E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një rilindas puro



Një vit pa kollosin e etnomuzikografisë shqiptare, Ramadan Sokoli. Ka shumë vepra që ende nuk kanë parë dritën e ekzekutimit në publik të profesorit të muzikës. Ndërsa në këtë përvjetor vetëm rikujtohet kjo figurë e kulturës sonë kombëtare, vepra e tij meriton të jetë më shumë objekt studimor i Akademisë së Shkencave, si dhe në vëmendjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, për të përgatitur një kolanë të plotë të veprës së këtij kollosi të muzikologjisë sonë, mbasi botimet e deritanishme lënë shumë për të dëshiruar dhe kjo duhet të ndodhë brenda viti 2010, kur Ramadan Sokoli ka 90-vjetorin e lindjes

Sa shpejt kaloi një vit, shumë shpejt. Si një vit më parë, më 7 mars profesorit tonë të nderuem, i uruem festën e mësuesit me një tufë lule mimozash (sa shumë i donte lulet) e ashtu si në agoni buzëqeshi lehtë, duke shqiptuar një “faleminderit”, por edhe me një keqardhje të madhe; se lexonim në sytë e tij se po e ndjente se, ato mbase ishin lulet e fundit që po u merrte erë. Pas katër ditësh, më 11 mars 2008 jeta e tij u shuajt, duke lënë të ndrisë përgjithmonë emri dhe veprat e tij.

Ramadan Sokoli është figura më e ndritur e kulturës sonë kombëtare në fushë e muzikologjisë. Është krijuesi dhe themeluesi i kësaj shkence të re që lëshoi rrënjë ose më mirë të themi u mboll si shkencë prej tij që në fillim të viteve ‘50-të të shekullit që lamë pas.

Profesor Ramadan Sokoli jo vetëm ishte një shkencëtar i madh, por edhe një patriot i madh. Siç edhe është cilësuar nga media dhe shtypi, atë mund ta quajmë pa droje edhe si rilindësi i fundit, duke u mbështet edhe te familja e tij e madhe në qytetin e lashtë të Shkodrës, te gjyshi i tij, Hodo Pashë Sokolit, pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit dhe mbrojtës i trojeve shqiptare të Plavës e Gucisë, e Ulqinit, tek i ati i tij, Isuf Sokoli, edhe ky i internuar në Itali për të ardhur te vllaznia e tij, Ibrahim Sokoli dhe Hodo Sokoli, që bashkë me Radon provuan persekutimin e egër komunist duke vuajtur mbi 40 vjet burg. Të gjithë intelektualë të ndritur dhe patriotë.

Profesor Ramadan Sokolin e kam njohur për herë të parë në qershor të vitit 1957 në festivalin folklorik të Qarkut të Shkodrës, ku unë isha pjesëmarrës, interpretues i folklorit të Malësisë së Madhe dhe ai ishte anëtar i jurisë, ku përzgjidhnin talente që do të merrnin pjesë në Festivalin e Rinisë e Studentëve, që do të zhvillohej në Moskë, në muajt korrik-gusht 1957. Fati dhe jeta e solli që prej asaj date deri sa ka mbyllë sytë unë të jem një ndër njerëzit më të afërt të tij (jashtë rrethit të tij), në fillim si objekt i punës së tij, unë si bartës i folklorit, ai si studiues i folklorit dhe më vonë, nxënës i klasës së tij në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në degën e flautit, pastaj student i tij në Konservatorin Shtetëror të Tiranës dhe pas studimeve, si shok dhe mik shtëpie, i një familjeje me “halle biografike”, por e mrekullueshme në tradita, në mikpritje dhe me një rreth të mrekullueshëm si nga ana e profesorit, por edhe të së shoqes, Lilit, tiranse nga familja - Petrela, një grua e rrallë, ideale që mund ta gjesh vetëm në romane. Mbase dhe ky ishte dhe fati më i madh që pati profesori në jetën e tij të trazuar nga regjimi.

Në vitin 1958 kur fillova mësim në klasën e tij për flaut në Liceun Artistik, kam bashkëpunuar me profesorin si bartës autentik i folklorit të Malësisë së Madhe, duke riprodhuar këngët dhe meloditë e zonës sonë, duke filluar që nga këngët karakteristike “majekrahit” e këngë të tjera pa shoqërim muzikor me karakter baritor, këngët rapsodike me lahutë, melodi të ndryshme në instrumentin popullor “Zymare”, disa melodi që vetë i kisha krijuar, por edhe shumë ninullza, e nanurisje të ndryshme fëminore, të cilat për çudinë time atëherë, ai u jepte një rëndësi shumë të madhe, sigurisht duke i parë me syrin dhe vëmendjen e një studiuesi, ai i hidhte ato në nota muzikore, në disa fletë të mëdha muzike. Më vonë ato zunë vend krahas shumë hulumtimeve të tjera në studimet e tij etnomuzikologjike.

