Sot kryesia e PD: Gara për Presidentin, votimi i parë më 30 maj

Nga konferenca e kryetareve
Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet sot për të caktuar datat e votimit për 5 raundet. Berisha mandatohet për negociatat.
Kuvendi do të përcaktojë sot 5 datat e votimit sipas afateve kushtetuese deri në fund të qershorit.
Konferenca e Kryetarëve hap zyrtarisht garën për kreun e shtetit.
Parlamenti çel sot zyrtarisht garën për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu përgjigj dje interesit të gazetarëve për datën e fillimit të garës presidenciale dhe futjes të kësaj pike të nxehtë të politikës në axhendën e Kuvendit. Gjatë përurimit të sallës së re të Mediave, Topalli pohoi se Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet sot para nisjes së seancës plenare. Menjëherë, në faqen zyrtare në internet të Parlamentit është publikuar njoftimi dhe kërkesa e kryetares së Kuvendit në përputhje me Rregulloren, për nisjen e procedurave ligjore për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Bazuar në nenet 87 dhe 88 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 109 të Rregullores së Kuvendit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, thërret Konferencën e Kryetarëve, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Konferenca mblidhet paraditen e sotshme në orën 9:00, në ambientet e Parlamentit, në prani të krerëve të grupeve të partive parlamentare. Sipas burimeve nga maxhoranca, pritet që Konferenca e Kryetarëve të caktojë sot datën 31 maj për raundin e parë të votimit për Presidentin.
Procedurat
Në Kushtetutë është vendosur që procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të bëhet në pesë raunde nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet çdo shtatë ditë, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale. Çdo votim do të kryhet në mënyrë të fshehtë dhe pa debat. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës. Për të marrë postin e Presidentit, një kandidat fillimisht duhet të sigurojë firmat e 20 deputetëve, të cilët nuk kanë më të drejtë të firmosin për një kandidaturë tjetër. Duke i qëndruar kësaj logjike matematikore, në garë mund të marrin pjesë vetëm 7 kandidatë.
Votimi
Votimi për postin e Presidentit do të jetë dhe një test për ndryshimet e ndërmarra në Kushtetutën e vendit në vitin 2008. Pikërisht për procesin e votimit është parashikuar që zgjedhja e kreut të shtetit, në rast se nuk finalizohet në tri raundet e para me 84 vota të Kuvendit, atëherë në raundin e katërt dhe të pestë mjafton një shumicë prej 50+1 votash, ose e thënë ndryshe, 71 deputetë. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, thuhet në nenin 86 të librit themeltar të shtetit.
Kryesia e PD, Berisha mandatohet për negociatat
PD do të mbledhë sot forumin më të lartë për zgjedhjen e Presidenti
Do vendoset edhe për taktikën që do të përdorë PD në Kuvend
Pak orë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, e cila do të hapë zyrtarisht procedurat parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, Partia Demokratike do të mbledhë Kryesinë e saj për të diskutuar për këtë çështje.
Anëtarët e këtij forumi të lartë të demokratëve janë njoftuar dje në mesditë se sot në orën 19:00 do të zhvillohet mbledhja e paralajmëruar një javë më parë edhe nga Kryeministri Sali Berisha. Burime pranë selisë blu bëjnë të ditur për gazetën se në këtë mbledhje të parë do të flitet vetëm parimisht për çështjen, dhe jo me emra konkretë. Gjithashtu, pjesë e diskutimit do të jetë edhe taktika që do të ndiqet për këtë garë. Ndonëse deputetë të ndryshëm të Grupit Parlamentar, disa prej të cilëve edhe anëtarë të Kryesisë, nuk kanë nguruar të propozojnë edhe emra të përveçëm për postin e Presidentit, kjo gjë nuk do të diskutohet në mbledhjen e Kryesisë së demokratëve. Në të njëjtën mbledhje pritet që Kryeministri Sali Berisha të marrë edhe mandatin e Kryesisë së partisë për të nisur negociatat me forcat aleate në mënyrë që maxhoranca të ketë një qëndrim të unifikuar. Pas takimeve me aleatët do të ketë edhe takime me faktorë të tjerë jashtë koalicionit. Në mbledhjen e fundit me Grupin Parlamentar demokrat, Kryeministri konfirmoi edhe njëherë qëndrimin se Presidenti i ri do të jetë një personalitet i PD-së. Ai para deputetëve garantoi se në çfarëdolloj situate vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Siç jam shprehur, ne kemi figura dhe personalitete të PD-së për postin e Presidentit. Presidenti do të jetë një njeri politik sepse i tillë është edhe pozicioni. Ai do të jetë politikan i dorës së parë, dhe jo i dorës së dytë apo të tretë. Me aleatët do të diskutoj fillimisht, por edhe me opozitën. Pak ditë më parë, siç jeni njoftuar edhe nga mediat, kam takuar Fatos Nanon si ish-kryeministër dhe si një njeri që më dorëzoi shtetin. Maxhoranca nuk shkon në zgjedhje të parakohshme për Presidentin, por do të gjejmë mundësitë për ta zgjedhur. Ne kemi një marrëveshje me aleatët për qeverisje, Presidenti është një çështje tjetër. Por nuk përjashtoj asnjë kandidaturë nga maxhoranca, sepse ne kemi personalitete, u shpreh Kryeministri në të vetmin komunikim me deputetët në një mbledhje të Grupit Parlamentar. Përveç takimeve që do të ketë me partitë aleate, në tryezën e kreut të qeverisë prej disa javësh qëndron edhe një ftesë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Lideri i opozitës u nisi një letër të gjithë kryetarëve të partive parlamentare për tu takuar për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe që do të ketë mbështetje të gjerë në Parlament. Nga ana e tij, Kryeministri deklaroi se kundërshtarin e tij politik do ta takojë vetëm pasi Kuvendi të nisë procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Sa u përket numrave në Parlament, Partia Demokratike numëron aktualisht në Grupin e saj Kuvendor 66 deputetë, ndërsa Partia Socialiste 63 deputetë. Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila deri tani ka bërë thirrje për një president konsensual dhe është bërë pjesë e takimeve të organizuara nga PS-ja, ka katër deputetë, një shifër e rëndësishme për të bërë numrin 71 në rast se partitë nuk do të gjejnë konsensusin në tri raundet e para. Por po kaq të vlefshme do të jenë edhe votat e shtatë deputetëve që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare, Gazmend Oketa, Fatmir Mediu, Kastriot Islami, Shpëtim Idrizi, Dashamir Tahiri, Vangjel Dule dhe Dritan Prifti.
Flet deputeti i PD, F