E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabimi i infermieres i rrezikon jetën pacientit

Injektimi në mënyrë të gabuar i një antibiotiku për pak sa nuk i ka marrë jetën një 55-vjeçari nga Vlora. Burime nga spitali i këtij qyteti bënë me dije dje se pacienti Xhemal M., i cili i ishte nënshtruar një operacioni në Tiranë për ngatërrim zorrësh, është shtruar në spitalin e qytetit të tij për shkak të një infeksioni nga ky operacion.

Pasi ka marrë një kurë dyditore në Spitalin rajonal të Vlorës, 55-vjeçari ka pasur një përmirësim të dukshëm të shëndetit dhe pritej të dilte nga spitali shumë shpejt. Por një gabim i infermieres së repartit të kirurgjisë, Marsida L., për pak i ka marrë jetën pacientit. Burimet spitalore bëjnë të ditur se pasi ka parë kartelën e të sëmurit, infermieria i ka injektuar atij një dozë peniciline direkt në venë, ndërkohë që ky lloj antibiotiku injektohet vetëm në muskul.

Menjëherë pas injeksionit, pacienti Xhemal M. ka pasur komplikacione, si gjendje shoku, zbardhje të syve, marrje mendsh etj.

Për fat të mirë të tij, vigoni me anë të të cilit injektohej penicilina ka lëvizur dhe gjysma e medikamentit është derdhur jashtë trupit të tij. Menjëherë të afërm të 55-vjeçarit, si dhe infermierë të tjerë të repartit të kirurgjisë i kanë bërë pacientit disa injeksione të tjera për ta stabilizuar gjendjen e shokut, ku ishte futur nga injoranca e infermiereve.

Pas vënies në kontroll të situatës, familjarët e pacientit, si dhe një pjesë e stafit të Spitalit të Vlorës kanë reaguar ashpër, duke kërkuar largimin e menjëhershëm nga puna të personave që nuk kanë njohuritë minimale për profesionin. Madje, njëri prej mjekëve të Spitalit të Vlorës është shprehur se do t‘i drejtohej gjykatës për të vënë përpara përgjegjësisë ata që kanë lejuar këtë mungesë profesionalizmi në radhët e infermierëve të spitalit të Vlorës. Sipas tij, mungesa e dijeve të marra në shkollë rrezikon jetën e të sëmurëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›