Për një teatër terapik

Nobelisti turk sot me studentët dhe politikanët
Shkrimtari turk Orhan Pamuk, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2006, vjet mbërrin sot në mëngjes në aeroportin "Nënë Tereza" të Tiranës. Vizita e tij dyditore nis menjëherë me takimet e nivelit të lartë.
Shtëpia botuese "Skanderbeg boks" që prej katër vitesh boton Pamuk, ka njoftuar se ditari i takimeve nis në Presidencë në orën 11.00 ku do të pritet nga presidenti Bamir Topi.
Në orën 12.00 pritet në takim nga kryeministri Sali Berisha në Selinë e Kryeministrisë dhe prej andej, në 12.30 në në Selinë e Rektoratit të Universiteti Shtetëror të Tiranës, ku mbahet ceremonia e dhënies së titullit "Doctor Honoris Causa". Prej orës 13.00 shkrimtari do të jetë te studentët Fakulteti Filologjik.
Në mbrëmje, ora 19.00, në Sallën e Kuvendit të Shqipërisë bëhet prezantimi i veprës së tij "Stambolli" në prani të njerëzve të letrave, personalitete të kulturës, akademikë, përfaqësues të politikës, të medias, etj. E marta është lënë për një udhëtim drejt Beratit. Autori ka shprehur dëshirën të vizitojë qytetin muze dhe pasurinë e tij ikonografike. Dhe më 19 maj Pamuk lë Shqipërinë.
Nobelisti ka të përkthyer në shqipe deri më tani romanet "Unë jam e kuqja", "Bora", "Kështjella e bardhë", "Shtëpia e heshtjes", "Jeta e re" dhe libri me ese "Baulja e babait". Gjatë këtij viti pritet të botohen romanet "Muzeu i pafajësisë" dhe "Libri i zi".
"Ne e "gjejmë" vendlindjen vetëm kur largohemi", shkruan Gëzim Alpion në hyrjen e botimit amerikan të dramës "Sikur të vdekurit të dëgjonin", përkthyer së fundi në shqipe.
Autori komenton përvojën personale me spektatorin dhe qëllimin e artit si terapi e cila jo gjithmonë është një eksperiencë e këndshme
Në diskutimin me spektatorët pas shfaqjes në mbrëmjen e premierës britanike të dramës Sikur të Vdekurit të Dëgjonin (If Only the Dead Could Listen) më 7 Shkurt 2006 në Teatrin MAC në Birmingham, një aktor i ri nga Bosnja më pyeti se përse, sipas tij, po tregohesha kaq i ashpër me Britaninë, veçanërisht duke pasur parasysh se sa shumë ka bërë qeveria dhe populli britanik për të ndihmuar refugjatët.
Ai, sigurisht, fliste nga eksperienca e tij dhe e shumë refugjatëve dhe azil-kërkuesve të cilët janë mirëpritur në Britani dhe ku po rindërtojnë nga e para jetët e tyre të shkatërruara si edhe po japin një kontribut të paçmuar për ekonominë dhe kulturën britanike.
Aktori, me sa dukej, e shikonte dramën si një kopje të plotë të realitetit, gjë që nuk është e vërtetë.
Unë nuk isha i bindur kur mu drejtua pyetja e lartpërmendur, ashtu siç nuk jam i bindur edhe tani, se në dramën Sikur të Vdekurit të Dëgjonin nuk kam mbajtur qëndrim të drejtë ndaj Britanisë.
Mbi të gjitha, drama ime nuk është vetëm rreth te metave në sistemin e azilit në Britani. Po ashtu ajo nuk është kryesisht rreth padrejtësive me të cilat përballen refugjatët kudo në Europë, siç kanë vërejtur disa kritikë.
Në këtë vepër jam përpjekur që të nxjerr në pah, nëpërmjet gjuhës së dramës, pasigurinë që përjetojnë shumë refugjatë në vendet e tyre dhe në vende të huaja.
Ajo çfarë u ndodh personazheve të dramës time në Britani mund t'iu ndodhë njerëzve kudo në botë, në Lindje dhe Perëndim.Unë e kuptoj përse disa komentatorë e kundrojnë Sikur të Vdekurit të Dëgjonin si dramë politike.
Unë nuk e shoh veten si shkrimtar politik, gjë që nuk do të thotë se jam apolitik, por se jam i sigurtë se nuk ndikohem nga politika. Ajo çfarë jam përpjekur të trajtoj në këtë vepër janë traumat që vijnë si rezultat i vendimit të njerëzve për të lënë atdheun e për të filluar jetën sërish në një vend tjetër.
