Mbi formimin e logjikës juridike te studentët e Drejtësisë
Kur pata filluar studimet universitare për Drejtësi në vitin 1987, në Fakultetin Juridik tregohej një histori. Diku, rreth 50 vjet më parë nga sot, një nga profesorët më të shquar të Drejtësisë së kohës, por që edhe sot mund të them se mbetet i tillë, Andrea Nathanaili, i qe drejtuar një studenti në provim: Përse vazhdon kot për Drejtësi? Ty të mungon logjika juridike, ose së paku, mos e ushtro këtë profesion. Dhe studenti i atëhershëm, pavarësisht se i përfundoi studimet, nuk e ushtroi…profesionin duke ndjekur këshillën e profesorit të mençur, por punoi diku tjetër, derisa doli në pension. E solla këtë detaj nga kujtesa e historive të fakultetit pasi flet shumë dhe qartë që në studimet për Drejtësi, ajo që është kryesorja dhe primarja është ekzistenca e logjikës juridike. Pa këtë logjikë nuk mund të mendohet një jurist, ose do të kemi një letër-jurist (diplomë), por jo një person jurist. Kjo vjen nëpërmjet rrënjosjes së botëkuptimit profesional juridik dhe ky botëkuptim vjen e arrihet nga puna e pedagogëve me studentët dhe e vetë studentëve gjatë gjithë periudhës së studimeve. Sot kemi gjyqtarë, prokurorë apo dhe avokatë që nuk e dinë se janë të tillë për shkak se nuk e dinë se çfarë është një gjyqtar, prokuror apo avokat, pikërisht për shkak të mungesës së botëkuptimit profesional dhe e shohin jurisprudencën jo si profesion, por si biznes. Kjo ka ardhur sepse nuk ka pasur një pedagog tu thotë se u mungonte logjika juridike dhe duhej ta linin atë zanat. Ndaj kjo kërkon ndërtimin e një fakulteti drejtësie në disa komponentë bazë, të cilat do të mundohem ti analizoj më poshtë.
Në ndërtimin e një universiteti, një punë kjo jo e thjeshtë, sipas përvojës sime në këtë fushë, duhen pasur parasysh tri standarde: e para, ndërtimi i programit të fakultetit sipas fushës përkatëse i detajuar në çdo element; e dyta, sigurimi i një staf-profesorati cilësor (kuptohet, ku përfshihet edhe një administratë ndihmëse e aftë), kur them profesorat cilësor kam parasysh gërshetimin e kulturës së lartë teoriko-profesionale me përvojën e gjerë praktike dhe të dyja këto të përfshira në programe dhe të shfaqura në syllabuse, ku një vend të gjerë zë edhe literatura alternative; e treta, një infrastrukturë moderne në të gjithë komponentët, universitete në kioska, vila apo kate pallatesh nuk duhet të ekzistojnë më as si koncept. Kur erdha në UET i gjeta këto standarde në nivel tepër të lartë dhe sidomos përsa i takon programit të Fakultetit Juridik si komponent më vete, duke u rritur si i tillë, pasi u reformua akoma më shumë në drejtim të përmirësimit dhe ngritjes së nivelit profesional.
Një nga problemet kryesore që hasen në një universitet është ndërtimi i programeve nëpër fakultetet përkatëse, cilësore dhe të themelta, që ti shërbejnë plotësisht studentit që kërkon të marrë njohuritë më të larta bazike të fushës përkatëse, pikërisht në nivel të tillë për formimin e atij që thamë më lart, botëkuptimit profesional, në rastin tonë juridik.
Në programet mësimore për fakultetet e drejtësisë, sidomos në vitet e dekadës së fundit, ka pasur jo pak luhatje. Kur programi 4-vjeçar u zëvendësua me atë 3-vjeçar, fillimisht u përfshinë 33 lëndë mësimore, mesatarisht 11 lëndë në vit. Më pas, për shkak të ngarkesës tepër të madhe, kjo u korrigjua në mënyrë thelbësore, duke u reduktuar në një numër më të vogël. Por, ky reduktim shkaktoi një konkurrencë për lëndët që do të përfshiheshin në të. Debatet kanë qenë të forta për shkak të botëkuptimeve të ndryshme për lëndët më kryesore e të rëndësishme, debate këto që edhe sot nuk janë mbyllur dhe, në fakt, sa kohë të ekzistojnë teoricinët, debatet nuk do të mbyllen ndonjëherë. Në thelb, debati është për mbizotërim të lëndëve me karakter më profesional, disa lëndëve të reja apo edhe të atyre që janë quajtur me karakter ndihmës.
