E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga “futet” në makinën llogaritëse



Tirana dhe Vllaznia, dy rivalet e mëdha për titullin e Kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, do të luajnë në javën e 30-të në transfertë, Tirana kundër Besës në Kavajë dhe Vllaznia kundër Shkumbinit në fushë asnjanëse, me bindjen se do të kthehen në shtëpi me pikë të plota, tri ndeshje përpara se të përballen midis tyre në “Qemal Stafa” në javën e fundit të sezonit 2008-2009. Lufta midis gjashtë ekipeve të fundit, të cilat ndahen nga njëra-tjetra me vetëm katër pikë (Flamurtari 3-2, Bylis 28), është akoma më e ashpër, pasi një hap i gabuar do t’i çonte gjithmonë e më shumë drejt Kategorisë së Parë. Të paktën, përplasjet Partizani-Apolonia dhe Elbasani-Flamurtari vlejnë shumë për ekipet vendase.

BESA-TIRANA
Tirana, kryesuese e kampionatit (58 pikë) dhe finaliste e Kupës së Shqipërisë do të përballet me Besën (vendi i gjashtë). Në takimin e fundit të luajtur në Kavajë, Tirana fitoi 3-1 (golat nga Xhafa, Agolli e Memelli). Për bardheblutë mungojnë mbrojtësi Dabulla e mesfushori Devolli, por rikthehet portieri Nallbani. Skuadra kavajase humbi 3-2 me Vllazninë në Shkodër një javë më parë (Tirana fitoi 4-1 me Teutën). Lojtarët e Besës nuk paguhen prej dy muajsh, ndërkohë që presidenti Bizhdili u ka premtuar premio futbollistëve në rast se fitojnë me Tiranën. Besa nuk ka më asnjë objektiv këtë sezon, e shumë prej lojtarëve titullarë ose janë larguar ose janë përjashtuar. Dy takimet e para të këtij sezoni: Tirana-Besa (1-1), Besa-Tirana (1-3).

SHKUMBINI-VLLAZNIA
Si Shkumbini ashtu dhe Vllaznia vijnë në përballjen e tretë sezonale pas eliminimeve në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, respektivisht me Flamurtarin e Tiranën. Pas incidenteve kundër gjyqtarëve italianë (anësori Puxhioto u godit me një copë betoni), fusha e Peqinit u pezullua me katër ndeshje. Takimi do të luhet në terren asnjanës, ndërkohë që në favor të Vllaznisë janë dhe “kalkulimet” e Shkumbinit për një vend në Europë. Shkumbini njihet si “aleat” i Tiranës, por tashmë duhet të bëjë rolin e kundërt: të punojë për Vllazninë, pasi nëse skuadra shkodrane fiton kampionatin e Tirana, Kupën e Shqipërisë, atëherë peqinasit zënë një vend në Kupën UEFA. Dy takimet e para të këtij sezoni: Vllaznia-Shkumbini (2-2), Shkumbini-Vllaznia (1-0).

DINAMO-LUSHNJA
Me 7 pikë më shumë se Shkumbini i vendit të katërt (44 pikë), Dinamo (51) e ka siguruar vendin e tretë, kur janë dhe 12 pikë në lojë. Stafi i kampionëve në fuqi (vetëm matematika nuk i ka shkurrorëzuar ende) ka premtuar se do të bëjë lojë të pastër, pavarësisht se blutë kanë në dorë kampionatin, si për ekipet e kreut (do të luajnë kundër Vllaznisë e Tiranës), por dhe atyre të vendeve të fundit (do të luajnë kundër Lushnjës e Bylisit). Të shtunën në “Selman Stërmasi” formacioni i Shkëlqim Muçës do të përballet me Lushnjën (në nevojë urgjente për pikë). Ndeshja parashikohet e nxehtë, pasi në përballjen e fundit në kryeqytet lushnjarët humbën vetëm në minutat e fundit e me një gol të kontestuar fort nga stafi verdhjeshil. Dy takimet e para të këtij sezoni: Lushnja-Dinamo (1-2), Dinamo-Lushnja (1-0)

PARTIZANI-APOLONIA
Dy skuadrat ndajnë vendet 8-të (Partizani) e 11 (Apolonia), por vetëm me një pikë diferencë. Fitorja e të kuqve do ta çonte në +4 avantazhin e tyre (Partizani, thuajse i shpëtuar), ndërkohë që suksesi i plotë i fierakëve, do të përmbyste plotësisht renditjen (+2 për Apoloninë). Dy takimet e para të këtij sezoni: Partizani-Apolonia (0-1), Apolonia-Partizani (3-1).

TEUTA-BYLIS
Teuta ende mban shpresë për vendin e katërt (ka 3 pikë më pak se Shkumbini), por përballë durrsakëve do të jetë Bylisi i vendit të fundit, që do të luajë nga ana e tij për “jetë a vdekje”. Ballshiotët nuk kanë fituar asnjë ndeshje në transfertë, ndërkohë që durrsakët vijnë pas humbjes poshtëruese me Tiranën (4-1). Dy takimet e këtij sezoni: Teuta-Bylis (1-0), Bylis-Teuta (2-0).

ELBASANI-FLAMURTARI
Elbasani luan ndeshjen e mbijetesës, në sezonin e tij më të keq në pesë vitet e fundit, kundrejt një Flamurtari, që është finalist i Kupës së Shqipërisë e me një këmbë në Europë (nëse Tirana fiton si kampionatin ashtu dhe kupën). Elbasanit i duhen pikë të plota për të dalë nga zona “play-out”. Dy takimet e këtij sezoni: Flamurtari-Elbasani (0-1), Elbasani-Flamurtari (0-0).

Java e 30-të
(02.05.2009)

Besa-Tirana (Peza)
Shkumbini-Vllaznia (Taullai)
Dinamo-Lushnja (Jemini)
Teuta-Bylis (Çekaj)
Partizani-Apolonia (Jareci)
Elbasani-Flamurtari (Janku)

RENDITJA

Tirana 58
Vllaznia 57
Dinamo 51
Shkumbini 44
Teuta 41
Besa 39
Flamurtari 32
Partizani 30
Elbasani 30
Lushnja 30
Apolonia 29
Bylis 28

Java e 31-të
(09.05.2009)

Tirana-Shkumbini
Vllaznia-Dinamo
Bylis-Besa
Apolonia-Teuta
Flamurtari-Partizani
Lushnja-Elbasani

Java e 32-të
(16.05.2009)

Dinamo-Tirana
Vllaznia-Lushnja
Shkumbini-Bylis
Besa-Apolonia
Teuta-Flamurtari
Partizani-Elbasani

Java e 33-të
(23.05.2009)

Tirana-Vllaznia
Bylis-Dinamo
Apolonia-Shkumbini
Flamurtari-Besa
Elbasani-Teuta
Lushnja-Partizani

2 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›