Për një fustan si Geraldina
Për të gjithë ata që janë të vëmendshëm dhe ndjekës të rregullt të ngjarjeve të modës në Tiranë, mbërritja e pranverës do të thotë dhe afrimi i kohës kur “Geraldina Sposa” sjell mbi pasarela koleksionin e ri të fustaneve të nusërisë.
Nuk kanë asnjë shans të zhgënjehen edhe në këtë fillim pranvere.
Dje në mbrëmje, në hotel “Sheraton” janë shfaqur 70 modele të reja nga firmat e njohura spanjolle e italiane që “Geraldina Sposa” sjell në Tiranë, ku si çdo vit do të ketë edhe një ekskluzivitet, që këtë herë i takon linjës “Paola&Daniele D’Onofrio”.
Nusja e veshur me karakteristikat identifikuese të kësaj linje, romantike dhe elegante, do të ketë dhe statusin e nuses së nderit të sfilatës.
Është bërë traditë tashmë që çdo sfilatë e “Geraldinës” të ketë nusen e nderit, apo që ndryshe mund të quhet nusja surprizë. Siç ishte një vit më parë Valbona Selimllari.
Edhe kësaj radhe surpriza nuk ka munguar: një thirrje habie dhe një duartrokitje e gjatë ka shoqëruar hapat e Eranda Libohovës në pasarelë. Nuk ishte shfaqur ndonjëherë si modele, edhe pse prej kohësh këngëtarja njihet si një nga vajzat që ngjall admirim për pamjen. Siç nuk është shfaqur ndonjëherë edhe e veshur me veshje nusërore. Sfilata e veshjeve të reja të nusërisë e ka sjellë Eranda Libohovën krejt ndryshe nga ç’e kemi parë ndonjëherë.
***
Përveç se një sfilatë e fustaneve të nusërisë, i gjithë ky eveniment mund të quhet ndryshe dhe parada e yjeve, sepse çdo herë e më shumë marrin pjesë në të emra të njohur të televizionit e spektaklit, të cilat, me elegancën dhe hiret e tyre, prezantojnë dhe një anë të fshehtë, atë të modeles, duke plotësuar kështu dhe dëshirën që e ka ndër vete çdo vajzë: të jetë e veshur për një natë me një fustan të bardhë, si në një dasmë imagjinare. E sfilata e “Geraldina Sposa”-s ta jep vërtet këtë shans. Ndaj jo më kot çdo sfilatë bëhet nën moton “Ndjehu mbretëreshë, nusëro me Geraldina Sposa”.
Modelet, pjesa më e mirë e të cilave kanë marrë pjesë në çdo sfilatë të “Geraldina Sposa”-s, si Linda Poda, Anada Nikollari, Irsa Demneri, Matilda Mecini, Orinda Huta, Xhesika Berberi etj., do të ndjehen edhe një herë më shumë mbretëreshat e kësaj mbrëmjeje, të veshura me fustanet e koleksioneve të reja të “Pronovias”, “Manuel Mota”, “Elie Saab” etj.
Pak histori
Ishte viti 2004 kur u organizua sfilata e parë e mirëfilltë me veshje nusesh. Një traditë që vazhdon të përsëritet si një rit vit pas viti. Ishte pikërisht emri i zgjedhur për sallonin e veshjeve të nusërisë ai që edhe dha idenë e sfilatës së parë. Gjithçka për hir të Mbretëreshës Geraldinë.
Tradita në thelb mbetet po ajo, ndonëse shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo sfilatë e parë. Sepse tani “Geraldina Sposa”, veç cilësisë së veshjeve, ekskluzivitetit të linjave të njohura, mund të llogarisë edhe përvojën e gjithë këtyre viteve organizime, si dhe sallën luksoze të Sheratonit, ku veç sfilatave organizon dhe dasma, pikërisht ato dasma që janë të destinuara të hyjnë në kronikat rozë të kryeqytetit për hir të luksit, elegancës dhe shumë herë edhe të personazheve VIP.
2 Maj 2009