Për plehrat dhe ndotjen kush mendon?
Nga Dritan Idrizi
Me muaj të tërë u zhvilluan tubime, mbledhje firmash për referendum dhe një betejë mediatike, në lidhje me çështjen aq të rëndësishme dhe delikate të importit të mbetjeve, nga vendet fqinje. Prej muajsh disa intelektualë shqiptarë, pjesë e shoqërisë civile dhe mbështetës të partive të ndryshme politike, kanë ngritur zërin në lidhje me rrezikun që ekziston në lidhje me ligjin e importit të mbetjeve. Zëri i tyre ra në vesh të shurdhër edhe pse morën vlerësimin maksimal nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, duke u vlerësuar me çmimin Kampion i ACTNOË, një çmim që ka si qëllim vlerësimin e një veprimtarie të caktuar të ndërmarrë nga njerëz të shoqërisë civile.
Por, disa ditë më parë, kryeministri akoma në detyrë, firmosi marrëveshjen me dy firma të huaja një italiane dhe një greke për futjen e mbetjeve në vendin tonë me qellim rickilimin e tyre duke harruar se ato përbëjnë një rrezik të vërtetë për mjedisin dhe jetën e njerëzve sepse sikurse e dimë, ne nuk kemi kapacitetet e mjaftueshme për të ricikluar plehrat tona e jo më ato të importuara nga shtetet e tjera.
Por, përtej këtij fenomeni të mirëpritjes së plehrave të të tjerëve ky problem përbën një rrezik shumë të madh për cilësinë e jetës së qytetarëve në vend dhe si i tillë nuk mund të anashkalohet si nga pushteti vendor ashtu dhe nga ai qendror.
E kam fjalën për mbetjet urbane që krijojmë të gjithë ne, mbetje të cilat shkaktojnë ndotje dhe infektojnë ambientin dhe shëndetin e gjithsecilit prej nesh. Menaxhimi i mbetjeve urbane për Shqipërinë është një problem historik , i cili akoma nuk ka gjetur zgjidhje dhe që krijon gjithnjë debat edhe pse nuk amplifikohet sa duhet. Kjo ndodh për shkak se nuk ka një plan konkret sesi duhet bërë menaxhimi i mbetjeve edhe pse asistenca nga organizatat apo institucionet e ndryshme ndërkombëtare që merren me këto çështje dhe kontribuojnë me ide dhe projekte konkrete të implementuara në vendet e tyre, nuk ka munguar. Janë zhvilluar takime, janë mbajtur konferenca me të gjitha palët e interesuara, por asgjë konkrete nuk duket në horizontin gri, megjithëse ky është një problem që duhet të kishte dalë në plan të parë, madje edhe mbi mosmarrëveshjet, tanimë historike, që pushteti lokal dhe ai qendror kanë, probleme që shpesh lidhen ngushtë me kahun politik të cilit i përkasin këto dy pushtete.
***
Në vendin tonë ka disa landfill-e si ai i Sharrës, i Bushatit, i Korçës, ku rregullisht apo çrregullisht bëhen depozitime të mbetjeve urbane. Them çrregullisht sepse rreth një vit më parë, kur ambasadori i OSBE-së, i asaj kohe, shkoi për të vizituar Landfill-in e Bushatit, u përmend edhe konflikti që kishte, Komuna Bushat me Bashkinë e Shkodrës për depozitimin e mbetjeve të kësaj të fundit në landfillin e Bushatit, pasi Bashkia e Shkodrës nuk pranon të paguajë një haraç, për të depozituar mbetjet e saj, por preferon ti hedhë ato në shtratin e lumit Kir, gjë e cila para një viti çoi në ekspozimin e këtyre mbetjeve përgjatë gjithë pjesës veriore të bregdetit Adriatik, deri në brigjet e Kroacisë.
Kjo është gjendja aktuale e mbetjeve në Shqipëri, fatkeqësisht! Pyetja që lind natyrshëm është: – Kur do ketë një plan konkret për menaxhimin dhe depozitimin e tyre në vendet përkatëse?
Landfill-i i kryeqytetit të vendit, Tiranës, është i vetmi vend ku depozitohen plehrat e 900 mijë banorëve, vendi i cili së shpejti, ne 3 ose 4 vjet, do të jetë i mbushur plot e përplot me mbetje të të gjitha llojeve, mbetje të cilat në rast se do diferencoheshin në kosha të ndryshëm do kishin çuar në një menaxhim më të mirë të hapësirës së landfill-it, në rritjen e të ardhurave të kompanive ricikluese por edhe të Bashkisë, dhe do çonin në uljen e ndotjes dhe erërave të këqia, që përhapen anë e mbanë në të gjithë shtrirjen e qytetit të Tiranës.
Bashkia por dhe firma në ngarkim nuk kanë marr ë asnjë masë konkrete në lidhje me këtë problem që dita ditës bëhet më i madh dhe së shpejti do të ndezë alarmin e mjedisit të ndotur që na rrethon.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ajri që ne thithim është me një ngarkesë dioksidi karboni rreth 10 here më të lartë se kufiri i vënë nga Bashkimi Europian.
A nuk e bën kjo situatën edhe më alarmante?
Mjekët theksojnë vazhdimisht rritjen e numrit të të sëmurëve me azëm, apo me sëmundje të tjera që lidhen me aparatin aspirator, si forma të ndryshme të alergjive, që kanë prekur të gjitha grupmoshat, përfshi edhe fëmijët.
Kjo është ajo çka qytetarët duhet ta paguajnë me shëndetin e tyre!
Ndotja që vjen nga makinat e amortizuara, madje shumë të vjetra të cilat edhe pse i nënshtrohen kontrollit teknik dhe rezultojnë të jenë jashtë standardeve të lejuara te qarkullimit rrugore, vazhdojnë të lëvizin në rrugët tona.
Një faktor tjetër është edhe mos pastrimi i rrugëve dhe trotuareve nga makinat e pastrimit, që duhet të jenë të pranishme çdo ditë, por që ne nuk na i zë syri pothuajse asnjëherë, apo nga punonjësit e pastrimit, edhe pse ne si qytetarë jemi pagues të rregullt të taksës se pastrimit të caktuar nga Bashkia e qytetit.
Fabrikat e çimentos, të cilat shpesh herë janë bërë objekt i kronikave të ndryshme në media, janë një nga ndotësit kryesor ne vend.
Por dhe djegia e plehrave dhe tymi mbytës i tyre është një fenomen mëse i zakonshëm. Disa ditë me parë teksa po kaloja në rrugën nacionale Vlorë-Himarë, saktësisht pak kilometra pa hyrë në Himarë, në afërsi të rrugës digjeshin plehrat dhe tymi kishte krijuar një mjegull artificiale në mes të dritës së diellit dhe në pikun e sezonit turistik, në një kontrast të vërtetë me natyrën e mahnitshme dhe aq qetësuese.
A nuk ndjen keqardhje secili nga ne përballë këtij realiteti të errët?
Mbase po, mbase jo, por një gjë është e sigurt që mbetjet dhe ndotja e mjedisit kanë mësyrë si kurrë më parë në të gjithë vendin, diçka më tepër në metropol, dhe po na mbysin të gjithëve edhe pse vetëm pak njerëz janë koshient për këtë.
Ka ardhur koha për të ndërhyrë seriozisht, për të bërë një kthesë të vërtetë dhe për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e plehrave, një çështje e cila ka ndikim dhe kosto për të gjithë ne që jetojmë këtu.