Nuk jam aspak për mohimin apo nënçmimin e rëndësisë së disa prej tyre dhe mbivlerësimin e të tjerave, por kurrsesi nuk do të pranoja si një produkt të arsyes formuese reduktimin e lëndëve të tilla që përbëjnë bazën e njohurive juridike: civile, penale, kushtetuese, administrative. Më konkretisht, le të marrim një shembull: Lëndë të tilla ndër më kryesoret, si E Drejtë Civile (Pj. Përgjithshme), E Drejta e Pronësisë dhe E Drejta e Trashëgimisë), si mund të zhvilloheshin vetëm në një semestër? A mund të pranojë një jurist që në një semestër mësimor, teorikisht i barabartë me 15 javë mësimore, me gjithsej 45-60 orë mësimore (leksione, seminare dhe veprimtari tjetër praktike), të mund të zhvillohet normalisht procesi mësimor i tri lëndëve, njëra pas tjetrës: E Drejtë Civile (Pj. Përgjithshme), E Drejta e Pronësisë dhe E Drejta e Trashëgimisë)? Po të ndahen orët në 2/3 leksione e 1/3 seminare, del maksimum 40 orë leksione e 20 orë seminare, me kusht që sasia e plotë e orëve të jetë 60 orë. Sikur të jetë 45 orë numri i përgjithshëm, del 30 orë leksione e 15 orë seminare. Pra, secila lëndë duhet të zhvillohet brenda 10-13 orëve gjithsej. Nuk do ta quaja normale një kufizim të tillë, pasi nuk do të mund të bëhet fjalë më për fitimin e njohurive solide nga ana e studentëve. P.sh., vetëm tema për veprimet juridike kërkon të paktën 6 orë leksione dhe 3 orë seminare. Formimi i botëkuptimit kërkon kohën e tij, këtu nuk jemi në shkollën e Harry Poterit, me shkop magjik. U zgjata pak në këtë pikë për faktin se në UET është bërë një reformë e rëndësishme në këtë drejtim, duke u shtrirë këto programe në zgjatje kohore njëvjeçare akademike, duke u ndarë në lëndë të veçanta. Pra, kur ka dëshirë dhe vullnet për të bërë një punë të mirë, zgjidhjet gjenden, kuptohet, pa shkelur ligjin. Kjo solli një punë jo të vogël për pedagogët tanë, por ia vlejti sepse është në të mirë të studentit. Dhe them se kjo reformë do të vazhdojë vit pas viti shkollor, derisa të kthehet në një tradicion të fortë dhe të shërbejë si themel për hartimin e programeve në fakultetet e drejtësisë.
Si përfundim, mendoj se në tri vitet e para të studimit duhet të prevalojnë lëndët tipike profesionale, duke siguruar një ekuilibër të baraspeshuar ndërmjet tyre, në përpjesëtim me gamën e çështjeve që përmban secila lëndë. Për këtë, do ta quaja të nevojshme organizimin e një diskutimi ndërmjet pedagogëve më me përvojë dhe juristëve të shquar të të gjtha degëve të së Drejtës, pasi kështu mund të arrihet në një konkluzion më të drejtë e të saktë.
Një drejtim tjetër që ka vend të diskutohet është raporti midis lëndëve teoriko-formuese dhe atyre të ashtuquajtura aplikative, si dhe raporti midis mësimit teorik dhe praktikës mësimore.
Në vitin e parë të studimeve, mendoj që vendin kryesor ta zënë lëndët teorike e krahas tyre ato njohëse. Si lëndë teorike të pazëvendësueshme e quaj Teorinë e Shtetit dhe së Drejtës, kuptohet në përshtatje me kushtet e kohës. Pa përvetësimin e kësaj lënde, studenti hyn në vitin e dytë me njohuri të çala, sado i përgatitur e me rezultate të shquara të ketë qenë në lëndët e tjera. E them këtë, pasi jurisprudenca ka lidhjen më direkte me shtetin se çdo shkencë tjetër, kështu që pa studimin e kësaj lënde, studenti nuk arrin të formojë një botëkuptim të plotë e të saktë për shtetin e sidomos për të drejtën, që janë si dy anët e medaljes. Shkencat konkrete të së Drejtës nuk mund të japin njohuri shkencore të mjaftueshme për cilësitë dhe lidhjet që përbëjnë shtetin dhe të drejtën. Teoria e shtetit dhe e së drejtës, si shkencë juridike abstrakte, studion ato cilësi e lidhje të shtetit dhe së drejtës që janë të përgjithshme dhe themelore. Ajo nuk ka për qëllim, si rregull, të studiojë shtetin dhe të drejtën e një vendi konkret, por ato cilësi që ekzistojnë në të gjitha shtetet dhe të drejtat. Në këtë mënyrë ajo bën të mundur që në një shtet e të drejtë, konkrete të veçohen ato cilësi e lidhje që janë të përgjithshme e, rrjedhimisht thelbësore nga ato që
