E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për skandalin e pasaportave, do të flasë Natalia?

Natali Veliaj mund të tregojë emrat e bashkëpunëtorëve të saj në aferën korruptive me pasaporta. Por ajo është e vendosur në kushtin që e kishte qitur që në fillim. Do të tregojë vetëm atëherë kur të shpallet dëshmitare e mbrojtur.

Burime të “Express” nga prokuroria bëjnë të ditur se prokurorët e çështjes kanë mundësi që të hënën ta marrin sërish në pyetje Veliajn.

Por avokati i saj Tomë Gashi tha se kjo mund të ndodhë vetëm nëse prokurori ka ndryshuar mendje në lidhje me kërkesën e saj që të shpallet dëshmitare e mbrojtur.

“Klientja ime do të flasë nëse është marrë parasysh kërkesa e saj për t’u shpallur dëshmitare bashkëpunuese apo edhe e mbrojtur”, tha Gashi.

Natali Veliaj është duke i vuajtur dhjetë ditët e fundit të paraburgimit prej tridhjetë ditësh. Shtetases gjermane iu caktua kjo masë nga gjyqtari i procedurës paraprake nën dyshimin se përvetësoi 1.4 milionë euro para këto të dedikuara për një kompani austriake që prodhoi pasaportat për kosovarë.

Kur është marrë në pyetje nga prokuroria, Veliaj ka thënë se paratë ua ka transferuar disa zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por që ajo asnjë emër nuk e ka përmendur me arsyetimin se “ka frikë për jetën”.

Pavarësisht asaj prokuroria ende nuk ka marrë në pyetje ndonjë zyrtar të MPB-së, ministri Bajram Rexhepi disa ditë pas skandalit shkarkoi nga puna tre zyrtarë, shefin për prodhim të dokumenteve Besnik Berisha, kryeshefin e Agjencisë për Regjistrim Civil Blerim Camaj dhe këshilltarin e tij Sedat Gashin./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›