Miku i Trebickës: Dyshoj për kurth
Prononcimi nga SHBA i Rolanda Dhimitrit, motrës së Trebickës
Jeta e Kostës, gjithmonë me përpjekje të mëdha
Rolanda Dhimitri prej vitesh jeton në SHBA. E motra e Kosta Trebickës ishte një emër i njohur në qarqet akademike të Tiranës, sepse në periudhën 1984-1991 ishte zëvendëse rektore e Universitetit të Tiranës dhe deri në fund të viteve ‘90 ishte drejtore ekzekutive e një OJF-je të suksesshme, Fondacionit Shqiptar për Shoqërinë Civile. Kthimin e fundit në Shqipëri e kishte dy javë më parë, fatkeqësisht për të përcjellë në banesën e fundit, të vëllanë, Kostën. Refuzon kërkesën për një intervistë me anë të postës elektronike, duke kërkuar kohë: “Sa të na zbutet pak kjo dhembje e pamatshme”. Por thotë me katër rreshta jetën e të vëllait, e cila u mbyll tragjikisht: “I ndjeri vëllai im i dashur, Kosta nuk ka qenë KURR as Prokuror, as Avokat, as shtetas amerikan, as hetues dhe as komunist (as edhe një ditë sa ishte në këtë botë). Ka qenë një jurist i thjeshtë me një Master nga Universiteti i Syrakuzës në upstate New York. Filloi thjesht një biznes në vitet ‘96. Jeta e tij ka qenë gjithmonë, një përpjekje e madhe për të siguruar një jetë më të mirë familjes dhe fëmijëve të tij”.
Flet avokati dhe ish-kolegu i Trebickës kur punonin në Prokurorinë e Përgjithshme
Shefqet Dizdari: “Vdekja e Trebickës? Dyshoj për një kurth”
Shefqet Dizdari është njëri prej avokatëve më të njohur në Tiranë. Klientët e tij kanë qenë nga biznesmeni Ajdin Sejdia deri te pretendenti i Fronit Mbretëror Leka Zogu. Me një karrierë të gjatë në drejtësinë shqiptare, Dizdari nuk kish si të mos e njihte ish-kolegun e kohëve të vjetra, Kosta Trebickën dhe e konsideron largimin e tij të parakohshëm si një humbje personale. Mik i vjetër i tij, e ka njohur atëherë, kur punonin së bashku për organin e akuzës, në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë. “Ishte modeli i zyrtarit të prokurorisë së përgjithshme ndaj dhe e kishin emëruar si shef të administratës së Prokurorisë së përgjithshme”. Korrekt dhe një profesionist i shkëlqyer. Deri më 1995, kur ai vendosi ta linte detyrën zyrtare për të punuar i pavarur, si avokat dhe për tu marrë me bizneset e tij. Avokati thotë se ka biseduar shumë herë me Trebickën pas ngjarjes së Gërdecit dhe shprehet i bindur se ai i kishte marrë parasysh të gjitha pasojat. “Kosta ishte një njohës i thellë i ligjeve e procedurave dhe e dinte se çfarë hapash duhej të hidhte”- thotë avokat Dizdari, duke hedhur poshtë aludimet e opinionit se dëshmitari kyç i tragjedisë së Gërdecit nuk e dinte se çfarë peshe kishte marrë mbi supe, duke denoncuar pazaret me tregtinë e municioneve. Kosta Trebicka ishte gjetur i vdekur mesditën e 15 shtatori në fshatin Lekas të Korçës. Trupi i tij ishte shumë metra larg makinës. Për ekspertizën e skenës së krimit, automjetit dhe të së ndjerit ishin angazhuar jo vetëm ekspertët shqiptarë, por edhe një ekspert amerikan.
Dizdari, po ashtu si dhe ish-kolegu i tij i ndjerë prej vitesh ka punuar me dhjetëra skena krimi dhe zbardhjen e vrasjeve. Por është i pabindur në shumë pika, dhe mbi të gjitha është shumë dyshues për dinamikën e ngjarjeve që u përmbyllën me vdekjen e tij, të premten e 15 shtatorit 2008. “Duhet të ketë qenë një kurth ai që e çoi mikun tim atje. Por ai, me aq sa e njihja unë, nuk mund të binte kurrsesi në një kurth. Dhe duhet të ketë qenë diçka shumë e rëndësishme që e bëri të nisej për atje ku u gjet i vdekur. Dhe mbi të gjitha kam dyshime nëse ai ishte aksident”-thotë z. Dizdari.
Dëshmia, biznesmeni ia kishte lënë të shoqes të gjithë aktivitetin financiar
“Municionet, Trebicka donte t’i linte, por e kthyen amerikanët”
Ka qenë prej vitesh bashkëpunëtor në bizneset e Trebickës. Por e ka të vështirë të flasë me emër, sepse çdo dëshmi në media mund të pasohet me një thirrje në prokurori. E njihte aktivitetin financiar të tij dhe thotë se gjithçka që Kosta ka bërë kohët e fundit nuk e bëri për para. “Ai ishte i velur nga lekët, kishte grumbulluar shumë pasuri dhe kohët e fundit donte të hiqte nga vetja gjithë përgjegjësitë dhe tua delegonte të tjerëve ato propozime shumëmilionëshe që i vinin në masë”-thotë ai. Qera 40 milionëshe në muaj nga njëri biznes në Tiranë, 38 mijë metra katrorë tokë në Porto-Romano, mu në zemër të vendqëndrimit të ri të depozitave të karburanteve, zyra të shpërndara anembanë Tiranës, një shtëpi të stërmadhe, shto këtu mundësitë e pafundme për kontrata të reja biznesesh që ia bënin dhe ai ua propozonte tua kalonte biznesmenëve të tjerë. “Ai kishte punuar shumë për të vënë këto pasuri dhe kishte aftësinë për t’i marrë ato ndershmërisht, pa lënduar askënd”-rrëfen ish-bashkëpunëtori i Trebickës-“Por kohët e fundit nuk donte të shtonte përgjegjësi mbi veten, duke bërë të kundërtën, të shpërndante ato”.
Biznesmeni thotë se kohët e fundit biznesin e familjes e drejtonte e shoqja e Trebickës, e cila ishte bërë truri i aktivitetit financiar. Falë pesë gjuhëve dhe formimit të lartë profesional Brunelda Krasniqi, me origjinë nga një familje kosovare që kish ardhur fillimisht në Elbasan dhe pastaj në Fier, ajo ishte vënë në krye të punëve, me të cilat Kosta Trebicka nuk donte të merrej më. “Ai ishte i lodhur dhe i velur. Madje donte të hiqte qafe edhe vilën e madhe dhe të ndërtonte një më të vogël, në tokën që kishte pas saj. Erdhi një përfaqësues ambasade për ta blerë për 1.5 milionë euro pastaj një organizatë për ta marrë me qera, por pastaj ai sikur u pendua”-thotë biznesmeni.
Paketimet
“Kosta nuk e dinte fare se ku binte Gërdeci”. Biznesmeni thotë se ishin amerikanët e kontraktuar për shitjen e municioneve stok të ushtrisë shqiptare, që e kishin gjetur Trebickën. Kishin pyetur për një njeri që mund të bënte paketimet dhe ishte gjetur Trebicka, që e kishte një biznes të tillë prej vitesh. Pronar i kartonit te ish-kombinati “Misto Mame” në dalje të Tir