E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetari si ekzistencë individuale, a mund të lidhet me shoqërinë ?

Nga Gëzim Tushi

GezimiNë jetën sociale të shoqërisë shqiptare ka disa paradokse, mungesë balancash sociale dhe shpërpjesëtime individuale me ndikim të fortë në prishjen e harmonisë ekzistenciale, të qëndrueshmërisë ontologjike të lidhjeve të qytetarit me shoqërinë, që pasqyrohen në shkeljen e rregullave të jetës qytetare. Jetojmë në kohën moderne, kur individualizmi qyetar zhvillohet në të gjithë dimensionin ekzistencial, duke arritur shpërthimin deri në kufijtë e ekstermimit të vet.
Por kjo situatë nuk do të thotë dhe nuk presupozon si nevojë të nënkuptuar që në shoqërinë tonë të justifikojmë prishjen e raporteve organike, natyrale dhe të natyrshme të marrëdhënieve dhe lidhjeve individuale të qytetarit me shoqërinë dhe strukturat e shumta të organizimeve të saj. Padyshim, në këtë fushë të jetës sociale, duket se është diçka e madhe ajo që po ndryshon në shoqërinë tonë. Në ndërtimin e marrëdhënieve të qytetarit me veten dhe shoqërinë kanë ndryshuar disa raporte thelbësore, të cilat janë strukturalisht dhe funksionalisht të reja.

Në këtë kontekst, më është dukur me interes analiza sociologjike që filozofi modern francez Mishel Fuko, i bën këtyre raporteve sipas të cilit ato nuk janë raporte izotopike e të nënvendosura në mënyrë fikse, në të cilat qytetari ndihet si qenie e varur apo pasivisht i nënvendosur ndaj shoqërisë. Ka marrë fund koha dhe është përmbysur përfundimisht shoqëria që individin e lë në pasigurinë e pozitës së tij shoqërore dhe gjithnjë më shumë e zhvesh nga ajo që përbën përmbajtjen pozitive, kuptimin e ekzistencës; duke e fundosur në situatën e pashpresës gjithnjë më të madhe, duke paralajmëruar kështu se përmbajtja e jetës së tij personale që e quan njerëzore, me kalimin e kohës do të zhduket (Eric Weil, Filozofia politike, f 124)
Përkundrazi epoka liberale dhe individualizmi në zgjerim, i ka bërë raportet individuale të qytetarit me strukturat e shoqërisë të jenë të larmishme dhe të ndryshueshme. Ndryshe nga shoqëria totaliotare në të cilën të gjithë qytetarët ishin vetëm individë të nënshtruar nga shteti dhe shoqëria e madhe, ose siç i konsideron Fuko ata ishin thjesht në situatën e individit pa individualitet, në kohën e lirisë dhe demokracisë raportet janë të ndryshueshme. Sepse qytetari në një farë mënyre është më i lirë ndaj vetes dhe personalitetit të tij, edhe pse dialektika e jetës është e tillë që ai në një raport social mund të jetë në vartësi të shtetit dhe shoqërisë (të eprorëve) dhe në raporte të tjera mund të jetë vetë epror. Në shoqërinë e sotme shqiptare është shënuar një sukses i madh. Edhe pse jo pa probleme, konfondime, kontradikta dhe keqkuptime, është e vërtetë që tani jemi në situatën sociale në të cilën duket që njerëzit e kanë kuptuar esencën e individualizmit dhe individualitetit të tyre dhe për pasojë janë ndërgjegjësuar që kanë dalë përfundimisht nga perandoria e totalitetit dhe mekanizmat e determinizmit totalitarist.
Kjo ndihet qoftë e qartë konceptualisht në idetë liberale të kristalizuara në individualitetin e qytetarit, por dhe në format konterkstuale të shfaqjes së individualizmit, si fenomenologji sociale e dukshme në trajtat kontekstuale të mënyrave të performimit të individualizmit të qytetarëve tanë. Edhe pse mund të ketë dhe ka deformime në konceptimet e aliazhuara midis individit, individualitetit dhe lirisë sociale, ajo që është e sigurt dhe që na intereson ta evidentojmë në mënyrë të veçantë, ka të bëjë me faktin se transformimi i ka bindur qytetarët tanë të konceptojnë ndryshe veten e individit dhe raportet dialektike me individualitetin e tyre dhe lidhjet personale me sfondin e përbashkët të socialitetit, por gjithnjë duke e konceptuar veten si qytetar që është më thjesht trup social por qytetarë me individualitet.
Koha ka vërtetuar, eksperienca jonë gjysëm shekullore na ka mësuar se në se shoqëria tenton të bëhet e madhe në raport me individualitetin e qytetarit, në se ajo vendoset mbi të dhe i humbet identitetin atëherë shoqëria nuk është gjë tjetër veçse bashkësi e trupave pa individualitet, shumësi trupash. Shoqëria jonë e së kaluarës, e ndërtuar nga individët pa individualitet, me qytetarë pa statusin e qytetarit nuk ishte shoqëri humane, por thjesht një xhungël sociale e vërtetë e njerëzve anonimë, pa individualitet, të shtypur nga shoqëria e madhe.