Pavarësisht se dikush është refugjat politik apo emigrant ekonomik, dhimbja e largimit është e njëjtë. Largimi nga vendlindja është tragjedi. Vlera e atdheut kuptohet vetëm pas largimit.
Megjithëse unë vetë nuk jam një refugjat, nuk kam dyshim se vendimi që mora për të mos u kthyer në Shqipëri pas përfundimit studimeve të doktoraturës në Universitetin e Durhamit në Angli në 1997, ishte një vendim ekstrem me shumë rrjedhoja për mua.
Megjithatë, nëse do të mundja të ktheja kohën mbrapa, do të bëja përsëri të njëjtën gjë. Por unë flas si shkrimtar dhe, në rastin tim, të qëndruarit jashtë atdheut ishte vendimi im dhe jo një detyrim i kushtëzuar nga rrethana që nuk ishin në dorën time.
Kjo largësi fizike nga vendi amë është jetike për artistin për t'i vënë gjërat në një këndvështrim tjetër, për të marrë nga kulturat e tjera, dhe për të vlerësuar historinë dhe trashëgiminë e tij në mënyrë kritike. Ne e "gjejmë" vendlindjen vetëm kur largohemi.
Mësimi më i rëndësishëm që kam nxjerrë nga largimi im është se askush nuk mund dhe nuk duhet ta shikojë vendin, popullin dhe historinë e tij sikur të jenë pa të meta. Kjo është deri diku ajo që jam përpjekur të them nëpërmjet personazheve të mi në dramën Sikur të vdekurit të dëgjonin.
Por a do të thotë kjo se personazhet janë vetja ime?
E rrënjosur në përvojën vetjake të artistit, çdo vepër arti është deri diku edhe një autobiografi.
Në këtë kuptim personazhet e dramës janë "zëdhënësit" e mi. Megjithatë, si për inatin dhe kënaqësinë time, unë vura re që në fillim se nuk mund t'i mbaja nën kontroll personazhet e mi; ato filluan shpejt që të mos më binden, të kishin jetën e tyre, veçanërisht dy protagonistët kryesorë, Leka Trimi, një azil-kërkues me origjinë nga Kosova, që është truall shqiptar, dhe Alma Gurabardhin (Stoun), një studiuese nga Tirana me një karrierë premtuese në Britani.
Gjatë ballafaqimit të tyre në një rajon policie në Londër, Leka dhe Alma prekin dy nga temat kryesore të dramës: patriotizmin dhe humanizmin. Këto tema ishin në qendër edhe të dramës time Kuponat që e shkrova në 2001.
Me regji të dramaturges serbe Dushka Radosavljevic, kjo dramë u shfaq për herë të parë në Festivalin e Dramës Bashkëkohore Evropiane në Hadersfild të Britanisë në Mars 2002. Mua më bëri përshtypje guximi i Radosavljevic-it për të vënë në skenë këtë dramë, pavarësisht se kjo vepër përshkruan krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë në vitin 1999.
U inkurajova nga suksesi i shfaqjes së Kuponave, megjithatë menjëherë pas saj fillova të bëj ndryshime në tekst, ndonjëherë duke e rishkruar nga e para.
Ky ishte një proces i gjatë dhe i lodhshëm, i cili përfshiu disa udhëtime në Ballkan, për të parë me sytë e mi realitetet që Leka dhe Alma kishin lënë prapa në fillim të viteve 1990-të.
Gjatë këtyre udhëtimeve në vendlindje, më shumë se kurrë më pare, e ndjeva veten si të huaj, veçanërisht gjatë vizitave në Shqipëri të cilën fillimisht e kisha lënë në vitin 1985 për të studiuar në Universitetin e Kajros në Egjipt.
Sado që në fillim ishte e dhimbshme ndjenja e të qenit "i huaj" dhe "pa rrënjë", në fund më vleu shumë për të trajtuar temat më delikate të dramës në një mënyrë gjithnjë e me të pavarur, veçanërisht ato të patriotizmit dhe humanizmit.
Unë nuk doja të mbaja anën e askujt kur përshkruaja apo përmendja konfliktet ndërnacionale apo ndërkombëtare në Ballkan. Shpresoj që të mos kem anuar nga asnjëra anë.
