Branko Ivankoviç, trajneri i Maqedonisë?
“Zyrtare: Maqedoni, Ivankoviç, trajneri i ri i Kombëtares”. Lajmi është publikuar nga faqja e specializuar në merkato, italiania tuttomercatoweb.it, ndërkohë që faqja zyrtare e Federatës Maqedonase e Futbollit, ende nuk ka publikuar ndonjë komunikatë zyrtare. Komplikohet edhe më shumë çështja “Branko Ivankoviç”, kandidati potencial për të marrë vendin vakant të Kombëtares shqiptare, të lënë bosh nga holandezi Ari Han. Në fakt, edhe vetë mediat elektronike maqedonase i referohen faqeve të huaja në lidhje me emërimin e kroatit në postin e kryebankinës së vendit fqinjë. Maqedonasja “Sportdenes” i referohet gjerësisht gazetës së njohur franceze, “L’Equipe”, ndërkohë që lajmi i zyrtarizimit të Branko Ivankoviçit (i pëlqyer edhe nga Oto Bariçi) në vend të Sreçko Katanecit u publikua në orët e vona të ditës së enjte (30 prill, ora 23:34) edhe në faqen e njohur Soccerway.com.
Federata Shqiptare e Futbollit (sipas medieve shqiptare ofroi më shumë para se ajo maqedonase) nuk jep asnjë koment në lidhje me fatin e negociatave. Branko Invakoviç, i cili mbërriti në Tiranë (ditën e mërkurë) së bashku edhe ish-trajnerin e Dinamos, Zlatko Daliç, bisedoi me bosin e futbollit shqiptar, Armand Duka, pasi më parë kishte konsumuar një takim me atë maqedonas, Harallamb Haxhi-Retski. Ish-trajneri i Iranit (2003-2006) testoi brenda pak orësh (të së njëjtës ditë) dy federatat fqinje në lidhje me ofertën financiare e kushtet e punës, por në mënyrë diplomatike kërkoi tri ditë kohë të mendohej. Koha e përgjigjes së tij ndaj FSHF-së sonë skadon të shtunën, ndërkohë që mediat ndërkombëtare e kanë “emëruar” atë si trajner të Maqedonisë.
2 Maj 2009