Ipeshkvijtë Europianë në Tiranë, në kërkim të një gjuhe të re për të komunikuar Ungjillizimin e Ri
Në një rast të paprecedentë, ipeshkvijtë e Europës mblidhen në Tiranë për të diskutuar për Ungjillizimin e Ri, por edhe për të zgjedhur presidencën e re të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore.
Kryeministri Berisha: Mbajtja e Konferencës, nderim për kontributin e shqiptarëve në historinë e krishterimit
Tirana mblodhi dje presidentet e Konferencave Ipeshkvore Katolike të Europës, në një asamble plenare, e parashikuar të zgjasë 4 ditë (29 shtator-2 tetor). Është hera e parë që punimet e këtij organizmi kishtar, me qendër në St. Gallen të Zvicrës, zhvillohen në Shqipëri, me ftesë të kreut të ipeshkvijve shqiptarë, imzot Rrok Mirditës. Asambleja plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore Evropiane (CCEE) do të diskutojë për katër ditë për Ungjillëzimin e ri e sfidat e tij në kontinentin e vjetër, si edhe në tokën martire shqiptare do të zgjidhet presidenca e re e Këshillit. Tema kryesore ku do të përqendrohet i gjithë diskutimi i të pranishmëve, nga të paktën 33 vende të Europës është ungjëllizimi i ri dhe që sipas organizatorëve përbën një tregim të ripërtërirë të përçimit të ungjillit tek njerëzit, në një kohë kur ndryshimet e mëdha demografike të popullsisë, si dhe transformimi i teknologjisë së komunikimit ka kapur majat.
Në hapjen e punimeve morën pjesë Presidentit i Këshillit të Konferencave Ipeshkvore Evropiane (CCCE) Kardinali Peter Erdo, për Selinë e Shenjtë, kardinal Marc Ouellet, Prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë; Imzot. Ramiro Moliner Inglés, Nunci Apostolik në Shqipëri e delegatë të organizatave kontinentale si SECAM (Simpoziumi i Konferencës Ipeshkvore të Afrikës dhe Madagaskarit) dhe CELAM (Këshilli Ipeshkvor Latinoamerikan). Hapjen e punimeve e përshëndeti edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Punimet e Asamblesë u paraprinë nga një konferencë e posaçme për shtyp të organizuar nga Arqi-dioqeza Tiranë-Durrës, në të cilën Sh. T. Imzot Rrok Mirdita u shpreh se “tema e Asamblesë Plenare të KKIE do të jetë Ungjillëzimi i Ri. Kisha katolike në Europë e konsideron Shqipërinë dhe kishën katolike në Shqipëri si pjesë e vyer e këtij kontinenti. Ungjillëzimi i Ri, që do të thotë tregim i ripërtërirë i të njëjtit lajm të mirë të dashurisë së Zotit për njerëzit, që na ka zbuluar”. Fjala më pas i kaloi Presidentit të Këshillit të Konferencave Ipshkvore Evropiane (CCCE), Kardinali Peter Erdo, Aripeshkv i Budapestit, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, e cilësoi tolerancën fetare në Shqipëri si pikënisje e madhe, si një model që duhet njohur nga të gjithë. Kardinali Peter Erdo tha se duhet të kërkojmë gjuhë të reja për të komunikuar me Krishtin në Kontinentin e Vjetër. “për ne këtu në Europë, Ungjillëzim i ri do të thotë të rigjejmë Fjalën e mirë të Jezu Krishtit, në rrethanat e një shoqërie ndryshe, por që kanë rrënjë një kulturën Kristiane, megjithëse janë larguar nga mesazhi kristian”. Prandaj “një ungjillëzim i ri nga njëra anë, dhe në anën tjetër një rifreskim të identiteti kristian, dhe mbi të gjitha kërkim e një gjuhe të re për të përhapur më mirë këtë mesazh të mirë që Perëndia na ka dhuruar.