Por le të themi në këtë “njëvjetor” përkujtimor diçka më shumë për jetën dhe veprën e tij.

Talentin e tij muzikor e shfaqi që në vogëli në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, qytet që njihet për traditat e mëdha kulturore sidomos në fushën e muzikës. Që nga fundi i shekullit të 19-të në këtë qytet u krijuan formacionet e para orkestrale siç qenë orkestrat frymore, të cilat mund të merren edhe si fillesat e para të hedhjes së bazave të muzikës profesioniste, bashkë me muzikën kishtare, por ajo që përbënte palcën e kulturës muzikore në Shkodër qe tradita e krijimtarisë së këngës qytetare shkodrane, krejt e veçantë në llojin e vet, që nga tipat më të thjeshta deri te ato më të ndërlikuarat, siç janë “jaret” duke u bërë kështu pjesë shumë e rëndësishme e fondit të artë të kulturës muzikore shqiptare. Në këtë atmosferë dhe në këto realitete u rrit edhe Ramadan Sokoli, në mes tingujve të mrekullueshme të muzikës së “ahengut shkodran” dhe orkestrave frymore, prandaj edhe luante në disa instrumente në bandën e qytetit, por më përzemër në rininë e tij pati kitarën siç quhet rëndomtë kitara, si “piano e të varfërve”. Me këtë bagazh muzikor dhe me disa krijime në fushën e këngës, në vitin 1940 regjistrohet dhe vazhdon studimet në konservatorin “Luigi Cherubini” në Firence – Itali për kompozicion dhe flaut.

Mbas studimeve kthehet në Shqipëri me ëndrrën e një të riu, për të vënë në shërbim të vendit dijet dhe kulturën e tij perëndimore. Por mbas Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë u instalua regjimi komunist dhe fatkeqësisht idealet, pikëpamjet e tij, por edhe tradita familjare dhe kultura perëndimore pluraliste binin ndesh me parimet e reja të këtij regjimi, siç rezultoi famëkeq për shqiptarët. Meqenëse këto pikëpamje ai i shfaqte në rrethet shoqërore në Shkodër hapur, sidomos edhe gjatë Kryengritjes anti-komuniste të Postribës në vitin 1946, arrestohet dhe dënohet me 5 vjet heqje lirie. Ramadan Sokoli, siç edhe më tregonte, vitet e burgut e transformuan rrënjësisht sidomos në njohjen e jetës dhe të njerëzve të saj brenda hekurave të burgut, njerëz të ditur, intelektualë klerikë, bajraktarë, pasanikë, tregtarë, malësorë, të një tradite që rridhte prej shekujsh ashtu shqiptarçe, por që po rrezikohej seriozisht përballë një regjimi të ri në pamje të jashtme popullore, por që vetëm ne që jetonim prapa hekurave e kuptonim se sa i padrejtë dhe i pamëshirshëm do të ishte për shqiptarët. Në burg dhe në kampet e përqendrimit ku punova me të burgosurit, – tregonte ai, - kam njohur karakterin e vërtetë të shqiptarit, burra të ditur dhe të thjeshtë, trima dhe të pathyeshëm përballë torturave, por që ishin dhe palca e kombit. Prej tyre jo vetëm kam mësuar, por edhe u yshta për të filluar shënimet e para të hedhura në copa e blloqe letre për kulturën kombëtare shqiptare, për folklorin për “gjëegjëza” për doket dhe zakonet që ishin aq të pasura dhe të larmishme nga njëri tregimtar tek tjetri, e me një shtrirje nga gjithë viset e Shqipërisë.

Shënimet e para dhe zanafillën e studimeve të para etnomuzikologjike prof. Ramadan Sokoli i ka nga vitet e jetës së tij në burg. “Çdo e keqe e ka një të mirë”, -përsëriste shpesh ai. Vitet e burgut i shfrytëzoi aq sa mundi për të mbledhë nektarin e parë të traditës së kulturës popullore, së cilës ai ia kushtoi gjithë veprën e tij, mijëra faqe të shkruara në rreth 20 libra muzikologji pa përmendur këtu krijimtarinë muzikore në disa fusha të saj, që nga kënga e përpunimi i saj, te veprat e shumta instrumentale, nga miniatura te poemi simfonik, muzikë dhome e koncerte për instrumentin e flautit e deri te metoda për fyell.

