E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një Europë më të integruar

19-04-2013 / Nga Ilirian Dahri

Në një situatë europiane ekonomike jo shumë të lehtë ka shumë vende jo Europiane që kërkojnë të përfitojnë pikërisht nga gjendja e krijuar. Këto vende po vazhdojnë me një lloj sulmi ekonomik mbi Europën, duke e vendosur madje edhe në qendër të diplomacisë së tyre tregtare. Nga ana tjetër dihet tashmë prej kohësh që vendet aziatike kanë filluar një fushatë blerjesh në kontinentin e vjetër. Firmosja e një Traktati të parë të shkëmbimeve të lira mes një vendi europian dhe një vendi aziatik ndërkaq ka ndodhur. Një Traktat i firmosur nga një vend europian, si Islanda dhe një vendi aziatik, si Kina. Marrëveshja është firmosur në Pekin dhe në qendër të saj është vënë bashkëpunimi në sektorin energjetik pa harruar eksplorimin e burimeve të naftës në bregun veriperëndimor të ishullit sidomos në zonën Dreki. Natyrisht kinezët pretendonin akoma dhe më shumë nga kjo marrëveshje, duke kërkuar lëvizjen e lirë të punëtorëve aziatikë, që europianët nuk kanë pranuar edhe pse 90% të eksporteve (të peshkut) shkojnë drejt Kinës. Sidoqoftë nuk ka qenë një marrëveshje e nënshkruar lehtë po të kujtojmë se dy vendet kanë punuar për të prej gjashtë vjetësh dhe negociatat u bënë më të shpeshta sidomos pas falimentimit të tre bankave islandeze. Nga ana tjetër Islanda ka një marrëveshje të shkëmbimeve të lira me Bashkimin Europian dhe në tërësi 83% e eksporteve të saj përfundojnë në hapësirën ekonomike europiane që përveç 27 vendeve përfshin edhe vende të tjera europiane. Me firmosjen e këtij Traktakti autoritetet kineze duket se janë të gatshme për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë që ju ofron kriza ekonomike e Europës. Ndërkaq flitet se pre e këtij sulmi ekonomik mbi Europën janë edhe dy firmat gjermane, Kion dhe Putzmeister. Këto blerje agresive nga ana e kinezëve konsiderohen si investime direkte në dalje nga Kina dhe nuk janë pak, por plot 69% në një kohë që  në vitin 2011 ishte 59%. A mund të ndryshojë situata ekonomike europiane vetëm nga investimet direkte të Kinës? Autoritet europiane natyrisht nuk janë të shqetësuar për këtë por po kërkojnë që Europa t’i gjejë zgjidhjet brenda saj. Shqetësimi kryesor i Eurozonës në kushtet aktuale janë bankat dhe po kërkohet që bankat e disa vendeve europiane të japin hua me një taksë interesi të arsyeshëm në të kundërt pasojat për eurozonën do të ishin shumë të rënda. Vetë presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi ka deklaruar gjatë një takimi të zhvilluar në Amstërdam se: “Pjesa më e madhe e masave konvencionale që kanë përshtatur bankat qendrore në botë janë shumë të ngjashme” duke shtuar më tej se Banka Qëndrore Europiane vepron në një kontekst të veçantë me 17 vendet. Nga ana tjetër presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi ka kujtuar edhe njëherë tjetër se çelësi i zgjidhjes së krizës europiane është rikthimi i kompetivitetit. “Duke operuar në një kontekst të bashkimit monetar, e vetmja rrugë për të rigjetur kompetivitetin është që  të ndiqet në mënyrë të vendosur dhe ambicioze një axhendë reformash strukturore” – deklaron Super Mario duke vazhduar se sipas tij një aspekt tjetër është edhe “lufta e interesave që pengojnë konkurencën, dobësitë strukturore të prodhimit”. Por edhe për vetë presidentin situata nuk është nga më të mirat. Gjatë një takimi të zhvilluar në parlamentin europian është vënë re se kishte më shumë të pranishëm në podium sesa në sallën e parlamentit dhe për më tepër këta të fundit konsideroheshin si euroskeptikë. Sidoqoftë presidenti i Bankës Qendrore europiane nuk është ndalur madje ka qenë i vendosur në fjalën e tij drejtuar deputetëve të paktë (pesëdhjetë prej tyre) duke deklaruar se: “Banka Qendrore europiane nuk mund të bëjë gjithçka, për të gjithë, në çdo moment. Nuk është çështje guximi, por po përpiqet që të respektojë mandatin që ka».  Presidenti i Bankës Qendrore Europiane ka deklaruar se nga ana tjetër pritet që të ketë një rritje graduale të aktivitetit të eurozonës sidomos në gjysmën e dytë të vitit. I cilësuar hera – herës (sidomos nga euroskeptikët britanikë) si një “kriminel lufte” presidenti ka kërkuar aplikimin e rregullave të reja të qeverisjes, ka kërkuar një Europë më të integruar dhe mbi të gjitha ka kërkuar që të ecet me shpejtësi drejt bashkimit bankar. Në fund ka kërkuar që edhe qeveritë e vendeve europiane të angazhohen akoma dhe më shumë në zgjidhjen e problemeve të tyre ekonomike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›