E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje, nuk prishet objekti, por rrihen inspektorët

Sherri mes Policise Bashkiake dhe asaj te ShtetitAksioni për prishjen e një ndërtimi pa leje në kryeqytet, ka agravuar deri në dhunë fizike mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, ndërsa vetë pronari i ndërtesës ka qëndruar larg sherreve. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme te Misto Mame në Tiranë kur Inspektorati Ndërtimor i Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës ka vijuar aksionin për prishjen e një shtese që po ndërtohej te një ndërtesë pranë kësaj zone. Nga ana e saj INU i Bashkisë e ka konsideruar pa leje shtesën, ndërsa Policia e Shtetit ka qenë kundër prishjes së objektit, duke dashur të zbatojë një vendim gjykate që lejon ngritjen e ndërtesës në fjalë.  Pavarësisht vendimit të gjykatës, Florenc Hoxha ka dashur të hyjë me dhunë në godinë, për ta prishur atë, ndaj dhe përplasja mes dy policive ka shkuar deri në debate, sherre e kërcënime, që janë shoqëruar më pas me grushte mes inspektorëve dhe përmbaruesve.

Vendimi i gjyaktës

Sipas Policisë së Shtetit dhe përmbaruesve privatë, ekziston një vendim gjykate për mos prishjen e objektit në fjalë, ndaj dhe ky vendim duhet respektuar, por ndërkohë kreu i INU Florenc Hoxha ka bërë me dije se ka ngritur një kallëzim penal për ndërtuesin dhe përmbaruesin privat. Denoncimi i Hoxhës është bërë pranë komisariatit numër 6 të policisë, për pengim të ushtrimit të detyrës dhe ushtrim dhune ndaj inspektorëve. Nga ana tjetër edhe pronarët e ndërtesës pretendojnë të jenë dhunuar nga forcat e INU, gjatë tentativës së tyre për të prishur këtë objekt.

Inspektorati bashkiak

Sipas Hoxhës, objekti nuk ka leje duke u nisur që nga kati i parë. Policia na pengon të kryejmë detyrën. Ndërtimi i tij po tentohet në mënyrë të paligjshme, tha dje Florenc Hoxha. Ndërkohë, ndërtuesi shprehet se: Gjykata na jep të drejtë për të vazhduar punimet, objekti i ka të gjitha dokumentet. Për më tepër mësohet se në mbështetje të policisë dje kanë shkuar 5 makina të njësisë speciale Shqiponja.

Përmbaruesit

Pas sherrit të paradites së djeshme, ka reaguar edhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësore Privat, e cila dënoi aktin e djeshëm të drejtorit të Policisë Bashkiake. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, përmbaruesit privat akuzuan Florenc Hoxhën se me veprim të paprecedent për një zyrtar të shtetit shqiptar, ai ka goditur me grusht përmbaruesin gjyqësor privat Z.Lefter Canaj, i cili nga goditja ka përfunduar në spital. Përmbaruesit i bëjnë thirrje strukturave ligj zbatuese të jenë më vigjilente në mbrojtjen e figurës së përmbaruesit gjyqësor, si personi kompetent për garantimin e zbatimi të vendimeve gjyqësore.

Arrestimet

Në lidhje me përplasjen në fjalë policia bën me dije se ka shoqëruar 6 persona; 5 inspektorë të bashkisë dhe përmbaruesin privat, që është vëllai i pronarit të ndërtesës. Shoqërimi i tyre sipas policisë është bërë për konfrontim. Ndërkohë sa i përket ndërtesës te Misto Mame, u vendos për pezullimin e punimeve. Pas takimit të zv/drejtorit të përmbaruesve privatë me përmbaruesin e godinës në fjalë është vendosur të pezullohen punimet, për të mos u shkaktuar incidente të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›