Fjala e mirëseardhjes së punimeve të Asamblesë të KKIE pati një emocion të veçantë nga Sh. T. Imzot Rrok Mirdita, i cili shqiptoi “Mirëseardhjen barinjve të Kishave të Europës të mbledhur në Tiranë për të reflektuar mbi Ungjillëzimin e Ri të Kontinentit të Vjetër”. Më tej Imzot Rrok Mirdita foli për “Mirënjohje për Hyjin, që i ka dhuruar popullit tonë këtë shtinë të re të lirisë, pas mundimit të gjatë të njërave prej diktaturave më të egra të historisë”. Ai i shprehu nderin e thellë kryeministrit Beriha për praninë në këtë Asamble Plenare të parë në Tiranë. Imzot Mirdita tha se “prania Juaj z. Kryeministër në hapjen e këtyre punimeve nuk është vetëm shenjë e vlerësimit personal kundrejt ndihmesës që jep Kisha për të mirën e vendit tonë, por edhe shprehje e fortë e shndërrimit të madh, që ka ndodhur në Shqipëri, ku, deri para njëzet vjetësh, e vetmja marrëdhënie që Kisha kishte me shtetin ishte ajo e martirizimit…forca e martirizimit që ka karakterizuar Kishën tonë gjatë shekujve gjendet në dashurinë e saj për Zotin”.
Të pranishmëve dhe kolegëve episkopalë, Imzot Rrok Mirdita u deklaroi se historia e kishës në Shqipëri nuk ka shkaktuar në bashkësinë fetare as mëri, as ndjenja përjashtuese. “Ajo ka marrë pjesë më një frymë të çiltër në ngritjen e tërë kombit në atë harmoni ndërfetare që është tipike e popullit tonë dhe që është njëra ndër vlerat më të mëdha që kemi për t’i ofruar si model Europës bashkëkohore dhe botës mbarë”, iu shpreh vëllezërve në Episkopat, Imzot Rrok Mirdita.
Megjithatë ai nuk la pa përmendur periudhën e gjatë të persekutimit që bashkësia katolike e kombit tonë ka pasur, çka ka dobësuar Kishën, duke e reduktuar në një numër të vogël priftërinjsh dhe rregulltarësh, domethënë atyre që u kanë mbijetuar burgjeve komuniste. “Megjithatë, ajo është e fortë në sajë të dëshmisë ungjillore deri në martirizim të bijve të saj”.
Në përfundim të fjalës së tij, Imzot Rrok Mirdita tha se “Kisha në Evropë e përjeton me shqetësim procesin e shekullarizimit të shpejtë të kontinentit. Kjo është arsyeja për të cilën Ati i Shenjtë Benedikti XVI ka themeluar Këshillin e Ri Papnor dhe që CCEE ka zgjedhur temën e Ungjillëzimit të ri për këtë plenare në të cilën duhet përkujtuar edhe dyzetvjetori i saj. Por nuk duhet të na mungojë guximi dhe besimi tek Provania hyjnore. Nëse, për shembull, dikush do të kishte thënë pak para 20 vjetësh se në Shqipëri do të predikohet shpejt Ungjilli, do të mendonim se fliste përçart. Kjo jo vetëm që ka ndodhur, por sot kam nderin të përshëndes të gjithë Kishën e Evropës të pranishme në Tiranë të përfaqësuar prej jush. Zoti e drejton historinë në shtigje të pashqyrtueshme. Nga Shqipëria, që deri para njëzet vjetësh ishte ateiste, do të shkojë drejt Evropës një përsiatje mbi ungjillëzimin e ri. Përvoja e mrekullisë së ndodhur që kemi përjetuar në Shqipëri, na mëson edhe një herë që të kemi besim tek ai. Ai që e ka themeluar Kishën, do t’i tregojë udhën e ungjillëzimit të ri. Duke ju drejtuar mirëseardhjen time, i kërkoj Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së vendit tonë, të Lumes Tereza të Kalkutës, bijës së kombit tonë, dhe martirëve shqiptarë, të na shoqërojnë nga qielli gjatë këtyre ditëve”.
Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Europës do të mbahet në Tiranë deri në 2 tetor. Mëkëmbës i Papa Benediktit XVI do të jetë imzot Salvatore Fisichella, i emëruar nga Papa në krye të dikasterit të sapoformuar në Vatikan.
Berisha për mbledhjen e CCEE-së: Ne komb i vogël, besimi është pasurimi ynë shpirtëror
Ungjillëzimi i ri, përhapja e lajmit të mirë, të shpëtimit përmes Krishtit dhe paqes që përhap ai, është tema që ka mbledhë në Shqipëri krerë të lartë katolikë nga 33 vende të botës. Në sesionin e hapjes së Asamblesë Plenare të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Europës, që do të vazhdojë katër ditë, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili, pasi shprehu mirënjohjen e tij për zgjedhjen e Tiranës si vendin e zhvillimit të kësaj Asambleje, theksoi se kjo është ngjarja më e rëndësishme në historinë e gjatë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Vatikanit, pas vizitës së Papa Gjon Palit II në prill të vitit 1993. "Duke përzgjedhur Tiranën dhe Shqipërinë për forumin tuaj të lartë keni nderuar kontributin e këtij kombi të vogël në historinë e Krishtërimit", tha Berisha, i cili shtoi se, që nga kohët e para themelimit të tij, Shqipëria ka dhënë kontributin e saj me mbrojtjen që i bëri Krishtërimit Skënderbeu, për të mbërritur tek Shenjtorja e mbarë njerëzimit, Nënë Tereza e Kalkutës. Por, theksoi Berisha, "me këte vendim keni bërë një nderim të madh dhe plotësisht të merituar të priftërinjve të kishës shqiptare, të cilët u martirizuan dhe dolën në mbrojtje të vlerave hyjnore që besonin". Berisha tregoi për vizitën historike të Papa Gjon Palit të II-të në vitin 1993, duke e cilësuar si një vizitë shumë kuptimplotë: atë ditë Papa konsakroi katedralen e Shkodrës, një nga katedralet më të bukura dhe më të mëdha të Ballkanit, ku regjimi e transformoi, por sërish ajo u shndërrua në katedrale dhe pati fatin të konsakrohej nga Papa Gjon Pali. Berisha kujtoi se po atë ditë u shuguruan 4 Ipeshkvët shqiptar që kishin bërë së bashku mbi 1 shekull burg, në burgjet e tmerrshme të diktaturës
Sipas kreut të Qeverisë shqiptare,"kjo konferencë është nderim shumë i madh për të gjithë klerin e Kishës katolike shqiptare dhe në mënyrë të veçantë për imzot Rrok Mirditën, i cili, krahas veprimtarive shqiptare, ndërmori një sërë veprimtarish nga më të shumëllojshmet për të lehtësuar dhimbjet e një populli të vuajtur", tha Berisha. Ai vlerësoi se në historinë e kulturës shqiptare rol kryesor kanë patur udhëheqësit e besimeve fetare, e në mënyrë të veçantë ata të kishës katolike, të cilët kanë shkruar dhe disa nga veprat më monumentale të letërsisë shqipe. "Ne jemi një komb i vogël, por thellë- thellë në shpirtin tonë ajo që kemi më të çmuar është respekti absolut te besimi për njeri tjetrin, pasi kemi gëzuar dhe festuar së bashku besimet dhe festat tona fetare, pasi i kemi konsideruar si pasurimin tonë shpirtëror. Në historinë e kulturës sonë rol më të veçantë kanë pasur udhëheqësit e besimeve fetare, sidomos ata të Kishës Katolike që kanë shkruajtur edhe librat e parë në gjuhën tonë. Në këto 19 vite në rrugën e lirisë ne kemi pasur një udhëtim jo të lehtë, kemi provuar dhimbje e sakrifica por ju garantojmë se ritmet e ndryshimet të këtij vendi janë më të shpejtat që keni dëgjuar ndonjëherë ", theksoi kryeministri.
