Formulari A1, shkollat mund të shtyjnë datën e plotësimit
MASH: Deri tani nuk ka kërkesa, por shkollat kanë afat t’i dorëzojnë deri më 25 mars
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka dhënë mundësinë që shkollat e mesme të shtyjnë afatin në raste të veçanta për plotësimin e Formularit A1. Burime zyrtare nga kjo ministri bëjnë të ditur se deri tani nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për shtyrjen e afatit, porse nëse do të ketë, mund të bëhen lëshime. Shkollat e mesme do të duhet të dorëzojnë në drejtoritë apo zyrat arsimore të gjithë formularët deri më 25 mars, e deri në këtë kohë mund të “manovrohet” për ata nxënës që nuk patën mundësinë për arsye objektive për të plotësuar formularët në fjalë.
Formulari
Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, znj. Ermelinda Muho, deklaroi dje për “standard” se deri tani nuk ka pasur asnjë kërkesë për të shtyrë afatin e plotësimit të formularëve A1 dhe A1z nga shkollat e mesme apo nga drejtoritë arsimore. Megjithatë, nëse diçka e tillë do të kërkohet për raste të veçanta, vetë shkollat do të mund të bëjnë përjashtime, pasi kanë kohë deri më 25 mars për të dorëzuar formularët.
“Në udhëzimin e Maturës Shtetërore është përcaktuar që shkollat kanë afat deri më 25 mars për të dorëzuar në drejtoritë arsimore rajonale ose në zyrat arsimore të gjitha formularët A1 dhe A1z të plotësuar nga maturantët. Edhe pse zyrtarisht përfundoi dje afati i plotësimit, nëse shkolla të caktuara kërkojnë një afat shtesë për raste të veçanta, atëherë kjo mund të plotësohet brenda këtij afati”, – deklaroi znj. Muho.
Si plotësohet formulari
Tek Formulari A1 duhet të shkruhet emri i drejtorisë arsimore rajonale ose zyrës arsimore, emri i qytetit ose fshatit, si dhe emri i shkollës. Në bazë të tabelës nr. 1 që ndodhet në formular, shënohet profili ose dega e shkollës së mesme të maturantit. Kur nxënësi ka mbaruar studimet para vitit 2009, qarkohet shkronja (U). Ndërkohë që tek lëndët dhe notat e shkallëzuara D1 dhe D2 është e vlefshme për nxënësit që kanë dhënë provimet me detyrim në Maturën Shtetërore 2006, 2007, 2008. Për nxënësit që kanë mbaruar maturën para vitit 2006, do të vendosen notat ekuivalente me provimet e detyruara. Tek lista e lëndëve me zgjedhje duhen qarkuar dy lëndët me zgjedhje që do të jepni provim dhe numrat që u korrespondojnë. Në këtë formular duhet shkruar emri i DAR ose ZA, emri i qytetit ose fshatit si dhe emri i shkollës. Ndërkohë që bazuar në tabelën nr. 1, duhet të gjeni indeksin e degës dhe shënoni numrin që përfaqëson dega që ju po ndiqni ose keni ndjekur. Për nxënësit që duan të vazhdojnë studimet jashtë shtetit, shënojnë një kryq (x) në kutinë përbri (po). Gjithashtu, duhen shënuar lëndët me zgjedhje që do të mbarten dhe nëse lëndët e mbartura janë dhënë provim më shumë se një herë, duhet të shënohet viti i fundit.