INSTAT: Ne matim popullsinë rezidente
Numri i popullsisë në janar 2008, 3.170.048 banorë
Personat e emigruar nuk përfshihen në përllogaritje
Numri i popullsisë i matur me metodat e përdorura nga INSAT dhe ai i nxjerrë nga listat e gjendjes civile është i ndryshëm nga njëri-tjetri, pasi mënyra e përllogaritjes ndryshon. Një fakt i tillë është pranuar dje në mënyrë publike nga Emira Galanxhi, përgjegjëse e Sektorit të Demografisë pranë INSTAT. Institucioni i Statistikave është detyruar të bëjë një sqarim publik, për të qartësuar se numri popullsisë i publikuar nga Ministria e Brendshme është i saktë, pavarësisht se ai është i ndryshëm nga ai i dalë nga INSTAT. Sipas Galanxhit, INSTAT në përllogaritjen e popullsisë shqiptare përdor definicionin e popullsisë sipas vendbanimit të zakonshëm (Usual Resident Population), i cili nuk përfshin personat e emigruar, shifër kjo e cila në janar të vitit 2008 është 3.170.048 banorë. “Përkufizimet e përdorura nga gjendja civile, pra regjistri ku bazohet Ministria e Brendshme për listat e zgjedhësve dhe INSTAT janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Një nga detyrat e Gjendjes Civile është të përgatisë listat e zgjedhësve, të cilat detyrimisht përmbajnë të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët kanë të drejtë të votojnë, e drejtë kjo që u jepet nga Kushtetuta e Shqipërisë, qofshin ata rezidentë apo emigrantë. Pra popullsia që vjen nga Zyrat e Gjendjes Civile është popullsia e shtetasve shqiptarë, si rrjedhojë, edhe numri i tyre ndryshon shumë nga numri i INSTAT për popullsinë”, - ka theksuar përgjegjësja e sektorit demografik pranë INSTAT. Sipas saj, definicioni i popullsisë sipas vendbanimit të zakonshëm (rezidentë) vjen nga rekomandimet e Eurostatit dhe të UN, të cilin e përdorin në të gjitha vendet, për të mos pasur dublime të popullsisë në vende të ndryshme. Ky definicion e përcakton popullsinë banuese, duke marrë parasysh një periudhë prej 12 muajsh. Pra popullsia që banon zakonisht në një vend të caktuar; popullsia që është përkohësisht në mungesë (pra ka më pak se 12 muaj që nuk banon në vendbanimin e zakonshëm) dhe popullsia përkohësisht prezente (pra që ka më pak se 12 muaj që banon në një vend të caktuar, por ka si qëllim të vazhdojë të banojë në të njëjtin vendbanim). Ajo sqaroi se INSTAT e llogarit popullsinë çdo vit dhe e publikon atë në maj. Metoda e llogaritjes së popullsisë me vendbanim të zakonshëm (rezidente) ka të bëjë me rritjen natyrale të saj (lindje–vdekje), si dhe projeksionin e migracionin që vjen nga projeksionet pas regjistrimit të popullsisë 2001. Projeksionet e popullsisë kryhen zakonisht pas çdo regjistrimi popullsie dhe për 20 vitet e ardhshme.