Besimtarët myslimanë festojnë Bajramin
Tiranë- Besimtarët myslimanë në gjithë vendin festuan sot që në orët e para të mëngjesit me falje e me lutje, festën e Fitër Bajramit-Bajramit të Madh. Riti i namazit është kryer në xhamitë e vendit, ku besimtarët kanë marrë mesazhin për më shumë dashuri, më shumë paqe dhe më shumë vëllazëri e miqësi me njëri-tjetrin.
Pas faljes së namazit, daulle të shumta do të bien deri në drekën e Fitër Bajramit, në shenjë hareje dhe paqeje për mbarë njerëzimin.
Besimtarët vijnë në këtë ditë pas 30 ditësh agjërim dhe lutje dhe tani ata mund të fillojnë një jetë të re, pasi shpriti i tyre është pastruar nga mëkatet e përditshme.
Me rastin e festës besimtarët kanë marrë urime nga kreu i shtetit dhe drejtues të partive politike.
Kreu i shtetit, Bamir Topi vlerësoi në urimin e tij për besimtarët rëndësinë e madhe të bashkëjetesës fetare, duke e quajtur atë si një nga standardet e arrira të shoqërisë shqiptare. Duke uruar besimtarët myslimanë në të gjithë vendin me rastin e kësaj feste, Presidenti Topi u shpreh se “kjo është një festë për të gjithë popullin shqiptar, pavarësisht nga përkatësia fetare, sepse ne jemi mësuar që të festojmë me festat e njëri-tjetrit”.
Urime besimtarët kanë marrë edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai vizitoi sot selinë e komunitetit mysliman në Tiranë, ku u prit nga kryetari i këtij komuniteti, Selim Muça.
“Unë iu uroj të gjithëve gëzuar këtë festëdhe shpresoj që sot të jetë për të gjithë një ditë pushimi e reflektimi,në funksion të domsdoshmërisë për ti dhënë këtij vendi të vogël atë energji pozitive, përmes së cilës ky vend mund të shkojë shumë përpara.” tha Rama.