Kuliçaj: Përparësi zbardhjes së vrasjes së ish-deputetit Xhindi
Një ndër prioritetet për vitin 2010, ndonëse është ndjekur me përparësi edhe përgjatë këtyre muajve, është zbardhja e vrasjes së ish-deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi. Deklarimi ka ardhur dje gjatë analizës së punës së Departamentit të Hetimit të Krimit nga zv.drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. “Është vlerësuar dhe është ndjekur me përparësi të veçantë vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Grupi i punës me përbërje të oficerëve të policisë dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda është duke punuar intensivisht për këtë çështje”, - ka theksuar për krimin e rëndë z. Kuliçaj. Më tej, në fjalën e tij, ai u shpreh se “duhet evidentuar fakti se gjatë këtij viti nuk ka pasur vepra të rënda terroriste, gjë që flet për një rritje të parametrave të sigurisë në vend, të zvogëlimit të rrezikut terrorist ndaj vendit tonë, por edhe për një punë të kualifikuar të strukturave kundër terrorit në vlerësimin e ndjekjen e informacioneve me theks parandalues për këtë veprimtari kriminale”. Sipas Kuliçajt, nga ana e këtij sektori kanë vazhduar hetimet dhe janë në gjykim organizata kriminale e “Bandës së Lushnjes”, grupet kriminale të “Bandës së Cërrikut” dhe “Qafë Gjashtës”, ndjekja e krimeve të vjetra, kryesisht vrasjet ndaj punonjësve të policisë dhe goditja e grupeve kriminale që kanë kryer këto vrasje.
Sekuestrot
Gjatë vitit 2009, Policia e Shtetit ka sekuestruar 5 milionë euro të aseteve nga subjektet kriminale. Një goditje i është dhënë edhe krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike, si rezultat i bashkëpunimit me vendet e tjera. Për sa i përket hetimit të vrasjeve të ndodhura në vend, nga 79 vrasje të evidentuara, 52 prej tyre kanë ndodhur për shkak të motiveve të dobëta. Ndërkohë që për hakmarrje ka pasur vetëm një vrasje gjatë vitit 2009, ndërsa gjashtë të tjera kanë ndodhur për motive pronësie. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, i vlerësoi si shumë optimalë treguesit e arritur gjatë këtij vitit, të cilët janë rezultate krahasimisht më të mira në raport me vitet e mëparshme. Gjatë prezantimit të analizës për Departamentin e Hetimit të Krimit merrnin pjesë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe drejtues të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit në Shqipëri, e oficerët e kontaktit të vendeve të tjera. “Këtu nuk shkon fjala vetëm tek treguesit statistikorë, por më së shumti për ndikimin që kanë dhënë dhe japim objektivat që shteti shqiptar ka marrë para partnerëve ndërkombëtarë, si dhe puna për integrimin e Shqipërisë në BE. Në fokus të gjithë veprimtarisë sonë, ashtu si edhe gjithë Policisë së Shtetit, kanë qenë detyrimet që vendi ynë ka për procesin e liberalizimit të vizave, plotësimin e gjithë kuadrit të udhërrëfyesit për këtë qëllim, lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si fenomenet më të rrezikshme të një shoqërie demokratike, lufta kundër gjithë formave të krimit ekonomik, duke tentuar të jemi një polici e denjë për t’u rreshtuar në krah të parterëve tanë euro-atlantikë”, - u shpreh ai gjatë prezantimit të analizës. Po ashtu, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit evidentoi faktin se rritja e treguesve të punës dhe performancës së punonjësve të saj, ilustrohet me faktin se për të disatin vit rresht, vrasjet në Shqipëri mbahen me rendin dyshifror, por ky vit përbën rekordin e tyre. Kuliçaj vlerësoi gjithashtu kontributin e gjithsecilit punonjës policie të strukturave të Hetimit të Krimit, si dhe sakrificat që këta punonjës kanë bërë në luftë me të keqen, duke u ndalur në mënyrë të veçantë dhe vlerësuar kujtimin e atyre punonjësve të këtij departamenti që nuk janë më midis nesh.
Lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave
Lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave vazhdon të mbetet një nga prioritetet më të rëndësishme. Në analizën e Departamentit të Hetimit të Krimit theksohet se gjatë vitit 2009 janë evidentuar 1.646 vepra penale dhe janë zbuluar 1.610 prej tyre, ose 97.8 %. Gjithashtu, gjatë viti 2009 janë implikuar 2049 autorë, nga të cilët 299 të arrestuar dhe të ndaluar, 1721 të proceduar në gjendje të lirë dhe 12 në kërkim. Gjatë vitit 2009 në krahasim me vitin 2008 janë evidentuar 884 vepra penale më pak dhe janë proceduar 574 autorë më pak. Vlera e aseteve të sekuestruara, referuar të dhënave zyrtare gjatë analizës, janë 5 milionë euro, 4 milionë të sekuestruara nga pastrimi i parave dhe 1 milion të sekuestruara nga mallrat kontrabandë dhe prodhimet e paligjshme. Gjatë 11 muajve të vitit 2009 janë goditur 24 grupe me mbi tre autorë të dyshuar dhe janë organizuar 38 operacione policore nga 40 grupe dhe 38 operacione policore të goditura dhe të realizuara në të njëjtën periudhë të vitit 2008.
Krimet kundër personit, vrasjet
Gjatë këtij viti janë evidentuar 79 vrasje dhe janë zbuluar 70 ose 88% e tyre. Janë evidentuar dhe 7 vrasje nga pakujdesia. Vërehet një ulje e numrit të vrasjeve me dashje, me 9 vrasje më pak në krahasim me vitin 2008, si dhe rritje e fuqisë zbuluese me 6%. Janë kryer 52 vrasje për motive të dobëta nga 58 të ndodhura në vitin 2008. Ka ndodhur 1 vrasje me motiv hakmarrjen, 6 vrasje për motive pronësie nga 4 të ndodhura në vitin 2008, 16 vrasje në familje nga 17 të ndodhura në vitin 2008, si dhe 1 vrasje me motiv gjakmarrjen nga 5 të evidentuara në vitin 2008.
Vrasje të mbetura në tentativë
Në bazë të analizës, vrasje të mbetura në tentativë kanë ndodhur 211 dhe janë zbuluar 202 ose 96% e tyre. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë evidentuar 231 vrasje të mbetura në tentativë dhe janë zbuluar 219 ose 95% e tyre. Sipas analizës, krahasuar me një vit më parë ka pasur një ulje të numrit të veprës penale të tentativës së vrasjes me 20 raste më pak.
Arrestimi i personave në kërkim
Gjatë vitit 2009 janë kapur 1.483 persona në kërkim, ku për krimin e vrasjes rezultojnë të jenë 78 persona nga 54 persona për vrasje të kapur në vitin 2008. Në këtë drejtim, u theksua në analizë, vlen të përmendet kapja dhe ekstradimi i disa personave shumë të kërkuar për vepra të rënda penale si Aldo Bare, Selami Hasanaj, Astrit Bushi dhe Gramoz Yzeiri.
Operacionet më të spikatura
* Operacioni “Kryqëzimi i plepave”, më 26.11.2009, ku janë arrestuar 3 persona për “trafikim të armëve dhe municioneve luftarake” dhe u sekuestruan pushkë me dylbi, 4 armë gjahu, fishekë të tipeve të ndryshme.
* Operacioni “Onufri”, më 15.11.2009 ku u arrestuan në flagrancë 3 persona për “trafikim të veprave të artit” dhe u sekuestruan disa vepra arti.
* Operacioni “Targa e falsifikuar” nga 12 deri 16 nëntor në gjithë territorin e vendit, për goditjen e trafikimit të mjeteve motorike, ku janë verifikuar 2.700 automjete, nga të cilat 37 rezultuan të vjedhura.
* Operacioni “Aksidenti”, ku janë arrestuar në flagrancë 3 persona për “trafikim të armëve dhe municioneve luftarake” nëpërmjet Kosovës në Shqipëri dhe u sekuestruan 5 armë zjarri pistoleta.
* Operacioni “Pranvera” ku janë arrestuar në flagrancë 4 persona për “kontrabandim njerëzish nëpërmjet kufirit shtetëror”.
* Operacioni “Balerina”, ku janë arrestuar 3 persona për veprën penale të “trafikimit të femrave për prostitucion”.