Paanshmëria është një parim që të kushton shumë; e megjithatë unë jam përpjekur ta ndjek atë në mënyrë të vazhdueshme qoftë si dramaturg apo edhe studiues i shkencave sociale.
Shpesh më pyesin nëse ngjarjet në dramat e mia kanë ndodhur me të vërtetë. Linjat e ngjarjeve që shtjellohen në Kuponat dhe Sikur të vdekurit të dëgjonin janë plotësisht fryt i imagjinatës time. Megjithatë, nëse do të bëja një shqyrtim të imtësishëm të dorëshkrimeve të dramave, shihet qartë se nuk kam krijuar apo trilluar asgjë.
Unë thjesht u kam dhënë formë atyre copëzave të shumta të informacionit që kam ndeshur jo vetëm mes viteve 2000 dhe 2006, kur po shkruaja dhe rishkruaja vazhdimisht tekstet, por ndoshta qëkur kam qenë fëmijë.
Nëse do të përdorja një klishe, më dukej sikur i kisha përjetuar këto linja ngjarjesh gjatë gjithë jetës time. Ishte thjesht çështje kohe se kur do të "detyrohesha" t'i hidhja ato në letër.
Unë u gëzova kur në fund të vitit 2005, Këshilli i Arteve të Anglisë më miratoi një fond që mundësoi regjisorin e talentuar sri lanko-britanik Marcus Fernando dhe kompanisë teatrore Dreamscape të vinte në skenë këtë dramë në Teatrin MAC në Birmingam në Shkurt 2006.
Shfaqjet e Marsit 2008, në Teatrin Arena në Ullverhampton u sponsorizuan nga r:evolve, një konsorcium i Teatrit Arena, Qendrës së Arteve në Midlands (MAC) dhe Turneut Blek Kantri.
Shfaqjet u pritën shumë mirë nga kritikët, gazetarët dhe spektatorët. Për mua, suksesi i shfaqjeve është tregues edhe i vizionit të Fernandos, trupës së talentuar e të përkushtuar të aktorëve që ai përzgjodhi (Andrew Cullum, Peter Collis, David Wake dhe Laurence Saunders, i vetmi aktor që iu bashkua trupës në 2008-ën.), si dhe muzikës mbresëlënëse të kompozuar enkas nga Mark Taylor.
Fernandos i la mbresa të thella që në fillim personazhi i Lekës, të cilin ai e përshkruan si një "figurë mahnitëse dhe një sfidë për çdo aktor që e interpreton, i cili luhatet midis një palaçoje dhe filozofi, dhe midis një të dëbuari të zemëruar dhe një të dashuruari që vajton. Personazhi është herë simpatik, herë arrogant, herë i apasionuar, dhe herë i pështirë.
Për një rol të tillë duhet një aktor i fortë dhe shumëplanësh. Fernando e gjeti një aktor të tillë tek aktori i mirënjohur anglez Ricard Attlee, që interpreton rolin e Kenton-it në serialin britanik The Archers të transmetuar nga BBC Radio 4. Po ashtu, Fernando mori një vendim shumë të mirë kur i besoi rolin e Almës aktores kroate Tina Hofman. Attlee dhe Hofman nxorën në pah, në mënyrë të shkëlqyer urrejtjen dhe simpatinë e Lekës dhe Almës për njëri-tjetrin.
Shumica e njerëzve që më kanë shkruar për shfaqjet kanë theksuar se u ka ngjallur kureshtje agresiviteti i Lekës, disa prej të cilëve e kanë quajtur edhe "brutalitet", si dhe fundi i papritur i dramës, që sigurisht është tragjik. Disa madje mendojnë se unë jam treguar shumë i ashpër me Lekën dhe Almën. Është e qartë se ata që kanë ndjekur shfaqjet janë prekur prej tyre.
Ky është lajm i mirë. Në diskutimin pas shfaqjes, që e përmenda në fillim, theksova se nuk jam argëtues; unë shkruaj me qëllim që të shqetësoj njerëzit. Qëllimi im është që spektatorët të largohen në fund të shfaqjes nga salla me një seri pyetjesh, përgjigjet e të cilave duhet t'i gjejnë ata vetë.
Drama është rreth shenjtërisë së jetës dhe dinjitetit njerëzor, dhe nëse spektatorët shqetësohen, atëherë, për mendimin tim, kjo është një shenjë të mirë. Arti është më se i arrirë kur shërben si terapi, dhe terapia jo gjithmonë është një eksperiencë e këndshme.
Përktheu nga anglishtja: Geron Kamberi