Botimet e para serioze në muzikologji me karakter ndërkombëtar kanë filluar me botimin; “Les dances populaires et les instrument mousicaux du people Albanais” – Tiranë 1958. Ky botim pati një interes të veçantë në qarqet muzikologjike ballkanike dhe evropiane dhe nuk vonoi shumë dhe profesor Ramadani krijoi një letërkëmbim me shumë muzikologë të vendeve të ndryshme, sidomos nga Rusia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Gjermania Lindore, por edhe nga vende perëndimore.

Me interes shumë të madh shkencor kanë qenë për profesor Sokolin organizimi i dy ekspeditave shkencore muzikologike të organizuara nëpër vise të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht në Jug të saj; e para në vitin 1958 me shkencëtarë (muzikologë) gjermanë, Shtokman dhe Fidler dhe ekspedita e dytë me shkencëtarë rumunë të kryesuar nga muzikologia rumune, zonja Comichel, në vitet 1960.

Këto ekspedita nga pala shqiptare u kryesuan nga prof. Sokoli dhe një kopje të regjistrimeve të tyre sot ndodhen në fonotekën e Institutit të Kulturës Popullore. Metodologjia praktike e mbledhjes së gjinive të ndryshme të folklorit në terren përbën një përvojë të madhe shkencore për muzikologjinë shqiptare dhe në këtë kohë fillon dhe një etapë e re e studimit të kësaj kulture popullore kaq të pasur dhe të virgjër, si për studiuesit shqiptarë, por sidomos për studiuesit e huaj. Kjo është edhe periudha kur fillon dhe ndërkombëtarizimi i muzikologjisë shqiptare.

Kështu në vitet ‘60-‘70 prof. Sokoli boton veprën madhore “Folklori Muzikor Shqiptar” (Prozodia dhe Morfologjia); “Veglat muzikore të Popullit tonë” (Organografia) “Vallet dhe muzika e të parëve tanë”(Ilirët); “Chanson populaie albanaes” (Albanskie narodnie pjesni) volume i dytë “Figura të ndritura të kulturës shqiptare në shekuj”,

(Jan Kukuzeli Andrea Aleksi); “Gjurmime folklorike”; “Figura e Skënderbeut në muzikë” në kuadër të 500-vjetorit të heroit tonë kombëtar etj.

Në regjimin komunist sa herë forcohej dhe egërsohej lufta e klasave, aq më shumë vështirësohej puna dhe vepra shkencore e profesor Ramadanit. Për arsyet biografike që e ndoqën si hije e zezë deri në vite ‘90-të, atij asnjëherë nuk iu botuan punimet, aq lehtë e pa vështirësi. Disa herë vepra të veçanta përfunduan edhe në karton, sepse ai nuk pranoi asnjëherë që në parathëniet e librave të tij të shkruhej “nën udhëheqjen e partisë e shokut...”, “kultura popullore ka arritje” etj. Madje më kujtohet, në vitin 1965 i kishin kthyer nga botimi korpusin “Veglat muzikore të popullit shqiptarë” (Organografia) bash për këtë arsye; redaktori i shtëpisë botuese i kishte thënë se në fillim të librit duhet të vinte një shprehje të udhëheqësit të partisë, të cilat sipas tij janë edhe shumë të goditura, por dhe aktuale për kulturën popullore. E takova profesorin, ishte shumë i mërzitur, e pyeta se çfarë kishte dhe më tha vërejtjen e redaktorit. Unë në bisedat me profesorin kisha krijuar një koefidencë të atillë, që ai vetë ma kish dhënë dhe shpesh përdorja një stil ironik të foluri dhe i thashë: “Mirë të ka thënë, shumë të bukura i ka pse s’vendos ndonjë nga ato dhe gjithçka zgjidhet fare lehtë”. Ai më pa me bisht të syrit dhe duke pasur shumë besim tek unë tha: “Por ato s’janë shprehjet e tij, i ka të vjedhura nga njerëz të mëdhenj dhe unë nuk mund të vendos në hyrje të librave të mi “shprehje të vjedhura”, pastaj çdo politikan të japë sentencë për folklorin, ai nuk është shkencëtar që unë ta citoj”. “Por është filozof i thashë unë, dhe mendimi filozofik udhëheq, por edhe frymëzon, - prapë me ton ironik”. “Unë jam në hall, tha, ti më çan kokën”, - por me një ton aspak miqësor, madje në një mënyrë idhnake. Ndërrova stil dhe thashë po të kesh besim ta rregulloj unë, dhe në të vërtetë aty për aty më lindi një ide. Unë e kuptova, - i thashë, - ju nuk dëshironi të vendosni citate të... dhe nuk e përmenda emrin se ishim dhe në rrugë. (Me këtë rast dua të them se të gjitha bisedat koefidenciale me karakter politik dhe pakënaqësitë që kishte i bisedonim në shëtitje). Pikërisht, - më tha i nevrikosur, - se do të më tallin të gjithë. “Nuk shkon, e kupton se nuk shkon. Një citat i tillë kërcet si shprazja e një kobureje në një sallë koncerti”, - ma ktheu. I propozova një zgjidhje. U zbut dhe po priste çfarëdo të thosha. Para disa ditësh në muajin tetor në kuadër edhe të muajit të letërsisë dhe arteve ishte mbajtur Plenumi i 15-të KQ-së, ku jepeshin orientimet për zhvillimin e artit dhe letërsisë, por kryesisht dhe si duhet të mbështeten ato në traditën tonë dhe ku kishte dhe mjaft fraza të gjetura që mund t’i përdornim, i propozova një frazë që më kishte bërë përshtypje, por që nuk e mbaja mend, por vetëm idenë e saj, duke i shtuar që këtë frazë e ka thënë R. Alia. Është dhe shkodran, - i thashë, - por mos u bëj merak nuk ja përmendim fare emrin as këtij, themi nga Plenumin i 15-të për Letërsinë dhe Artet dhe mjafton.

