E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Është koha që liderët politikë t'i japin fund ngërçit

Në kulmin e debatit për zgjidhjen e krizës politike, Bashkimi Europian bën të ditur se do të mirëpresë çdo marrëveshje politike që do të arrinte të respektonte njëkohësisht edhe Kushtetutën dhe të drejtën për të bërë transparencë mbi procesin e shkuar zgjedhor.


Ka qenë përfaqësuesi i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ai që, pavarësisht se nuk ka dashur të komentojë asgjë lidhur me kompromisin që foli dy ditë më parë homologu i tij i OSBE-së, Robert Bosch, ka theksuar se Bashkimi Europian do të përshëndeste çdo zgjidhje mbi parimet e demokracisë.


"Bashkim i Europian do të mirëpriste çdo lloj marrëveshje që do të arrihej mes udhëheqësve politikë të Shqipërisë, e cila do të respektonte parimet e demokracisë, të cilat janë kushtetuta dhe transparenca", - tha Lohan dje në një prononcim të shkurtër për gazetarët.


Megjithëse nuk ka dashur të bëjë të ditur nëse ekziston apo jo një dokument kompromisi, Lohan ka deklaruar se nga e marta e shkuar, kur edhe BE ka dhënë një qëndrim zyrtar të fundit lidhur me krizën politike në Shqipëri, nuk ka pasur asnjë progres, duke lënë të kuptohet se palët janë ende larg një kompromisi.


"Më lejoni të shtoj dhe një fjalë tjetër: ditën e martë BE ka theksuar rëndësinë që të gjitha palët të bashkëpunojnë në mënyrë aktive që të rivendosin funksionimin e pandërprerë të parlamentit, duke përfshirë si mazhorancën qeverisëse ashtu edhe opozitën.


Që nga dita e martë ne nuk kemi parë progres apo ecuri qoftë në parlament apo në rrugë", - u shpreh Lohan. Megjithatë, ai i ka bërë apel liderëve politikë në vend se ka ardhur momenti për t'i dhënë fund kësaj situate në të mirë të vendit. "Tani është koha që udhëheqësit politikë shqiptarë t'i japin fund ngërçit politikë në Shqipëri", - u shpreh Lohan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›