Për pavarësi shfaqet “Darka e gabuar”

Pas suksesit që njohu në Tiranë, shfaqja “Darka e gabuar” do të shfaqet sonte edhe në Prishtinë. Shfaqja është e bazuar në romanin e Ismajl Kadaresë, dramatizuar nga regjisori Fatos Haxhiraj.
Drejtoresha e Tetarit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, gjatë një konference të mbajtur të mërkurën, u shpreh e kënaqur sa i përket këtij bashkëpunimit të treguar për realizimin e kësaj shfaqje me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.
Berisha tha se “Darka e gabuar” do të shfaqet për qytetarët kosovarë për nderë të tre vjetorit të Pavarësisë.
”Kësaj radhe jemi bashkërisht me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Kemi vendos që t’i bashkojmë këto dy teatro që të jem më komfor. Shfaqja që do te jepet sot është “Darka e gabuar”, e autorit të njohur, autorit më të mirë që e kemi ne Ismail Kadare dhe të regjisorit Fatos Haxhiraj. Në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes të bashkëpunimit mes dy shteteve, shfaqja do të jepet për nder të trevjetorit të Pavarësisë së Kosovës. I jam shumë mirënjohëse Teatrit Kombëtar të Shqipërisë që kanë shpreh gatishmërinë të vinë në këtë datë të madhe për Kosovën”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, drejtori i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Kristaq Skrami, duke folur për bashkëpunimin në mes dy teatrove, ka folur edhe për performancën dy javore të aktorëve kosovarë në Tiranë.
“Është një kënaqësi e veçantë që ne të teatrit shqiptar të jemi bashkëpunëtorë tuaj në këtë ditë të shënuar, do të thosha për kombin shqiptar. Unë e mirëprita shumë ftesën që drejtoresha ma bëri më parë, për të parë një nga shfaqjet më të mira të Teatrit Kombëtar në prag te trevjetorit të shpalljes së pavarësisë të Kosovës”, tha Skrami.
Në shfaqjen “Darka e gabuar” do të interpretojnë disa prej emrave më të mëdhenj të teatrit shqiptar, si Bujar Asqeriu, Artan Imami, Ahmet Pasha, Naun Shundi, Anastas Kristofori, Mehdi Malka, Guri Koço, Marjana Kondi dhe Dritan Boriçi.