E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një Mitrovicë të gjelbër

Në qytetin e Mitrovicës, më datën 8 dhe 9 korrik, do të organizohet festivali i muzikës “GREEN”, i cili synon të rrisë vetëdijen për një mjedis më të pastër. Nga Alfred Beka më 04 korrik 2011 në ora 12:27

Mitrovica do të bëhet me festival të muzikës. Tingujt e muzikës rok do të jehojnë në qytetin e ndarë, për të sensibilizuar qytetarët që ta mbajnë ambientin e pastër.

Festivali i muzikës “GREEN”, i cili organizohet për herë të parë në Mitrovicë, do të mbahet me datën 8 dhe 9 korrik. Ideja e kamotshme për të organizuar një festival të zhanrit rok tashmë ka gjetur mbështetjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës dhe subjekteve tjera, andaj tash e tutje ky aktivitet do të ketë karakter tradicional.

Mitrovica tashmë njihet si qytet i rokut dhe si qytet prej nga kanë dalë emra të mëdhenj në skenën muzikore dhe tradita nuk ka ndaluar me aq, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit nga puna e palodhshme e Shkollës së Rokut (Mitrovica Rock School) në Mitrovicë, e cila dita ditës po nxjerr bende të reja.

Përmes një komunikate për media, të dërguar nga asociacioni 7 arte, bëhet e ditur se festivalin ‘Green’ do ta hapë këngëtarja e re Blerta Kosova, anëtare e bendit “The frames”.

Përveç argëtimit, festivali synon të rrisë vetëdijen dhe të sensibilizojë opinionin kosovar për përkujdesje dhe vëmendje më të madhe ndaj mjedisit. Kosova, e në veçanti qyteti i Mitrovicës, ka nevojë për një mjedis më të pastër, andaj ky aktivitet do të shërbejë edhe si thirrje e artistëve për një botë të blertë.

Sipas komunikatës së dërguar, thuhet se këtë festival e kanë nderuar me pjesëmarrje këto bende dhe artistë: Genc Salihu, The Freelancers, Sus4, Cipa & Band, Gipsy Groove, The Frames, Vedat Ademi, Me Tnjofshem, The Collective, Gillespie, Jokers, Plot, The Glasses, Freak Week, Garazhat e Bardha, si dhe: Dj Doroci, Dj Ardeep, Dj Neritani.
“GREEN” do të ofrojë kryesisht muzikë rok, ndërsa programi do të pasurohet edhe me zhanre tjera muzikore. Ky organizim shërben edhe si promovim i festivalit po me të njëjtin emër, GREEN music festival 2012, i cili do të mbledhë edhe bende ndërkombëtare. Në kujtim të rok bendit mitrovicas që la gjurmë në muzikën shqipe, GREEN 2012 do të ndajë çmimin më të lartë të festivalit, “MAK”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›