Hë si thua? Më pa me bisht të syrit, - i pëlqeu. Nuk je dhe aq i pamençëm, - më tha, dhe sa herë që i jepja ndonjë ide, qeshte dhe shpesh më prezantonte edhe te njerëz të panjohur, por me ton ironik: “Ja ky është profesori im”.

E vërteta është që edhe sot në hyrje të librit është shprehja që gjetëm dhe libri u botua.

Sot duket si përrallë, por, po të na kishte dëgjuar ndonjë spiun këtë bisedë, pasojat diheshin.

Ramadan Sokoli ishte një njeri me kulturë të gjerë, një figurë poliedrike në kuptimin e mirë të fjalës. Me atë mund të bisedoje për çdo fushë të artit, por edhe të shkencave humanitare, duke gjetur përgjigje profesionale dhe bashkëkohore, një enciklopedi e gjallë. Biblioteka e tij në shtëpi ishte shumë e pasur jo vetëm me literaturë muzikore partitura, por sidomos me libra filozofikë, kritikë letrare, artistike, por ishte dhe një shans që e shoqja Lili punonte në Bibliotekën Kombëtare dhe çdo libër, që i duhej për punë studimore mund dhe ta siguronte duke e porositë nga jashtë.

Për të publikuar studimet e tij, përveç korrespondencës që kishte me shumë muzikologë ai shfrytëzoi revistën “Shqipëria e Re” që dilte dhe në gjuhë të huaj, por edhe emisionet e Radio-Tiranës një rubrikë “Të njohim traditat tona muzikore”, që shpesh e shpjegonte vetë në mikrofon. Më vonë shumë botime shkencore gjetën dritën e botimit te revista “La lettres Albanais”. Ramadan Sokolit i vinin shumë ftesa nga kongrese ndërkombëtare muzikologjike që nga Moska, Tokio, Parisi, Roma, Budapesti deri nga Amerika, por ai asnjëherë nuk mori pjesë në to, dhe kjo nuk qe vetëm një dëm për atë por për mospërfaqësimin denjësisht të kulturës sonë etnomuzikologjike në këto forume dhe në dëm të kulturës sonë.

Ajo që është për t’u theksuar dhe nënvizuar është se ky shkencëtarë i madh të gjitha veprat që shkroi i realizoi duke qenë një mësues i thjeshtë në shkollën e mesme artistike “J. Misja” me normë të plotë dhe duke dhënë mësim jo vetëm në degën e flautistit, të cilën ai themeloi, por edhe solfezh, harmoni, muzikë dhome e më vonë folklorin muzikor.

Edhe kur u themelua Konservatori Shtetëror i Tiranës në vitin 1962, nxënësit e tij jepnin mësim në këtë institucion të lartë të muzikës ndërsa ai jo, por kurrë nuk e dha veten, ai vazhdonte të nxirrte kuadro dhe të jepte mësim me një devocion që është vetëm në natyrën e njerëzve të veçantë dhe që bëjnë historinë e vendit të tyre.

