Cirku “Dorolla”, për herë të parë në Shqipëri
Për herë të parë vjen në Shqipëri një cirk ndërkombëtar modern, virtuoz, emocionues dhe drithërues, cirku “Dorolla”. Ky cirk është një produksion i një kompanie të mirënjohur në Izrael në fushën e spektakleve e varieteve, “Tevet films & productions”. Cirku “Dorolla” përfaqëson një koncept modern të cirkut, të frymëzuar nga “Cirque du Soleil”, Cirku kanadez i Diellit.
Cirku kanadez i Diellit i shënon fillimet e tij rreth 20 vjet më parë dhe në themel të shfaqjes së tij qëndron pozicionimi kundër përdorimit të kafshëve në cirk. Sipas këtij koncepti modern dhe të lidhur ngushtë me respektimin e të drejtave të kafshëve, argëtimi i njerëzve nëpërmjet kafshëve të cirkut duhet të mos lejohet. Kjo për faktin sepse kafshët në cirk rrihen dhe keqtrajtohen për t’i detyruar të bëjnë, në fund të fundit gjëra shumë të thjeshta që nuk tregojnë asnjë vlerë të veçantë dhe nuk shkaktojnë emocion. Vendi ku duhet të jetojnë kafshët është natyra apo parku zoologjik dhe në asnjë mënyrë cirku.
Nga ana tjetër, janë njerëzit, që nëpërmjet aftësive të tyre të veçanta, fantazisë, përgatitjes speciale apo guximit të jashtëzakonshëm, duhet të argëtojnë publikun dhe kjo është pikërisht ajo që i ofron publikut të gjerë, një cirk modern.
Kompania “Tevet films & productions” ka realizuar pikërisht të njëjtën gjë, por në dallim nga “Cirque du soleil”, që është i vendosur në Las Vegas dhe nuk organizon tour-e. Cirku “Dorolla” është në lëvizje dhe për herë të parë vjen në Shqipëri. Pasi testuan kërkesat dhe shijet e publikut shqiptar, ata përzgjodhën nga e gjithë bota artistë nga më virtuozët dhe më të suksesshmit në aktivitetet ndërkombëtare të cirkut. Gjithë performanca artistike është e shoqëruar me muzikë dhe ndriçim të dizajnuar posaçërisht për cirkun duke i dhënë shfaqjes emocion të veçantë dhe atmosferë magjike. Cirku “Dorolla” sjell në Shqipëri një trupë akrobatësh kinezë. Sikurse dihet tashmë nga të gjithë, shkollat kineze të akrobatëve të cirkut janë më të mirat në botë. Artistët rriten nëpër këto shkolla, jetojnë aty, lënë familjet në mosha shumë të vogla dhe trajnohen për një kohë të gjatë. Përpara se të nisin udhëtimet nëpër botë, akrobatët kinezë duhet të kenë kaluar jo më pak se 6 vjet trajnim në shkollat kineze.
Trupa kineze e “Dorolla”-s vjen nga Sheniang, një qytet me 8 milionë banorë dhe është shumë e famshme në Kinë dhe jashtë saj, duke fituar shumë çmime ndërkombëtare. Grupi kenian nga Mombasa është në Shqipëri pas shume vitesh sukses në Gjermani, Francë dhe shumë vende të Evropës. Ata sjellin ritme të magjishme afrikane, plot energji e hare dhe realizojnë numra të jashtëzakonshëm. Iluzionisti nga Holanda dhe asistentja e tij, e cila është njëkohësisht këngëtare dhe kërcimtare në Holandë sjell 2 iluzione të jashtëzakonshme. I pari është ngritja në ajër, të cilën e ka realizuar vetëm David Kooperfild dhe i dyti, ndërrimi i pozicioneve që vlerësohet si më i shpejti në botë. Gjithçka është realizuar në bashkëpunim me një staf shqiptar dhe zhvillohet në ambientet komode të një tende të madhe të kuqe, prej 1200 vendesh, të vendosur në sheshin “Nënë Tereza”. Cirku do të ketë përgjithësisht nga dy shfaqje në ditë, në orën 17:00 dhe 20:00, ndërsa në ditët festive, pushimeve dhe ditët e pushimeve të shkollave, do të ketë edhe shfaqje paradite, në orën 11:00. Pas Shqipërisë “Dorolla” do të udhëtojë në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Bullgari e Rumani.