Konferenca Ipeshkvnore Katolike e gjithë Europës për tre ditë rresht zhvillon punimet e saj. Gjithashtu gjatë këtyre ditëve do të paraqiten rezultatet e takimit të 11-të të Presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore dhe të takimit të 13-të të Ipeshkvijve të Kishave katolike të ritit Oriental. Gjatë takimit do të propozohet e do të diskutohet kalendari i aktiviteteve të Këshillit të Konferencave Katolike Ipeshkvnore Evropiane (ÇEE) për vitin 2012, mes të cilave do të nënvizohen: Simpoziumi i ardhshëm i ipeshkvijve të Afrikës e të Evropës (Romë, 13-17 shkurt 2012) dhe Kongresi mbi katekezën (Romë, 7-10 maj 2012).
Ç’është CCEE-ja?
Këshilli i Konferencave Ipeshkvore Evropiane (CCEE përbëhet nga 33 vende anëtare, si pjesë e 33 konferencave Ipeshkvore të pranishëm në Europë të përfaqësuara nga presidentët e tyre, Arqipeshkvit e Luksemburgut, të Principatës së Monakos, të Qipros maronite dhe nga Ipeshkvi i Kishinau-t. President i CCEE është Kardinali Peter Erdo, Arqi-ipeshkëv i Budapestit, Primat i Hungarisë; zv. Presidentët janë Kardinali Josip Bozonic, Arqipeshk i Zagrebit dhe Kardinali Jean-Pierre Ricard, Arqipeshkv i Bordosë.
Pak histori/ Në fund të Koncilit të dytë Vatikanit, me 18 nëntor të 1965 u mbajt një takim i presidentëve të 13 Konferencave Ipeshkvore Europiane. Ata u gjendën në një Komitet, të përbërë nga 6 delegatë të Konferncave Ipeshkvore, dhe një sekretar ndërlidhës, si detyrë për një bashkëpunim të Konferencave Ipeshkvore të Europës. Përgjegjësia i dha Monsinjor Roger Etchegaray. Me 23-24 mars të 1971 në Romë u konstitua Asambleja e CCEE-së. Prandaj këtë vit Asambleja përkujton me 40 vjetorin e saj. Gjatë kësaj Asambleje Plenare në Tiranë do të zgjidhet edhe presidenca e re e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore Evropiane për 5 vjecarin e ardhshëm (2011-2016).
20 vjetori i rilidhjes së Marrëdhënieve Shqipëri- Vatikan
Sigurisht kjo Asamble Plenare përkon me dy ngjarje historike. Së pari 40 vjetori i krijimit të Asamblesë së CCEE-së. Dhe së dyti shtatori i këtij viti përkon me 20 vjetorin e rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- Vatikan, dhe për rrjedhojë ringjalljen e gëzueshme të Kishës në Shqipëri. Siç shkroi para dy ditësh edhe ish-Ambasadori ynë në Vatikan, z. Zef Bushati, “Pas Luftës së Dyte Botërore, me ardhjen e komunistëve në fuqi, u vështirësua shumë veprimtaria e kishës katolike në Shqipëri. Shkollat e seminaret katolike u mbyllen, disa ipeshkëv e priftërinj u vranë dhe shumë klerikë u arrestuan. Në vitin 1967 Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë. Kjo solli si pasojë mbylljen e 2,169 kishave dhe xhamive. Nga 7 ipeshkëv dhe rreth 200 priftërinj e 200 murgesha, që kishte në vitin 1945, mbijetuan vetëm një ipeshkëv dhe rreth 30 priftërinj e po aq murgesha, të gjithë tashmë të moshuar dhe me shumë vite burgu mbi supe”.