Për presidentin u vonuam duke i hapur rrugë këmbënguljes së marrëzisë
Ka kohë që filozofia politike e Edi Ramës është ndrydhur në tre-katër argumente: të bojkotit, të kutive, të konsensusit për konsensus, të modaliteteve për proces “të dakordësuar”, për tryezë të përbashkët ose edhe për ndonjë tjetër shpikje kësisoj. S’kishte dyshim që kjo filozofi politikëbërjeje do të prodhonte shterpësi, bllokim reformash, prishjen e imazhit të vendit për integrimin europian, po kurrsesi zgjedhje të parakohshme, me shpresë se një ditë mund të bien dardha nga qielli, domethënë se do të mund të arrihet froni kryeministror përmes intrigash çfarëdo lloj që do t’i vinin përhosh një aventurieri politik.
Procesi zgjedhor i presidentit të ri të Republikës e futi përfundimisht opozitën socialiste në qorrsokak, nga i cili zor se do të dalë dot edhe në zgjedhjet e ardhshme të 2013-s. Nën diktatin e kreut të saj, ajo i tejkaloi të gjitha kufijtë e marrëzisë politike. President politik? Jo! Konsensual? As po, as jo. Xhezair Zaganjori? Jo! Më parë të përcaktojmë modalitetet e procesit. Artan Hoxha? Jo! Është i oborrit të Saliut. Bujar Nishani? Jo. Absolutisht i papranueshëm. Fatos Nano? Jo! Ky këtu? Jo. Ai tjetri atje? Jo. Jepna një emër! Jo... Jo. Jo. Jo e jo...
Dy tërheqjet e befta të dy kandidatëve të shumicës qeverisëse, njëra më e papritur se tjetra, sidomos ajo e zotit Artan Hoxha bash në prag të votimit, të bëjnë të mendosh se, përpos çka thuhet shprehimisht për të arsyetuar tërheqjen, duhet të ketë nëntekst, prej të cilit nuk ka sesi të përjashtohen shpifjet e rëndomta, shantazhet politike, kërcënimet e frikshme. Janë metoda gangsterësh politikë, prej të cilave komunistët kanë përfituar pushtet, ndaj s’mund të mos i përfillin, meqë s’kanë alternativa të tjera.
Rikthimi në idenë e kandidimit të një figure politike, përmes asaj të zotit Nishani, një politikan serioz e i suksesshëm në karrierën e vet si burrë shteti, duhet përshëndetur e duartrokitur pa mëdyshje. Politika shqiptare, pasi humbi përkohësisht në labirintin-kurth të ngritur prej Edi Ramës, e gjeti rrugëdaljen, më në fund. Gjithsesi, kthinat e labirintit-kurth, shërbyen për t’i dhënë përgjigje ndonjë pyetjeje që po na mundonte prej më se dy muajsh ne, shqiptarët.
Deri ku mund të shkojë kryeneçësia e një politikani të paskrupull politikë? Deri ku mund të arrijë durimi i një tjetri që fisnikërisht i hap rrugë marrëzisë, për hir të interesave të vendit?
Duket açik se kryeneçësia e Ramës, e cila nuk prodhon politikë, por marrëzi politike, s’ka kufij as në kohë, as në hapësirë. E vetmja mundësi që opozita e majtë të shpëtojë prej rrugës pa krye ku ka hyrë, është mënjanimi i Ramës nga kreu që ka uzurpuar në PS, çka ngjan e zorshme të ndodhë pa një nismë të guximshme nga ana ndonjërit prej liderëve të arsyeshëm të së majtës, së cilës nuk i kanë munguar dhe s’kanë për t’i munguar as në të ardhmen. Nëse Fatos Nanoja u duk se synoi presidencën, tentativa e tij, sipas meje, ishte të testonte kryeneçësinë e Edi Ramës, e cila nuk njeh tërheqje as kur kundërshtari i ofron të vetën. Ndoshta do t’i mbetet liderit historik të PS-së të thotë fjalën e fundit, të ndreqë gabimin e pafalshëm që e hoqi Ramën nga rrugët e Parisit dhe e solli në Shqipëri që t’i hapte dyert e futjes në politikë. Le të shpresojmë.
Nga ana tjetër, duke mos e ditur saktësisht edhe për sa kohë Rama do të mbetet në politikë, pasi kjo varet prej durimit të atyre të cilëve u ka hipur mbi qafë, pësimi duhet të bëhet mësim për shumicën qeverisëse. Zotit Berisha, zoti Meta dhe liderët e tjerë të koalicionit e dinin mirëfilli se me harbutin, nuk shkon fisnikëria; se me jo seriozin, serioziteti s’ka vlerë; se të pabesit, nuk i zihet besë. Megjithatë bënë të pamundurën ta nxirrnin vendin nga kolapsi, për hir të interesave kombëtare. Ç’ vlera patën gjithë këto përpjekje të sforcuara? Zoti Kryeministër tha përpara grupit parlamentar të PD-së se më parë kalon detin në këmbë, sesa merresh vesh me Ramën, çka do me thënë se edhe durimi paska një kufi. Mos, vallë, do të kishte qenë më e udhës që të kurseheshin koha dhe energjitë për punë më të frytshme sesa marrëveshja me Ramën për një emër presidenti?