetën e tij dhe misionin fisnik për të cilin kishte dalur në mal, atë të rezistencës antikomuniste. Në këtë përpjekje së bashku me Lleshin kanë qenë edhe bashkëluftëtarët e tjerë, nipi Preng Ndue Kolziu, Llesh Marka Dod Gjini i Kthellës, dhe Ded Bardhok Gjini i Vigut, të cilët përjetuan me dhimbje e hidhërim të thellë humbjen e prijësit të tyre Llesh Kolziu. Të ndoshur në kushte disfavorizuese pasi edhe municioni dhe armatimi pothuajse u ishin mbaruar dhe për të mos rënë në duar të pritës komuniste, Preng Ndue Kolziu, Llesh Marka Dod Gjini dhe Dod Bardhok Gjini (Vig), vendosën unanimisht që të largohen nga Shqipëria për të vijuar misionin e tyre përtej kufijëve në shtetet e lirisë, me qëllim shpëtimin nga brenga e kuqe e komunizmit, që tashmë ishte vendosur në Shqipëri.
Kufoma e Llesh Gjon Kolziut u përçudnua rëndë, duke e shëtitur nëpër fshatrat e Lezhës dhe qytetet; Lezhë, Rubik dhe Rrëshen për 3-4 ditë me qëllim terrorizimin e popullsisë së këtyre zonave e për të treguar forcën e shtetit komunist që tashmë kishte vendosur forcën e diktaktit të tij edhe në viset e Shqipërisë së Epërme, pasi kishte mundur të shtypte rrezistencën antikomuniste që organizuan krerët dhe luftëtarët e këtyre anëve duke i vrarë, burgosur dhe internuar nëpër kampe të ndryshme internimi.
Episod rrënqethës
…Fëmijë të familjes Kolziu tregojnë se, kur po ktheheshin një ditë nga fshati Kryezes ku ishin për vizitë tek dajat e tyre shohin tek ura e Rubikut kufomën e njeriut të tyre të dashur Lleshit. E kur mbërritën tek Kulla e tyre në Livadhes njoftojnë nënën e Lleshit dhe nënat e tyre, se ishin tmerruar kur kishin parë kufomën e Lleshit dhe ishin terrorizuar sa s’ka ku shkonte më keq. Madje njëra nga vajzat e Dedës asokohe 15-vjeçare e quajtur Dilë e tmerruar nga kjo skenë u sëmur rëndë dhe pas pak ditësh vdiq. Forcat e ndjekjes erdhën tek kulla e Kolziut në Livadhes për kontroll armësh i thonë nënës së Lleshit (Marës) se: -Ta kemi vrarë Lleshin! Ajo u përgjigjet: -U vraftë zana se m’paski vra zemrën e shpirtin se Lleshi em, meqenëse nuk ishte me ju doli në mal. Komandanti i kundërpërgjigjet: -Kufomën jau hodhëm qenve. Ajo u përgjigjet: -Ashtu u hankshin dhe ju biro!... Komandanti i nevrikosur i jep një të shtyrë plakës duke e hedhur në fund të shkallëve, por njëra nga nuset u thotë: -Mosni mor katila ç’bani kështu se e sakatuat plakën. Ata i përgjigjen: -Rri e mos fol dhe i japin një të shtyrë dhe asaj dhe i thonë futu në bodrum e na nxirr armët. Nusja u përgjigjet: -Aty nuk futem e gjallë. Futuni e gjejeni ju po deshët, se armët nuk i mbajnë gratë por burrat mor…Thashtë zoti t’ju bien ballit Ju ato armë…Edhe kufomën e Lleshit pasi e dekdisin për 3-4 ditë nëpër krahinë, segmente të shtetit të diktaturës komuniste  e varrosën në fshehtësi të plotë. Sipas disa burimeve të pa konfirmuara e varrosën në Rrëshen tek vendi i quajtur Mani i Lal Ndreut në  afërsi të lumit Zme në Fushë-Lumth. Në nderim të tij dhe të martirëve të tjerë Mirditas që luftuan kundër regjimit komunist, qeveria Demokratike ka vendosur nje pllakatë përkujtimore në qytetin e Rreshenit në afërsi të Muzeut Hisorik të këtij qyteti.
Kujtesë…
…“Mbi 300 luftëtarë dhanë jetën e tyre heroikisht në rezistencën kundra diktaturës komuniste brenda dhe jashtë kufijëve të Shqipërisë, deri në shuarjen e plotë të kësaj rezistence për të cilin kam ndjesit shpirtnore e të pa harrueshme në jetën e malit. Atje bashkëjetuam pa strehë, në borë e akull, në stinën e dimnit e të nxehtit, pa ushqim e pa veshëmbathje, të vetmuar e në luftime të shpeshta kundra ushtisë së kuqe. E dhanë jetën heroikisht këta 300 e sa luftëtarë mbrojtës të traditave kombëtare dhe seicilit njeri. Ato luftuen si Spartan.  Dhe disa nga trupat e vdekun të tyre i zhdukën misteriozisht nëpër murana e shkretina nëpër malet e Shqypnisë! E eshtrat e tyne mund të pushojnë vetëm në çerdhet e shpezeve t’egra ndër male të Atdhelindjes së tyre, shkruan ndër të tjera në kujtimet e tij,  Nikoll Mëlyshi… Padyshim që njëri ndër këta spartanë është edhe Llesh Gjon Kolziu.
Vlerësimi
Këshilli i Qarkut Lezhë është deri tani institucioni I vetëm që ka vlerësuar aktivitetin e pinjollëve të familjes Kolziu, dhe konkretisht, për kontributin dhe aktivitetin e tyre me vendim Nr. 26 datë 07.09.2005 ka vlerësuar me titullin: “Nderi i Qarkut Lezhë” (pas vdekjes), Ded Gjon Kolziu (Kaziu), me motivacionin:-“Për pjesëmarrjen në radhët e ushtrisë N-Ç të popullit Shqiptar, si dhe në rezistencën antikomuniste, derisa kreu sakrificën sublime duke dhënë dhe jetën, në përpjekje me forcat e Sigurimit te Shtetit komunist” dhe me vendim Nr. 39, datë 10.09.2008 me titullin: “Simbol Qëndrese”, Llesh Gjon Kolziu (Kaziu), (pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut patriotik në luftën Nacional-Çlirimtare dhe si luftëtar i rezistencës antikomuniste”.
Ndërkohë që Shoqata Kombëtare Antikomuniste e ish të të Përndjekurve Politik të Shqipërisë, me shkresë Nr. 606 Prot datë 11.09.2012, i ka propozuar Presidentit të Republikës  për dekorimin e dy prej figurave më të spikatura të familjes Kolziu, njohur ndryshe edhe Kaziu, për kontributin e dhënë prej tyre gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare dhe pas saj, si dhe rezistencën antikomuniste të tyre,  dhe konkretisht të vëllezërve Ded Gjon Kolziu (Kaziu) dhe Llesh Gjon Kolziu (Kaziu).                                               
Epilog…
Ka ardhur koha që pluhuri i harresës kolektive mbi familjet dhe pjestarët e tyre që kanë dhënë kontribut, në rezistencën antikomuniste dhe që janë persekutuar gjatë rrezimit komunist, njëra ndër të cilat është edhe familja Kolziu, të fshihet njëherë e përgjithmonë dhe ato të vlerësohen e të vendosën në vendin që meritojnë. 100-vjetori i pavarësisë lë të shërbejë edhe si një prolog i udhënisjes së këtij misioni.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›