Aleksandër Mosiu, Përse nuk flet shqip kryeroli Fedja Protasovit
Figura e Fedja Protasovit, e interpretuar 1200 herë nga titani i skenës europiane e botërore, Aleksandër Moisiu, nuk është interpretuar asnjëherë në skenat tona në gjuhën shqipe. Personazhi i Protasovit u zbulua në vitin 1911 vetëm pak muaj pas vdekjes se Leon Tolstoit, ku menjëherë u përhap lajmi se ndër veprat e pabotuara të tij, u gjet edhe dorëshkrimi i dramës “Kufoma e gjallë”. Teatri i Artit i Moskës kish marrë nga trashëgimtarët, kundrejt shumës prej 10 000 rublash, të drejtën për shfaqjen e parë. Teksti i dramës u publikua më 23 shtator 1911, në 200 kopje dhe u shit brenda pak orësh. Drama iu dha njëkohësisht edhe teatrit “Aleksandrovski” të Petërburgut që e inskenoi 5 ditë më pas.
Roli i Fedja Protasovit, protagonist i dramës, ishte esencial në suksesin e veprës në vitet 1911-1912 në Europë: Berlin, Londër, Romë, Paris, Kopenhagen, Pragë, por edhe në Amerikë. Aktori shqiptar Aleksandër Moisiu në vitet ‘20 çoi në Moskë e Leningrad Fedjan e tij, me një kompani të vetën, pasi kishte triumfuar në Europë edhe më 1913-ën, me regjisor Max Reinhardt-in. Moisiu recitonte në rusisht “Kufomën e gjallë”. Rusia i ra në gjunjë Moisiut. Ndërsa Moisiu u ul në gjunjë para varrit të Leon Tolstoit. Ky do të ishte kryeroli i tij, që i hapi rrugë të madhit aktor shqiptar Aleksandër Moisiu. Por Fedja e A. Moisiut është mishërim i anarkistit mistik, i rebelit pasiv, i rusit të dëshpëruar që nuk i kundërshton së keqes, sipas parimit kristian. Aleksandër Moisiu e interpretoi Fedjan edhe në gjermanisht, italisht, anglisht. Çdo gjuhë mbartte për të një shpirt të veçantë, prandaj drama u luajt 1200 herë, për 1 milion e gjysmë spektatorë në botë. Moisiu si poet i skenës këndonte edhe duke folur. Zëri i tij akordohej përsosmërish me notën e kristaltë. Ishte një zë plot melankoli e trishtim te kënga cigane e aktit II. Kështu i dha figurës së Fedjas jetë, forcë, protestë, dhimbje, interpretim dinjitoz, ku lartësohet ndershmëria e njeriut të thjeshtë dhe stigmatizohet kotësia, falsiteti i jetës. Sipas kritikëve të kohës, Moisiu kishte një diksion të përsosur, intensitet të padëgjuar recitimi, zë melodik me nota tenori, zë magjistari gjarpërinjsh, gjeste klasike shprehëse e të ndjera në lartësi fantastike e në të cilat duket mendimi i pasqyruar, para se të zbulohet në fjalët e shqiptuara. Jo patos i ekzagjeruar, por natyrshmëri e rrallë e thjeshtësi. Të tilla cilësi e frymëzuan Fritz Kreuzig-un për t’i kushtuar aktorit të madh në vitin 1919 sonetin “Fedja i Moisiut”. Të frymëzuar nga interpretimi brilant i aktorit shqiptar, me këtë dramë u mor edhe kinematografia. Në fillim, më 1911, ku janë ruajtur vetëm 55 sekonda film. Një film i dytë u xhirua më 1917 nga një kompani private. Më i rëndësishmi ishte filmi i xhiruar në Berlin më 1929, me regji të F. Ocep e skenografi të poetit “imazhinist” Anatolij Marengof. Rolin e Fedjas e interpretonte V. Pudovkin, regjisor i madh. Me regji të V. Vengerov-it kemi një realizim të katërt kinematografik në vitin 1969. E suksesin e një vepre që u ndriçua nën interpretimin e aktorit shqiptar Aleksandër Mosiu nuk kemi patur rastin asnjëherë ta shohim në një skenë shqiptare. Por a ka Shqipëria sot aktorë që të mund ta interpretojnë një kryerol të Aleksandër Moisiut, Fedja Protasovin, protagonistin e dramës “Kufoma e gjallë”, e Leon Tolstoit? Do të ishte një homazh i bukur, një ringjallje artistike e figurës së mishëruar përsosmërish nga aktori ynë i madh e i pavdekshëm. Nga ana tjetër, një dramë e tillë nuk mund të konsiderohet më problematikë e tejkaluar, pasi edhe te ne sot fatkeqësisht ndodhin ngjarje të rënda, tragjike, që reflektojnë mungesën e perspektivës për “njerëzit e tepërt” të kohës sonë. I shohim jo rrallë në faqet e para të gazetave që kërkojnë sensacione.
Shpëtim Kodra