Ramadan Sokoli është i pari që përgatiti tekstin e folklorit muzikor dhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës jo pa vështirësi e miratoi për edukimin e brezit të ri të muzikantëve me kulturën popullore e folklorike kombëtare, duke i dhënë një fizionomi të re shkollës sonë, por dhe karakterin kombëtar të saj. Dhe për çudinë tonë atëherë ishim studentë, profesori vinte dhe jepte mësim si pedagog i jashtëm dhe pa pagesë lëndën e folklorit muzikor që ai vetë e kishte përshtatur për Konservator.

Ramadan Sokoli me mendjen e tij të ndritur na sjell një krijimtari me studime etnomuzikore që nga antikiteti ynë me “Vallet e muzika e të parëve tanë”, ilirët, si një gjurmues i pasionuar, ka pasuruar fondin tonë kulturor e kulturën tonë muzikore duke zbuluar figura gjigante siç janë Niketë Dardani e Jan Kukuzeli, duke ndriçuar shekull pas shekulli me figurat e ndritura si në librin “16 shekuj” deri në ditët tona për të ardhur te krijimtaria e tij si këngët “Blegëron delja” , “Turtullesha” etj., ku na prezantohet jo vetëm si studiues, por dhe krijues me ndjeshmëri poetike krejt të veçantë muzikore.

Hulumtimet e tij etnomuzikologjike janë shtigje të reja që shkelen për herë të parë nga ky studiues pasionant që shquhet për thellësinë e mendimit, gjerësinë e horizontit kulturor si dhe seriozitetin e gjykimit shkencor të lëndës që merr për objekt studimi.

Duke i hedhur një vështrim të shkurtër veprave studimore të prof. Sokolit, konstatojmë me kënaqësi se ajo shtrihet në 20 shekuj të etnisë së kombit tonë dhe përbën vlera të pamohueshme në panteonin tonë kulturor, por profesori ynë i nderuar gjatë gjithë veprimtarisë së tij në regjimin komunist nuk ka një vlerësim sado të vogël për veprat e tij dhe as një “Fletë lavdërimi” nga ato që rëndom jepnin për bashkimet profesionale. Shpesh me ironi dhe cinizëm për regjimin, profesori tregonte se të vetmen “Fletë Nderi” që ka marrë, ka qenë në qitje ushtarake në zbor që çuditërisht, rastësisht kishte dalë shkëlqyeshëm.

Ndryshimet demokratike në vendin tonë profesor Sokolin e gjetën në moshën e tretë, në të 70-at, mbasi kishte harxhuar gjithë dijet dhe mundin për të vënë gjithçka në të mirë të kulturës kombëtare, por pa ndonjë vlerësim dhe pa më të voglën vëmendje për ta shpërblyer me tituj apo ndere të tjera. Duhet të vinte viti 1995, kur Akademia jonë e Shkencave i akordoi titullin “Profesor”. Në vitin 2000, Qendra Ndërkombëtare e Jetëshkrimeve në Cambridge të Anglisë e përfshin në Enciklopedinë e Personaliteteve të Shquara.

Në vitin 2002 nga Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu, i akordon titullin “Mjeshtër i Madh” dhe pas kësaj, qyteti i tij i lindjes, Shkodra, Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, i jep titullin “Qytetar Nderi”. Po në vitin 2006 Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep medaljen “Emblemë e Kulturës Shqiptare” dhe po brenda këtij viti ABI/Instituti Amerikan i Biografive i jep Diplomën “Ekspert në Etnomuzikologji dhe Kompozim”.

Ramadan Sokoli njihet edhe si një penë shumë e njohur në publicistikë. Një faqe e ndritur jo shumë e njohur është dhe krijimtaria muzikore në gjini të ndryshme e profesor Ramadan Sokolit, por ajo meriton një vështrim me karakter njohës, studimor dhe publikues, sepse ka edhe shumë vepra që ende nuk kanë parë dritën e ekzekutimit në publik. Në këtë përvjetor vetëm rikujtuam këtë figurë të ndritur të kulturës sonë kombëtare, por vepra e Sokolit meriton të jetë më shumë objekt studimor i Akademisë së Shkencave, si dhe në vëmendjen e Ministrisë së Turizmit të Kulturës, Rinisë e Sporteve, për të përgatitur një kolanë të plotë të veprës së këtij kollosi të muzikologjisë sonë, mbasi botimet e deritanishme lënë shumë për të dëshiruar dhe kjo duhet të ndodhë brenda viti 2010, kur Ramadan Sokoli ka 90-vjetorin e lindjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›