Për një strategji kulturore

Pyetja që shtrohet është nëse Strategjia për Kulturë (ose Turizëm Kulturor) e Prizrenit, si dokument strategjik zhvillimor, është veprim i duhur. Dhe, nëse po, cilat janë veprimet që duhen ndërmarrë, gjegjësisht si do të duket ky dokument në realitet.
Leo’s Art Organization, Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren dhe Rrjeti i Organizatave të Pavarura të Kulturës në Kosovë, ka iniciuar debatin “A i nevojitet Prizrenit një Strategji për Kulturën?”, që do të mbahet më 29 shtator 2012, në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, me fillim nga ora 17.
Panelistë do të jenë drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizreni, Samir Hoxha; Arben Shala nga Fondacioni Legatum; Florent Mehmeti nga Teatri ODA; dhe Eroll Bilibani nga Dokufest. Në debat janë ftuar përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, të shoqërisë civile, mediave, organizatave ndërkombëtare, etj.
Debati organizohet në kuadër të festivalit SculpEdu.
Ndryshe, Rrjeti i Organizatave Kulturore të Prizrenit është rrjet joformal i organizatave të kulturës të Komunës së Prizrenit. Anëtarë të Rrjetit janë EC Ma Ndryshe, Dokufest, Fondacioni për Trashëgimi Kulturore, Forumi për Trashëgimi Kulturore, Academy for Training and Technical Assistance, N’GO, GreenArt, X40, Ura e Artit, Durmish Asllano, ICEC, Old timer Club Prizren, Shoqata e Bjeshkatarëve Sharri, Leo’s Art Organization dhe Xhennet Comics.