Jeremiç: Njohja nga fqinjët, cenon paqen
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç theksoi se shpreson që vendet fqinje nuk do të ndërmarrin hapa për të njohur pavarësinë e Kosovës, vendim që do të cënonte paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ai këtë e deklaroi në një intervistë për agjencinë e lajmeve serbe “Beta”, duke shtuar se Beogradi do të reagojë në mënyrë adekuate për vendet e rajonit që do të njohin Kosovën. “Ne presim që para votimit të rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së vendet e rajonit të mos ndërmarrin hapa që do të nënkuptonin shkeljen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, deklaroi shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç.
Sipas tij, në rast të njohjeve eventuale, atëherë Serbia do të veprojë në bazë të planit të saj aksional që parasheh disa masa ndaj vendeve fqinje.
“Nuk dua që kjo të tingëllojë si kërcënim. Ne nuk i kërcënohemi askujt, ne thjesht themi se duam të jemi partner me fqinjët tanë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, por nuk do të lejohet asnjë akt i njëanshëm që do të shkelte sovranitetin e shtetit serb”, deklaroi shefi i diplomacisë serbe. (INA)