Fantazmat e Kmerëve të Kuq në oborret tona
Si qytetarë që duam përparimin demokratik në vendit tonë jemi të indinjuar nga akti terrorist e hakmarrës i kryetarit të PS Edvin Rama me anën e një turme provokatorësh me britma të egra e parulla fyese nën dritaret e shtëpisë së familjes së nderuar të deputetit Kastriot Islami, për të cilën fqinjët kanë respekt të veçantë. Nga këto thirrje, banorët e pallatit shihnin të shqetësuar në dritare pjesëmarrësit e asaj turme të çoroditur. Të tjerë dilnin nga pallati dhe largoheshin nga sheshi. Ndërkaq ata që e mbanin veten për të rinj, ku nuk mungonin kasketat e nostalgjikëve të një kohe të perënduar, kishin pamjen e një grupi të droguarish e pijanikësh, mesa kuptohej të mbledhur nga tipa si Saimir Tahiri nëpër skutat e rrugëve e kafeneve. Edhe këtë herë prapa tyre si përherë strukej kryetari i gafave Edvin Rama i Partisë së kuqe me maskë rozë, i cili po ecën nëpër një udhë pa krye, i ndjekur nga deputetë që nuk votojnë, ku shquhen Gramoz Ruçi me avokatinë nervoze në mbrojtje të antiligjit, Saimir Tahiri i shpifjeve, Taulant Balla i skandaleve, Gazmend Bizhga i kërcënimeve fizike dhe beqari i pashpresë, kokëçini Ilir Bejtja, me shokë. Pra, hakmarrja e verbër pas ndëshkimit nga byroja e parlamentit, doli sërish nga salla në rrugë.
Këto veprime na kujtojnë egërsitë e kmerëve të kuq që shkretuan dikur kryeqytetin e Kamboxhias. Këta prishës të qetësisë në Kuvend, në sheshe e bulevarde, pasi mbledhin njerëz të udhës tani po u sulen lagjeve e rrugicave me qëllime të mbrapshta. Si është e mundur të lejohen sjellje si këto e atyre që ngjiren duke folur për ligje e të drejtat e njeriut. Në cilin shtet demokratik të botës lejohet të hysh me zhurmë në mjediset private, ku banorët e tyre pushojnë pas punës, në shtëpitë e tyre? Skenari ishtë i qartë. Rolet ishin ndarë qysh më parë ndërmjet autorit Edvin Rama, spiffiest-it të gjobitur Saimir Tahiri dhe dinakes Elisa Spiropali. Gjithkush teksa lexon thirrjen e “FRESSH njësia 5”, parullat e zeza me britma histerike prej kmerësh të kuq nga pleq nostalgjikë e të rinj kinse eurosocialistë të stërvitur për një veprim të tillë dhe mohimin e turpshëm nga Elisa Spiropali për organizimin e tij, bindesh sesa poshtë ka rënë moralisht një parti që pretendon se është e madhe. Lexoni njoftimin e saj: “Përshëndetje të rinjtë e FRESSH Njësia Nr. 5! Ju njoftojmë se sot në orën 18:00 do të zhvillohet një protestë pranë shtëpisë të deputetit Kastriot Islami, te gjimnazi i përgjithshëm ‘Petro Nini Luarasi’, ku do jetë i pranishëm dhe kryetari i Partisë Socialiste Tiranë, Sajmir Tahiri! Pas zhvillimeve të djeshme në Parlament, besoj se e kuptoni rëndësinë e pranisë tuaj në këtë protestë. Lajmëroni dhe miqtë tuaj!”. Ndërkaq Elisa Spiropali pa iu skuqur faqja duke mos harruar të shtrembërojë me cinizëm të vërtetën deklaroi: “FRESSH nuk ka organizuar asnjë tubim para shtëpisë së zotit Islami. Ata janë qytetarë të indinjuar që janë vetorganizuar” (?!)
Me të drejtë z. Islami e cilësoi atë veprim të PS si një presion psikologjik të organizuar nga kryetari socialist Rama teksa u shpreh: “Ftoj kryetarin Rama që të jetë i kujdesshëm. Ishte vetë ai që më ka përjashtuar dhe tashmë unë jam i lirë të ushtroj të drejtën time për të vendosur. Do jetë publiku ai që do të vendosë se cili nga ne të dy ka të drejtë. Protesta e FRESSH ishte e karakterit të presionit psikologjik, e papranueshme kjo për një njeri që kërkon të bëhet Kryeministri i Shqipërisë. Konflikti në Kuvend mes deputeteve të PS dhe tre të larguarve nga ky Grup Parlamentar ishte i organizuar nga zoti Rama”.
Gjatë këtyre viteve të suksesshme kemi numëruar kundërshtime të shumta inatçore nga PS, për gjithçka të arritur nga qytetarët tanë, në qytet e fshat, falë nxitjes e ndihmës së fuqishme të Qeverisë Demokratike; kundërshtim për njohjen e rezultateve të votimeve qysh nga viti 2005; me Gramoz Ruçin në krye; kundërshtim për anëtarësimin në NATO, Europën e Bashkuar e lëvizjen e lirë; kundërshtim për privatizimin, infrastrukturën, hidrocentralet, gazifikimin e vendit, investimet e huaja, zhvillimin e ekonomisë rurale, gjelbërimin, turizmin, rritjen e pagave e pensioneve, modernizimin e ushtrisë; kundërshtim për rishikimin e historisë, për pasurimin e gjuhës në zhvillim mbi baza shkencore, shtimin e shkollave të reja, madje edhe për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë.
Shumëkush pyet, si nuk u shporrën nga jeta politikë disa nga kuadrot e dikurshme, të cilët sado të krrusur nga mosha e bëmat e tyre në kohën e diktaturës, tani të varfër në mendime mësojnë mbrapsht bijtë e nipat e tyre për integrimin e Shqipërisë në Europën e Bashkuar.