Por edhe në kohën e sotme problemet e raporteve të reja të individit me shoqërinë tone, janë bërë çështje që shfaqen kontekstualisht të vështira dhe sociologjikisht të ndërlikuara. Kjo është arsyeja që më shumë se me shpjegime empirike dhe ndjeshmëri sociale intuitive, është e nevojshme që gjërat që preokupojnë raportet e qytetarit me veten si individ dhe esencën e individualitetit të papërsëritshëm në raport me shoqërinë dhe dimensionet e reja të saj, duhet ti bëjmë objekt të veçantë debate dhe diskutimesh konstruktive, për të ndihmuar njeriun të garantojë individualitetin dhe shoqërinë që të ndërtojë kohezionin e duhur me qytetarin individualist dhe me individualitet të spikatur. Ndaj duhet ti japim më shumë hapësirë filozofisë sociale, e cila mund të na ndihmojë në mënyrë konsistente për të kuptuar më mirë esencën dhe ekzistencën e këtyre marrëdhënieve të reja të individit me individualitetin e vet dhe shoqërinë e sotme shqiptare. Natyrisht detyra e filozofisë sociale nuk është të profetizojë. Është fjala që shoqëria jonë e sotme ka krijuar raporte të reja midis individit si qytetar dhe  subjekt i pavarur, dhe shoqërisë në të cilën është i detyruar të jetojë. Kjo është gjëja që duhet shpjeguar dhe duhet kuptuar nga qytetarët.

Nuk mund të analizohen dhe gjykohen situatat e sotme me mbeturinat e konceptimeve të vjetra, ca më pak me fosilet e konceptimeve deterministe të materializmit historik. Ajo është një pseudoshkencë të cilën koha moderne e verboi dhe e nxorri jashtë përdorimit. Ajo ishte dogma që i shërbeu asaj shoqërie që bërë gjithçka për të tjetërsuar njeriun si qenie, duke luftuar radikalisht për të zhdukur individualitetin e individit si qytetar. Në fakt, jo se shoqëria jonë është shëruar plotësisht nga patologjitë e vjetra të imponimit të individit për të vepruar në interes të shoqërisë, edhe pse shoqëria nuk është e përsosur as në raport me veten as me respektimin e të drejtave integralisht humane të jetës private dhe sociale.
Individualiteti dhe socilaiteti i qytetarit të kohës sonë, është krejt i ndryshëm nga supersocialiteti i qytetarit vasal dhe pa individualitet të shoqërisë totalitare të së kaluarës. Por ai nuk është individualitet abstrakt i vendosur jashtë kontekstit historik të shoqërisë në të cilën jetojmë. Kjo do të thotë që si qytetar është e nevojshme të respektojmë rregullat e organizimit të shoqërisë, por kurrë nuk duhet ti lemë asaj në dorë thelbin e veçantë të individualitetit tonë. Kanë ndryshuar radikalisht raportet midis asaj që tek qytetari është e shoqërizuar dhe për të cilën ai duhet ti bindet rregullave të shoqërisë dhe asaj që është personale, individuale, e pavarur dhe e panënshtruar ndaj shoqërisë.
Në fund të fundit atë që na mësoi koha moderne në shoqërinë tonë është e vërteta, se Individualiteti mbetet i pazvogëlueshëm. Jetojmë në shoqëri moderne në të cilën cënimi i individualitetit të qytetarit nga shoqëria në emër të abuzimit me të mirën sociale ka filluar të shoqërohet me konflikt me individit, individualitetin dhe interesin e qytetarit. Që të kuptojmë këto të vërteta të reja të realitetit tonë, të marrëdhënieve të reja midis shoqërisë dhe qytetarit, individit dhe jetës sociale, duhet të nisemi nga premise bazë e ndërtimit të shoqërisë liberale dhe individualiste, në themel të së cilës e vërteta se nuk është prioritar suksesi social që cënon individin dhe individualitetin e qytetarit, por është suksesi individual i vënë në shërbimin direkt të vetes dhe në mënyrë të

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›