Gurët e Peqinit bëjnë xhiron e botës
Incidentet me gjyqtarët italianë, të cilët gjykuan gjysmëfinalen e dytë të çiftit Shkumbini-Flamurtarit të vlefshme për Kupën e Shqipërisë (të mërkurën) të luajtur në Peqin, ku anësori Puxhioto u godit me një copë betoni gjatë gjykimit të ndeshjes, bënë xhiron e botës.
Të paktën në Itali për ngjarjen e shëmtuar shkruan të gjitha agjencitë më të mëdha të lajmeve, përfshirë një numër të pafund faqesh interneti. “Shqipëri, gurë kundër arbitrit Gava. Të goditur edhe asistentët, ndeshja e ndërprerë”. Ky ishte kryelajmi i faqes së njohur sportive të grupit mediatik të kryeministrit Berluskoni, “Mediasetit”.
“Aventurë e shëmtuar për arbitrin Gava dhe ndihmësit e tij, të ftuar nga Federata Shqiptare e Futbollit për të drejtuar gjysmëfinalen e Kupës midis Shkumbinit e Flamurtarit. Të tre u detyruan të ndërprisnin takimin e të kërkonin të largoheshin nga stadiumi për shkak të gurëve të hedhur nga ultrasit e skuadrës së shtëpisë dhjetë minuta përpara përfundimit të takimit.
Më të keqen e pësoi anësori Puxhioto, i goditur në shpinë me një copë betoni dhe i sulmuar nga një prej drejtuesve të Shkumbinit”, - shkruhej në lajmin e publikuar në faqen sportmediaset.it. Mediat italiane e kanë konsideruar si “episod të pabesueshëm”, që informojnë lexuesit e tyre edhe mbi shkaqet e ngjarjes: “për shkak të eliminimit të ekipit të Shkumbinit nga Kupa”.
“Për të ndezur njerëzit (tifozët) ishte dhe një nga drejtuesit e Shkumbinit, i cili sulmoi anësorin Puxhioto fillimisht verbalist e më pas fizikisht, duke e shtyrë.
Tifozët pas shpinën kryen pjesën tjetër të punës, duke filluar të lëshojnë gurë kundër treshes së gjyqtarëve. Gava ia doli të shmangë që një gur t’i godiste kokën. Kariolato (anësori tjetër) përkundrazi u godit në njërën dorë”, - shpjegon incidentin sipas mënyrës së saj faqja italiane.
Gjithsesi, Mediaset, shkruan edhe për faljen publike të kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, që nga ana e saj i falënderoi tre arbitrat “të ardhur si miq (në Shqipëri), por jo të trajtuar si të tillë”.
2 Maj 2009